Ndërlidhjet

Vjedhjet, dukuri shqetësuese në Kosovë


Vjedhjet nëpër dyqane, banesa private apo nëpër shtëpi, për qytetarët e Kosovës, janë bërë dukuri mjaft shqetësues.

Statistikat e Policisë së Kosovës, tregojnë se vetëm për tre muajt e parë të këtij viti janë raportuar 1,510 raste të klasifikuara si vjedhje dhe 1,476 raste të klasifikuara vjedhje të rënda.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se në bazë të të dhënave që ata posedojnë, vërehet një rënie e rasteve të vjedhjeve.

“Nëse iu referohemi statistikave krahasuese lidhur me vjedhjet e raportuara gjatë viteve që kemi lënë pas, respektivisht nga viti 2013 në 2014 numri i vjedhjeve shënon rënie mbi 10 për qind”, tregon Hoxha.

Për dukurinë e vjedhjeve nëpër pronat private flasin edhe qytetarët, të cilët kanë qenë pre e vjedhjeve.

Amir Hyseni nga Prishtinë tregon për Radion Evropa e Lirë se i ishin vjedhur katër gomat e veturës në parkingun afër banesës së tij.

“Po para disa muajve më janë vjedhur gomat e veturës, më është dukur shumë e çuditshme se si kanë mundur që t’i vjedhin të katër gomat! Mendoj që ka qenë e përgatitur mirë vjedhja, pasi që për t’i marrë të gjitha duan goxha kohë, po ashtu në të njëjtën javë edhe fqinjëve ua kishin thyer veturën dhe i kishin marrë shumë gjëra. Me të vërtetë është shqetësuese”, shprehet Hyseni.

Ai tregon se e kishte raportuar rastin në polici, por se deri më tani nuk është njoftuar nga policia se kanë arritur ta identifikojnë vjedhësin.

“Kur e njoftova policinë, ata erdhën dhe kryen punën e tyre, morën dëshminë nga unë dhe proceset tjera që ndërlidhen me vjedhjen, por, siç thoshin edhe Policia, vështirë se mund të kapet hajni pasi që paska qenë profesionist”, tregon Hyseni.

Sa i përket rolit të Policisë në parandalimin, por edhe arrestimin e personave e grupeve të përfshira në këto krime, zëdhënësi Daut Hoxha bën të ditur se kanë në dispozicion 24 orë njësitë patrulluese policore.

“Çdo rast që raportohet duke përfshirë edhe rastet që ju keni potencuar, Policia i trajton ato në bazë të rregullave dhe procedurave ligjore siç janë paraparë me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës”, thekson Hoxha.

Përveç rasteve të raportuar, shton Hoxha, Policia e Kosovës ka arritur që të parandalojë dhe identifikojë një numër të kryesve të këtyre veprave penale. Gjithashtu, ka pasur edhe raste të arrestimit të tyre në flagrancë apo në tentativë.

Policia e Kosovë thuhet të ketë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme duke përfshirë edhe sjelljen e kryesve të këtyre akteve të vjedhjes para organeve të drejtësisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG