Ndërlidhjet

Jahjaga fton ligjvënësit ta votojnë Gjykatën Speciale për Krime Lufte


Atifete Jahjaga, gjatë paraqitjes ne forumin "Fol Hapur"
Atifete Jahjaga, gjatë paraqitjes ne forumin "Fol Hapur"

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të gjejnë një zgjidhje dhe të votojnë për formimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Jahjaga tha se në rast se vetë Kosova nuk e bën një gjë të tillë, dikush tjetër do ta formojë atë gjykatë.

Presidentja e Kosovës i bëri këto komente në forumin "Fol Hapur", organizuar nga Lëvizja "Fol" në Prishtinë.

"Kjo gjykatë nëse shkon në Këshillin e Sigurimit [të OKB-së], është proces i rrezikshëm për shtetin tonë. Unë nuk do t'ia kisha dëshiruar Kosovës, institucioneve të vendit dhe qytetarëve tanë këtë, sepse atëherë [procesi], nuk do të kishte fund dhe nuk do të kishim një afat të përcaktuar kohor".

"Për krijimin e Gjykatës Speciale apo Gjykatës së Veçantë, është marrë vendim në kuadër të Kuvendit të Kosovës, me dy të tretat e votave të deputetëve dhe po ashtu ka kaluar letër - këmbimi ndërmjet meje dhe zonjës Ashton [Catherine Ashton], në atë kohë", tha Jahjaga.

Amandamentet kushtetuese të propozuara nga Qeveria e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, janë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Ato pritet t'i procedohen Kuvendit të Kosovës, ku edhe mund të vendoset për themelimin e saj, duke aprovuar fillimisht ndryshimet kushtetuese përmes një votimi me dy të tretat e votave. Deri më tash, janë partitë politike në opozitë ato që kanë shprehur kundërshtimin e tyre me themelimin e kësaj gjykate.

Nisma për themelimin e saj pason hetimet e iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin pretendimet e zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidentja e Kosovës tha po ashtu se institucionet e Kosovës kanë marrë zotime se do t'i kryejnë të gjitha obligimet ndërkombëtare në mënyrë që të shkohet tutje.

"Ne duhet t'i përmbushim të gjitha obligimet tona ndërkombëtare. Gjykata ka të bëjë me raste individuale dhe në asnjë rast dhe në asnjë moment nuk e paragjykon luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne e kemi theksuar disa herë se jemi për parimin e drejtësisë ndaj të gjithëve dhe për secilin", tha Jahjaga.

Presidentja foli edhe për çështje të tjera. Për radikalizmin dhe ekstremizmin tha se asnjë vend nuk është i paprekshëm dhe i pacenueshëm nga trendet e fundit të kësaj dukurie.

"Nga operacionet e fundit që kemi parë në vitin e kaluar, janë sjellë para drejtësisë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve tanë, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër, i janë bashkuar këtyre luftërave, e për të cilat nuk e dimë qëllimin. Kohët e fundit ne kemi kaluar në Kuvend edhe ligjin që parasheh dënimin prej 15 vjetësh, kujtdo që i bashkohet luftërave të tilla".

"Unë kam thënë se Kosova nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë çerdhe e këtyre aktiviteteve, të cilat po e dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe po e pengojnë zhvillimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë sonë", tha Jahjaga.

Pashmangshëm, temë diskutimi në këtë Forum ishte edhe çështja e korrupsonit, për ç'gjë presidentja ka shprehur pakënaqësinë e saj me luftën e deritashme kundër kësaj dukurie.

Ajo tha se institucionet përkatëse nuk i kanë luftuar mjaftueshëm dukuritë negative siç është korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Megjithatë, ajo përmendi si sukses punën e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, këshill ky i cili është formuar dhe udhëhiet nga vetë presidentja Jahjaga.

"Unë personalisht nuk jam e kënaqur me përgjigjen institucionale ndaj këtij fenomeni që po e lëkund të ardhmen e Kosovës. Përmes bashkërendimit kemi arritur t'i identifikojmë problemet dhe tanimë ato kanë emër dhe adresë", tha Jahjaga.

Ajo ka pohuar se "duke ndërtuar ura bashkëpunimi në politikë, kulturë dhe ekonomi, si dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjik, do të avancohen edhe marrëdhëniet bilaterale dhe do të forcohen vlerat e vendit".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG