Ndërlidhjet

Gjykata Speciale shton tensionet në Kuvend


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Çështja e themelimit të Gjykatës Speciale për Kime Lufte, vazhdon të shkaktojë debate të ashpra në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet partive në pushtet dhe atyre të opozitës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme, në seancën e së enjtes së Kuvendit tha se letërkëmbimet që kanë ndodhur ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Brukselit sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale për Kime Lufte, është i aprovuar në Kuvendin e Kosovës.

Thaçi tha se edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk duhet të kuptohet si një dështim apo dënim për vendin.

“Vendimin e Gjykatës Kushtetuese ju ftoj që ta vlerësoni e në të njëjtën kohë nuk duhet të trajtohet ashtu siç pretendohet, për t'u prezantuar në opinion si dështim apo ndëshkim për Kosovën. Por, mendoj se bashkë duhet ta shndërrojmë ketë proces në një përparësi dhe ecje përpara për Kosovën, për konsolidimin e shtetit, por edhe thellim të partneritetit me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian”, tha Thaçi .

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, një ditë ma parë ka shpallur të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në lidhje me amandamentet kushtetuese të propozuara nga Qeveria e Kosovës, për themelimin e Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës.

Deputeti Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se Qeveria e Kosovës është duke vepruar turpshëm duke sjellë Gjykatën Speciale për Krime të Luftës, dhe po mundohet, siç tha ai, "ta minimizojë turpin duke thënë se do ta padisin Serbinë për krime lufte".

“Në ditën kur është bë publike se kemi hequr dorë nga sovraniteti i vendit, duke sjellë Gjykatën Speciale u munduat ta neutralizoni me rezolutën kundër gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Kjo ishte shumë vonë dhe shumë pak”, tha Lekaj.

Kurse, Zafir Berisha në emër të partisë politike Nisma për Kosovën, duke komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese tha se kupola e së keqes në Kosovë është ajo gjykatë.

Ai tha se si pasoj e politizimit dhe dështimit të sistemit të drejtësisë po formohet Gjykata Speciale për Kime Lufte.

“Ky segment (drejtësia) duke dështuar me qëllim, të iniciuara nga njësitë para-politike kanë sjellë si rezultat edhe themelimin e Gjykatën Speciale dhe kjo me gjasë është e koordinuar mirë për ta gjykuara luftën e drejt të UÇK-së”, u shpreh Berisha.

Pas vendimit nga Gjykata Kushtetuese, tani pritet që Kuvendi i Kosovës t’i nisë procedurat për amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës, me anë të një votimi të dyfishtë për themelimin e Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës.

Nëse këto amandamente kalojnë, atëherë pritet që të miratohet edhe ligji për themelimin e Dhomave të Veçanta të prokurorisë dhe gjykatave, të cilat do të udhëhiqen nga ndërkombëtarët dhe do të trajtojnë raste të supozuara të krimeve të luftës, në bazë të një hetimi të prokurorit amerikan Clint Walliamson.

Hetimet e prokurorit Ëilliamson, mbështeten në raportin e zviceranit Dick Marty, të prezantuar në Këshillin e Evropës mbi pretendimet e tij për "trafikim organesh të serbëve nga disa ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës".

Themelimi i Gjykatës Speciale për Krime Lufte, mbështetet nga partitë e koalicionit qeverisës, por jo edhe nga opozita.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG