Akti i djegies së flamurit të Kroacisë, nga lideri radikal serb Vojisllav Sheshel, para pallatit të drejtësisë në Beograd, ka shkaktuar tensione në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Zagrebit.
Autoritetet kroate kanë dërguar protestë të ashpër dhe kanë paralajmëruar tërheqjen e ambasadorit të tyre nga Beogradi për konsultime. Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do ta thërras kryeministrin e Kroacisë, Zoran Milanoviq dhe se Beogradi nuk do ta tërheqë ambasadorin e saj nga Zagrebi.
Kryeministri serb Vuçiq, ka theksuar se “fotografitë e djegies së flamurit kroat janë fotografi të këqija që shkojnë nga Beogradi, por ato nuk kanë lidhje me shtetin”.
Megjithatë, ai ka shprehur bindjen se pavarësisht faktit që aktin e djegies së flamurit kroat e kanë bërë përfaqësuesit e partive jashtëparlamentare, kjo nuk do të kontribuojë shumë për një imazh më të mirë të Serbisë.
Vuçiq ka vlerësuar se Serbia dhe Kroacia duhet të bashkëpunojnë më mirë dhe se ai do ta thërras kryeministrin kroat, Milanoviq, që të bisedojnë me telefon.
“Ne nga ana jonë do ta ndalim çdo lloj të retorikës. Në anën tjetër do ta lus kryeministrin Milanoviq që anëtarët e qeverisë kroate të tregojnë pak më shumë respekt ndaj Serbisë. Sa i përket respektit tonë, Kroacia do ta ketë atë”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se lidhur me djegien e flamurit kroat, organet e shtetit kanë ndërmarrë masat e nevojshme.
“Ata që e kanë djegë flamujt, nuk kanë bërë asgjë kundër Kroacisë, nuk kanë bërë asgjë kundër vetes, por vetëm kanë bërë diçka kundër Serbisë”, tha Vuçiq.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë, i kishte dërguar protestë të fuqishme të ngarkuarës me punë në ambasadën e Serbisë në Kroaci, Bosa Prodanoviq, duke paralajmëruar se ambasadori kroat në Beograd, Gordan Markotiq, do të thirret në konsultime për shkak të deklaratave të Vojislav Sheshelit dhe djegies se flamurit kroat në Beograd, si dhe për shkak të, siç thuhet, deklaratave “ofenduese, të patolerueshme dhe skajshmërisht të papërgjegjshme” të ministrit serb Aleksandar Vulin.
“I akuzuari, krimineli i luftës, Sheshel, me gjuhë të urrejtjes, me retorikë dhe simbolikë lufte, po përpiqet të ndikojë në rajon e posaçërisht në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, duke djegur flamurin kroat para një institucioni shtetëror të Republikës së Serbisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kroacisë.
Në komunikatë, thuhet se lidhur me këtë rast, "fillimi i procedurës penale nga ana e prokurorisë së lartë në Serbi, është një hap në drejtim të qetësimit të situatës së krijua"r.
Gjithashtu, në këtë komunikatë është thënë se “në situata të tilla, është detyrë e të gjithë politikanëve që qetësojnë situatën dhe të veprojnë në mënyrë racionale dhe të përgjegjshme”.
“Në këtë kontekst, deklaratat e sotme të zyrtarit të lartë politik Aleksandar Vulin, i konsiderojmë ofenduese, të patolerueshme dhe skajshmërisht të papërgjegjshme”, thuhet në komunikatë.
Ky reagim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë, vjen për faktin se pak para se të ndodhte akti i djegies së flamurit kroat nga Shesheli, ministri për punë në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, e ka sulmuar kryeministrin kroat Zoran Milanoviq.
Ai kishte deklaruar se vendimi për kthimin e Sheshelit në Hagë, nuk do ta destabilizoj rajonin dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ta destabilizoj Serbinë.
Vulin, më pas, i ishte drejtuar Milanoviqit, duke i thënë që t’i “tejkaloj kotësitë dhe të shkojë në Beograd dhe të thotë se çfarë mendon për Serbinë dhe për serbët”.
Ndaj deklaratave të Vulinit, ka reaguar Ministri i Veteranëve në Qeverinë e Kroacisë, Predrag Matiq.
“Më kanë sugjeruar nga kabineti im që të mos e komentoj Sheshelin. Por, për Vulinin mund të jetë porosia e njëjtë, sikurse edhe për Sheshelin. Shko e kërko shërim”, ka thënë Matiq.
Më pas, Vulin ka thënë se “mbase për të ka ilaç”, por , duke iu referuar ministrit kroat Matiq, ka theksuar se “ai nuk do të shërohet nga ‘ustashismi’ kurrë”.
Por, Aleksandar Popov, nga Qendra për rajonalizëm , duke komentuar tensionimin e marrëdhënieve Beograd - Zagreb, ka theksuar se të dyja palët duhet të marrin vërejtje nga Brukseli.
Sipas tij, kur tashmë ishin bërë hapa drejt përmirësimit të marrëdhënieve, deklaratat e fundit po i acarojnë raportet midis dy vendeve.
“Kjo që po ndodh tash, edhe më tej e vështirëson situatën dhe tashmë është arritur pika ku do të nevojitet mjaft kohë dhe mund, që gjërat të kthehen në normalitet. Duket se e gjithë kjo më tepër flet për gjendjen dhe raportet në vet vendet tona dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre, se sa për vet Sheshelin".
"Është fakt tragjik që, pavarësisht se kush i filloi këto fërkime, nuk është dashur që të lejohet që politikanët e përgjegjshëm, nëse janë të përgjegjshëm, të bien gjatë këtyre fërkimeve në nivelin e Sheshelit”, ka thënë Popov.
Sipas tij, të gjitha këto deklarata, tashmë po përdoren për qëllime të brendshme, duke pasur parasysh që Kroacia është parazgjedhjeve parlamentare këtë vit, ndërkaq Serbia para zgjedhjeve lokale.