Ndërlidhjet

Përgjigja e Listës Serbe, së shpejti


Edhe pse përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, në takimin e 18 marsit në Graçanicë, “kanë definuar platformën e unitetit politik të serbëve, për arritjen e qëllimeve elementare të tyre”, duke kërkuar edhe “respektimin e dispozitave kushtetuese dhe ligjore lidhur me përfaqësimin e serbëve në institucionet dhe ndërmarrjet publike në të gjitha nivelet”, Lista Serbe ende nuk ka sjellë ndonjë vendim për kthimin e saj në institucionet e Kosovës.

Përfaqësuesi i Listës Serbe, Branimir Stojanoviq, aktualisht zëvendëskryeministër i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për kthimin ose jo mund të sillet së shpejti.

“Një vendim i tillë nuk është sjellë ende, por besoj që në periudhën e ardhshme, së shpejti, do të kemi informata të reja. Them se do të ketë informata të reja, por nuk po them se a do të jenë ato pozitive apo negative. Tash për tash nuk kam informata konkrete që mund t’i jap”, theksoi zëvendës kryeministri Stojanoviq.

Ndryshe, një nga përfundimet e vlerësuara si të rëndësishme nga përfaqësuesit e serbëve, në takimin në Graçanicë, është formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Stojanoviq ka vlerësuar se ky asociacion është, sipas tij, “institucioni i vetëm që mund t’iu përgjigjet nevojave të serbëve të Kosovës” dhe se pa formimin e tij “me kapacitete të plota”, problemet e serbëve nuk do të zgjidhen.

Në anën tjetër, Rangjel Nojkiq, njohës serb i zhvillimeve politike në Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se arritja e qëllimeve, të cilat janë përcaktuar me “platformën e unitetit politik të serbëve të Kosovës”, duhet të realizohet përmes institucioneve të Kosovës.

Sipas tij, në këtë kuadër përfshihet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për formimin e të cilit, siç thotë ai, përfaqësuesit e serbëve duhet të diskutojnë me përfaqësuesit e shqiptarëve. Por, Nojkiq thotë se kjo duhet të ndodhë në institucione të Kosovës, në të cilat, siç thotë ai, përfaqësuesit e Listës Serbe duhet të kthehen.

“Bashkësia e komunave serbe pa bazë ligjore, nuk ka asnjë domethënie. Kështu që, është shumë e rëndësishme që institucionet, në kuptimin e realizimit të atij projekti, të sjellin ligj të caktuar dhe ai ligj t’i definojë kompetencat e tyre dhe në bazë të ligjit të respektohet zbatimi deri në fund. Për këtë duhen marrëveshjet dhe kjo nënkupton që serbët duhet që sa më parë të futen në institucione”, tha Nojkiq.

Por, zëvendës kryeministri Stojanoviq thotë se Lista Serbe po përballet me argumentet për dhe kundër kthimit në institucione.

“Ka pasur mjaft argumente, të këtilla dhe të atilla, por e rëndësishme është që ne e kemi planin tonë të veprimit politik dhe ne së shpejti do ta bëjmë të ditur se në cilën mënyrë do t’i zbatojmë përfundimet në periudhën e ardhshme”, theksoi Stojanoviq.

Megjithëkëtë, Nojkiq, vlerëson se Lista Serbe do të kthehet në institucione dhe shenjat për një gjë të tillë janë dhënë edhe në takimin e përfaqësuesve të serbëve, me 18 mars, në Graçanicë.

“Sigurisht që në një mënyrë ka qenë një sinjal, sepse është thënë që serbët jashtë institucioneve nuk mund të bëjnë asgjë. Por, gjithashtu, nuk është definuar se kur do merren vesh që të kthehen në institucione. Kjo me siguri do të ndërlidhet me disa ngjarje në të ardhmen e afërt, ndërmjet përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës dhe në atë mënyrë të bëhet një presion i caktuar apo të dërgohen sinjale se serbët duhet të hyjnë në institucione”, tha Nojkiq.

Ai ka shtuar se nuk dyshon që serbët do të kthehen në institucione, por e gjithë kjo ka të bëj me, siç ka thënë ai, “blerje të kohës” nga ana e tyre.

Ndryshe, përfaqësuesit e Listës serbe, në institucionet qendrore dhe lokale, kanë ngrirë aktivitetin e tyre, pas shkarkimit të ministrit Aleksandër Jabllanoviq.

Shkarkimi i tij, kishte ndodhur pas protestave dhe trysnisë së fuqishme të opozitës në Kosovë, për shkak se më 6 janar, Jabllanoviq, i kishte cilësuar si "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG