Ndërlidhjet

Vjedhjet, dukuri në rritje


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Dukuria e vjedhjeve nëpër pronat private të qytetarëve të Kosovës, po shënon rritje, ka konfirmuar Policia e Kosovës. Këto akte kryesisht ndërlidhen me vjedhjet nëpër shtëpi, banesa private apo edhe dyqane. Përderisa, thuhet se ka rënie të rasteve të vjedhjeve të, të cilësuara si të rënda.

Baki Kelani, zëdhënës i policisë së Kosovës, ka thënë se statistikat aktuale, me të cilat posedon policia, janë më të vjetra, por në bazë të shënimeve ditore vërehet një rritje e rasteve të thyerjeve të shtëpive, banesave me qëllim të vjedhjes dhe plaçkitjes.

“Krahasuar periudhat kohore midis dy viteve të fundit, mund të themi se ka një ngritje të lehtë e rasteve të vjedhjeve. Ndërsa, sa u përket vjedhjeve të rënda që klasifikohen në bazë të kodit penal, ka një rënie, e po ashtu rënie ka edhe në rastet e grabitjeve”, ka thënë Kelani.

Për dukurinë në rritje të vjedhjeve nëpër pronat private të qytetarëve, një shqetësim më serioz ka ngritur deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani.

Bazuar në përvojat e shumë njerëzve që janë atakuar dhe vjedhur nëpër banesat dhe shtëpitë e tyre, Ramadani thotë se kishte ngritur këtë çështje si shqetësim edhe në Parlament.

“Mungesa e sigurisë publike ka arritur në nivel shqetësues. Janë shumë e shumë qytetarë të ndryshëm nga të gjitha anët e Kosovës, të cilët na kanë kërkuar që ta ngremë këtë çështje në Kuvendin e Kosovës, por janë shumë e më shumë që janë vjedhur në shtëpitë e tyre qoftë në mëngjes, në pikë të ditës apo mbrëmje. Kjo nuk është hiç më pak sesa shkelje e dinjitetit njerëzor”, ka thënë Ramadani.

Sa i përket rolit të policisë në parandalimin, por edhe arrestimin e personave e grupeve të përfshira në këto krime, zëdhënësi Baki Kelani ka bërë të ditur se është shtuar numri i arrestimeve. Policia, sipas tij, ka shtuar efikasitetin dhe po vepron mbi bazën e planeve të veta për uljen e trendit të krimit në përgjithësi.

Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
“Numri i personave të arrestuar ka shënuar ngritje në aspektin e punës policore. Është arritur të shkatërrohen edhe grupe kriminale që kanë bashkëvepruar në vjedhje apo vjedhje grabitqare. Kështu që, policia ka arritur që në një mënyrë, t’i përmbushë objektivat e veta në luftimin e kësaj dukurie”, ka deklaruar Kelani.

Rastet e hajnive, vjedhjeve nëpër pronat e qytetarëve, po shkaktojnë trauma dhe po rrisin mosbesimin në organet e rendit, ka thënë, në anën tjetër, deputeti Burim Ramadani.

Sipas tij, kjo dukuri negative është shumë më tepër alarmante sesa që prezantohet nga organet kompetente, ndërkaq adreson sidomos kritika në drejtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Si është e mundur sot, në vitin 2013, po thuajse secila familje në Kosovë duhet ta mbyllë derën nga brenda gjatë tërë kohës. Edhe kur janë në shtëpi, duhet t’i mbajnë dyert mbyllur, sepse u hyjnë hajnat në shtëpi për t’i vjedhur. Mund ta paramendoni se si ndihet një burrë, grua dhe fëmijët e tyre kur e shohin se shtëpitë e tyre janë vjedhur edhe gjatë kohës sa kanë qenë brenda. Nuk janë të pakta rastet që fëmijët nuk guxojnë të lëvizin lirshëm brenda shtëpisë për shkak se kanë marrë trauma nga rastet e tilla të vjedhjeve”, ka thënë Ramadani.

Vjedhja e parave apo stolive të arit, kanë qenë kryesisht qëllimet e këtyre hajnive.
Vitet e fundit, sipas Policisë së Kosovës janë shtuar edhe rastet e grabitjeve apo plaçkitjeve nëpër dyqane, e sidomos bastore sportive.

Policia në këto raste, sipas zëdhënësit Kelani, ka vepruar edhe përmes strategjive tjera duke dërguar polici në rroba civile. Një strategji e tillë, ka theksuar ai, ka treguar rezultate pozitive dhe se tani edhe kjo dukuri është në rënie e sipër.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG