Autoritetet në Serbi kanë reaguar pas vendimit të Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës, me të cilin ka anuluar lirimin e përkohshëm të ish-liderit radikal serb, Vojisllav Sheshelj, duke urdhëruar kthimin e tij në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Ky i fundit ka bërë të ditur se "nuk do të ikë", por as nuk do të kthehet "vullnetshëm në Hagë".
Tribunali i kishte dhënë mundësi atij të kërkojë trajtim mjekësor në Serbi, me kusht që të mos ndërhyjë te viktimat apo dëshmitarët dhe që të kthehet në gjykatë kurdo që kjo kërkohet prej tij.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë një ditë më parë se në ditët e ardhshme Serbia do ta qartësojë qëndrimin e saj për vendimin e Tribunalit që Shesheli, të kthehet në Hagë.
Përmes një shkrimi autorial në të përditshmen "Politika" në Beograd, ai ka theksuar se çfarëdo vendimi që do të marrin autoritetet serbe, “ai nuk do të jetë i pamoralshëm, sikurse, të gjitha vendimet politike të Hagës”.
“Para disa muajsh, shumë prej atyre, që nuk u pëlqeu rezultati i zgjedhjeve, ashtu sikurse as dominimi i politikës të Partisë Progresiste Serbe, filluan me fushatën për përhapjen e frikës nga kthimi i Sheshelit nga Haga”, ka thënë Vuçiq.
“Kur u zgjatet pritja, ndërkaq që ne vazhdojmë që, pa frikë, të zbatojmë politikë sovrane dhe kur unë vetëm dal dhe them se nuk do të harrojmë, asnjëherë, asnjë viktimë të bombardimeve të NATO-s, atëherë ata e kthejnë në kuti dhe presin që ne të vdesim nga frika”, ka theksuar Vuçiq.
Ndryshe, Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, të hënën e ka miratuar ankesën e prokurorisë ndaj lirimit të përkohshëm të Sheshelit dhe ka urdhëruar kthimin e tij në paraburgim në Hagë.
Ky institucion ka vendosur që Shesheli të transportohet nga Beogradi në Hagë dhe të caktohet mbledhja ku do të dëgjohen përfaqësuesit e qeverive të Holandës dhe Serbisë, në mënyrë që të merren vesh për kushtet e kthimit të të akuzuarit.
Natasha Kandiq, koordinatore e projektit RECOM (Koalicioni për Komisionin regjional për vërtetimin e fakteve për viktimat e luftës në hapsirën e ish-Jugosllavisë), thotë se kthimi i Sheshelit në Hagë mund të bëhet pa probleme të mëdha.
“Do të kemi përsëri një teatër, por e gjithë kjo tash do të zgjas shumë shkurt. E gjithë kjo do të jetë e shëmtuar, por tashmë gjithçka e ka kaluar masën e mirësjelljes, sa që mendoj se nuk do të ketë reagime dhe komente”, ka thënë Kandiq.
Por, lideri i partisë Radikale Serbe, Sheshel, ka theksuar se nuk i intereson vendimi i Dhomës së Apelit.
“Unë nuk do të kthehem vullnetarisht. Do të shohim se si do të duket kur të më arrestojnë bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë në të gjitha krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, të cilat më atribuohen”, u ka thënë Sheshel medieve serbe, duke iu referuar në radhë të parë presidentit serb, Tomisllav Nikolliq dhe zotit Vuçiq.
Por, Rasim Lajiq, kryetar i Këshillit për bashkëpunim me Hagën, ka thënë se Qeveria e Serbisë, në rastin e të akuzuarit të Hagës, Sheshelit, do ta sjellë vendimin më të mirë, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të përgjithshëm në Serbi.
Ai gjithashtu ka theksuar se vetë-dorëzimi i Sheshelit, do të ishte vendimi më i mirë, për shkak se, sipas tij, është i mundur diskutimi për kushte të reja.
Megjithatë, Lajiq e ka cilësuar vendimin e Dhomës së Apelit, si një “kombinim të rrëmujës juridike dhe cirkut politik”. Sipas tij, një gjë e tillë është projektuar nga Tribunali i Hagës dhe siç ka thënë ai, kjo do të ketë implikime të mëdha politike.
“Ne, në vitin 2015, po merremi me Sheshelin, në vend se të merremi me problemet e rënda ekonomike dhe reformat, të cilat po i zbatojmë”, ka thënë Lajiq.
Ndryshe, me 24 mars, Shesheli dhe mbeshtetësit e tij, gjatë tubimit para Shtabit të përgjithshëm në Beograd, kanë djegur flamujt e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kosovës.
Në anën tjetër, Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkut për të Drejtat e Njeriut, vlerëson se për sjelljen e Sheshelit në publik, më së shumti kanë përgjegjësi autoritetet në Beograd..
“Të gjithë ata kanë shkuar në drejtim të asaj që ta normalizojnë Vojisllav Sheshelin. Megjithatë, ai është paradigma e gjithë asaj që ka ndodhur gjatë viteve 90'. Mungesa e ndjeshmërisë morale ndaj kësaj dukurie është ajo që më së shumti shqetëson”, ka thënë Biserko.
Por, Natasha Kandiq, ka shprehur mendimin se kërkesa e Tribunalit të Hagës për kthimin e Sheshelit në paraburgim, ka qenë e pritshme.
“Kur e kanë lëshuar, ata kanë menduar se arsyet shëndetësore janë të tilla dhe se ai do të jetë në spital dhe jo në publik”, tha Kandiq. Megjithatë, ajo ka theksuar se egzistojnë gjasa të mëdha që Shesheli të mbetet në Serbi, nën arsyetimin e raporteve mjekësore.
Sipas saj “Shesheli, ditë më parë ka thënë se po e pret konstatimin dhe përfundimet e konsiliumit lidhur me sëmundjen e tij. Mund të ndodhë që, bazuar në gjetjet e konsiliumit, t’i caktohet operimi. Ai ka thënë se do ta pranoj çdo konstatim dhe rekomandim të konsiliumit. Kështu që, mund të presim që ai të dërgohet në operim dhe kur dikush është në operim, atëherë është e pamundur që të kthehet në paraburgim”.
Ndryshe, Shesheli ka qëndruar në Hagë që nga viti 2003, për t'u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftërave në fillim të viteve 90' në ish Jugosllavi.
Prej andej ishte liruar përkohësisht dhe në formë të kushtëzuar në nëntor të vitit të kaluar, me arsyetimin se ka nevojë për trajtim mjekësor të sëmundjes së kancerit.