Ndërlidhjet

Opozita premton protestë paqësore “kundër kapjes së shtetit”


Liderët e partive opozitare janë mbledhur sot në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, për t’i koordinuar hapat rreth organizimit të një proteste në qendër të Prishtinës më 18 prill.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj, në fund të takimit kanë publikuar edhe detajet e kësaj proteste, e cila në shumë raste u tha se do të jetë paqësore me moton, “Kundër kapjes së shtetit”.

Detajet e protestës, i ka prezantuar nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai ka thënë se marshi i protestës, do të kalojë afër institucioneve, të cilat opozita pretendon se janë "të kapura" nga partitë në pushtet. Kështu, marshi protestues parashihet të kaloj përreth Gjykatës Kushtetuese, ndërtesës së KEDS-it si dhe ndërtesës së Transmetuesit Publik.

“Ndoshta dikujt mund t’i duket paksa e largët se çfarë kuptimi ka Gjykata Kushtetuese, por ta kini parasysh që po na prek të gjithë neve në jetën tonë. Dhe, kur po bëhet pastaj vonë, pyetjet po bëhen – si e mori Gjykata këtë vendim dhe ne tashmë po e kuptojmë se çdo vendim që po merret në këtë shtet ka të bëj me ndikime dhe interesa personale të dikujt. Askush më mirë sesa unë si kryetar i Prishtinës nuk e din se çka do të thotë ballafaqimi me kapjen e shtetit për çdo ditë”, ka thënë Ahmeti.

Opozita kësaj radhe ka potencuar shumë çështje për të cilat beson se qytetarët duhet të ngritin zërin.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte përmendur disa arsye pse, sipas opozitës, duhet protestuar për të ndalur trendet negative të zhvillimeve në Kosovë.

“Të protestojmë për procese, për tema që janë kaq të ndjeshme në Kosovë. Kapja e shtetit, shkalla e lartë e korrupsionit, një çmim shumë i lartë i energjisë elektrike, një kapje e mediumit publik – RTK-së, situata në Gjykatën Kushtetuese dhe një instrumentalizim i skajshëm i saj, një situatë e padefinuar me Trepçën. Pra, janë tema që na preokupojnë dhe do të jemi bashkë me 18 prill”, ka thënë Haradinaj.

Që nga protestat e 24 dhe 27 janarit në Prishtinë, opozita kishte paralajmëruar veprime të ngjashme edhe për të ardhmen.

Vendimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për shkarkimin e ministrit për komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, opozita e sheh si rezultat të presionit që i është bërë kreut të Qeverisë së Kosovës në protestat e janarit, të cilat patën eskaluar edhe në dhunë.

Por, ajo që në vazhdimësi potencojnë partitë opozitare është se "në Kuvendin e Kosovës, po mbivotohen nga koalicioni PDK - LDK si partitë më të mëdha, kështu që fuqinë e vet politike po provojnë ta rrisin edhe përmes formës së protestave në rrugë, duke e përdorur edhe pakënaqësinë e qytetarëve për të shtyrë përpara, qoftë agjenda politike apo edhe rritjen e presionit mbi qeverinë për veprime të caktuara".

Takimet e opozitës deri më 18 prill do të vazhdojnë, kurse protesta është thënë se do të jetë paqësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG