Me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa është thirrur në një interpelancë para Kuvendit rreth nismës për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.
Interpelanca është thirrur për të premten më 27 mars, kur Vetëvendosje do të kërkojë sqarime nga kryeministri Mustafa rreth shqetësimeve të shprehura.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo gjykatë "do ta njollosë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do ta paraqesë një pasqyrë të shtrembëruar për shqiptarët dhe Kosovën".
Gjykatë Speciale për krime lufte, ka vijuar Haxhiu, "nuk ka pasur për shtetet tjera të dala nga ish-Jugosllavia, madje as për Serbinë".
Nisma e Qeverisë së Kosovës për amandamentimin e Kushtetutës për themelimin e kësaj gjykate, sipas deputetes Haxhiu, paraqet një tjetërsim të sovranitetit shtetëror të Kosovës, kështu që kryeministrit do t'i kërkohen sqarime para Kuvendit.
"Amandamentet që janë proceduar në Gjykatën Kushtetuese e që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, realisht parashohin sistem paralel prej Gjykatës Themelore deri te Gjykata Speciale, duke mos përjashtuar një organ paralel edhe të Gjykatës Kushtetuese dhe Avokatit të Popullit. Pra, ky është një tjetërsim i sovranitetit shtetëror dhe presim që kryeministri të jetë i pranishëm në interpelancë", ka theksuar Albulena Haxhiu.
Në fund të interpelancës, Vetëvendosje pritet t'i parashtrojë edhe disa rekomandime të cilat pret që t'i përkrahin edhe deputetët tjerë nga pozita dhe opozita.
Deputetja Albulena Haxhiu, beson se koalicioni qeverisës nuk i ka 80 votat e nevojshme për amandamentimin e Kushtetutës, me të cilat do të hapej rruga ligjore për themelimin e Gjykatës Speciale.
"Keni parasysh që për t'u votuar amandamentet të cilat janë duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese, do të nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit. Aktualisht nuk i kanë dy të tretat e votave, sepse ka edhe shumë deputetë tjerë që e kundërshtojnë".
"Ne shpresojmë që të mos arrijnë të kalojnë këto amandamente, mirëpo sigurisht që edhe në bashkërendim edhe me partitë tjera opozitare, do t'i përdorim edhe të gjitha mjetet ligjore e institucionale për ta pamundësuar themelimin e saj", ka thënë Haxhiu.
Në anën tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija, thotë se nuk do të ketë krizë të votave në momentin kur të vijë në votim themelimi i Gjykatës.
Sahatqija, e cila i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës, lider i së cilës është kryeministri Isa Mustafa, mendon se Kuvendi tashmë e ka miratuar këtë gjykatë dhe njësoj do të veprojë edhe në momentin e themelimit.
"Çështja e gjykatës është diskutuar edhe në mandatin e kaluar dhe dihet që ka marrë miratimin. Prandaj, mendojmë që duke u bazuar në votimin e kaluar dhe duke u bazuar në numrin e votave që janë në këtë koalicionin aktual, nuk e besoj që do të ketë problem të votave", ka deklaruar Sahatqija.
Amandamentet kushtetuese të propozuara nga Qeveria e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, aktualisht janë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.
Më pas, ato pritet t'i procedohen Kuvendit të Kosovës, ku edhe mund të vendoset për themelimin e saj, duke aprovuar fillimisht ndryshimet kushtetuese përmes një votimi me dy të tretat e votave.
Themelimi i kësaj gjykate, pason hetimet e iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E veçanta e kësaj gjykate, sipas njohësve të së drejtave dhe procedurave penale është se ajo do të jetë një lloj "mini" tribunali i ri ndërkombëtar, pasi që prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtarë të cilët do t'i trajtojnë rastet jashtë Kosovës.