Ndërlidhjet

Amandamentet për Gjykatën Speciale në Kushtetuese


Amandamentet e propozuara nga Qeveria e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës, i janë proceduar Gjykatës Kushtetuese për interpretim.

Sipas procedurave, në rastet kur inicohen ndryshime kushtetuese, "fillimisht, vlerësimin e bën Gjykata Kushtetuese, andaj edhe kësaj radhe kështu është vepruar", ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në momentin që Gjykata Kushtetuese e interpreton kushtetutshmërinë e procedimit të ndryshimeve në Kushtetutë, atëherë, sipas kryekuvendarit të Kosovës, Kuvendi do të vijojë me procedurat tjera.

Veseli ka thënë se Kosova tashmë ka marrë obligime ndërkombëtare për krijimin e Gjykatës Speciale.

"Ky është një obligim që nga prilli i vitit 2014, në një letër këmbim në mes të përfaqësuesve të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Do të thotë, është një vazhdimësi dhe jemi në një procedim të cilin tani e ka bërë Qeveria e Kosovës dhe më pas, Kuvendi do të marrë ato vendime të cilat janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në interesin e qytetarëve tanë", ka thënë Veseli.

Themelimi i Gjykatës Speciale po kundërshtohet nga partitë opozitare.

Shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se politika duhet të qëndrojë larg gjyqësorit.

Sipas saj, praktika në Kosovë ka dëshmuar se jo vetëm vendorët, por edhe faktori ndërkombëtar nga fusha e drejtësisë, nuk është treguar i paanshëm, duke e përmendur këtu sidomos EULEX-in dhe skandalet e përfolura për të cilat edhe BE-ja ka inicuar hetime.

"Qëndrojmë pranë asaj se nuk do ta votojmë. Konsiderojmë se për çështjet e lidhura me drejtësinë në Kosovë, sidomos pas skandaleve të përcjellura me ndërhyrjet e politikës, përkatësisht ish-kryeministrit Thaçi dhe skandaleve që ndërlidhen edhe me gjyqtarë të EULEX-it, duhet të jipen shumë përgjigje rreth çështjeve që lidhen me drejtësinë në vend", ka thënë Kadaj Bujupi.

Në anën tjetër kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur mendimin e tij personal se Gjykata Speciale nuk do të njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç është duke pretenduar opozita përmes distancimit të saj nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese për themelimin e kësaj gjykate.

"Personalisht them që UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë çlirimtare me të cilën e ka çliruar këtë popull nga padrejtësitë dhe robëria dhe të gjithë luftëtarët e UÇK-së kanë qenë luftëtarë të lirisë. Çdo gjë që ka të bëjë me të drejtën e UÇK-së, me të drejtën e Kosovës si shtet, ne do ta procedojmë në mënyrën që asnjë njollë të mos i mbetet Kosovës, qytetarëve të saj dhe luftës së shenjtë të UÇK-së për çlirim", ka deklaruar Veseli.

Qeveria e Kosovës dhe koalicioni qeverisës, themelimin e Gjykatës Speciale po e shohin si një mundësi të mirë që Kosova t'u jap fund edhe dilemave e dyshimeve te një pjesë e faktorit ndërkombëtar, rreth supozimeve për krimet e luftës.

Kryeministri Isa Mustafa, ka deklaruar se themelimi i kësaj gjykate nuk ndikon në zbehjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Mendojmë se kjo është mirë të bëhet, sepse emri i Kosovës, emri i UÇK-së, emri i qytetarëve, grave e burrave që kanë marrë pjesë në luftën çlirimtare duhet të pastrohet dhe ne nuk duhet të lejojmë që asnjë njollë të vihet dhe mbetet mbi këtë emër", ka theksuar kryeministri Isa Mustafa.

Për miratimin e amendamenteve Kushtetuese në lidhje me Gjykatën Speciale, Kuvendi i Kosovës duhet të sigurojë 80 vota për, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave.

Aktualisht, komuniteti serb ka ngrirë aktivitetin e vet në institucionet qendrore, kështu që kthimi i këtij komuniteti në Kuvend do të jetë i domosdoshëm për ndryshimet kushtetuese.

Nëse koalicioni në pushtet arrin që t'i bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, më pas pritet që të votohet edhe ligji për themelimin e kësaj gjykate.

Themelimi i këtij "mini" Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën, pason hetimet e iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Paraprakisht, po në lidhje me themelimin e kësaj gjykate, një ekip nga Kosova, i kryesuar nga ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, ka zhvilluar negociata me Brukselin rreth infrastrukturës ligjore e kushtetuese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG