Ndërlidhjet

Çmimi i rrymës, një arsye tjetër e përplasjeve pushtet – opozitë


Përplasjet mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës po shtohen pak ditë para se tri partitë në opozitë kanë thirrur një protestë në qendër të Prishtinës, për të kundërshtuar, siç thuhet “kapjen e shtetit” nga dy partitë në pushtet.

Mungesa e konsensusit për të futur në rend të ditës së seancës së 16 prillit të një peticion të nënshkruar nga 35 mijë qytetarë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ka shtyrë tri partitë opozitare që të lëshojnë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe shefave të grupeve parlamentare.

Çmimi i rrymës, puna e Gjykatës Kushtetuese, puna e mediumit publik, problemet në drejtësi e të ngjashme, janë potencuar nga opozita se do të ngrihen në vazhdimësi si çështje problematike qoftë përbrenda institucioneve apo edhe në rrugë përmes protestave.

Edhe kundërshtimi i çmimit të lartë i rrymës është një prej këtyre kërkesave që opozita ka futur në kuadër të çështjeve për të cilat do të protestojë më 18 prill në Prishtinë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se mospërfillja e peticionit të qytetarëve po tregon për mungesën e kujdesit ndaj mirëqenies dhe standardit të popullatës.

“Ajo e prek qytetarin e varfër të Kosovës i cili po përballet dita ditës me problemet më ekzistenciale të mundshme. Tash përveçhalleve të shumta që i kemi, përveç ikjes masive të qytetarëve, përveç shtrenjtimit të mallrave të ndryshme, po duan t’ia shtojnë edhe një hall më shumë qytetarit të Kosovës e ky është shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë Konjufca.

Ndërkohë, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi ka potencuar se Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike nuk po i përfillë kërkesat e qytetarëve për uljen e çmimit të rrymës, ngase dikujt në Kosovë po i konvenon importimi i rrymës, që kushton shumë shtrenjtë dhe të cilin e paguajnë qytetarët me buxhetin e tyre.

”Janë nënshkrimet e 35 mijë qytetarëve të Kosovës që nuk mund të anashkalohen dhe se kjo çështje nuk mund të mbetet nën hije për shkak se dikush ka interes që në vazhdimësi të importojë energji elektrike me çmime të shtrenjta dhe qytetarët e Kosovës të paguajnë më shumë se dy herë për një kilovat të shpenzuar”, ka deklaruar Kadaj Bujupi.

Sidoqoftë, kërkesave të opozitës nuk u janë përgjigjur partitë në pushtet. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë pajtuar që në seancën e radhës Kuvendi të trajtojë çështje tjera të parapara për rendin e ditës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, deputet i PDK-së, ka thënë se një ndër çështjet me prioritet, qoftë për seancën e radhës apo atë pasuese, do të jetë edhe nxjerrja e një rezolute për padi ndaj Serbisë për dëmet e shkaktuara të luftës.

“Rezoluta e sponsorizuar nga PDK-ja për dënimin e krimeve të cilat i ka bërë Serbia në Kosovë do të trajtohet. E trajtuam në mbledhjen e Kryesisë dhe kryetarëve të grupeve parlamentare. E kemi lënë edhe një harmonizim të qëndrimeve të grupeve parlamentare dhe besoj që në mbledhjen e radhës së Kuvendit do të jetë pjesë e votimit”, ka theksuar Veseli.

Krijimi i koalicionit të gjerë ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, ku bëjnë pjesë edhe pakicat, i ka lënë opozitës pak hapësirë veprimi përbrenda Kuvendit, kështu që në disa raste ajo zgjedh si formë reagimi edhe braktisjen e mbledhjeve apo edhe protestat në rrugë, siç është rasti me protestën e paralajmëruar për të shtunën më 18 prill në Prishtinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG