Ndërlidhjet

Ngecje ekonomike në 100 ditëshin e parë të qeverisë


Përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë, vlerësojnë se në 100 ditëshin e parë të Qeverisë së Kosovës, nuk është shënuar asnjë e arritur e madhe në aspektin ekonomik.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në 100 ditët e para, Qeveria e Kosovës nuk ka shënuar "asnjë progres që vlen të përmendet".

“Gjatë këtyre 100 ditëve të punës së Qeverisë, nuk ka pasur të arritura të mëdha dhe asnjë përparim në rrafshin ekonomik. Dikush mund ta konsiderojë periudhë relativisht të shkurtër, por unë mendoj se 100 ditë kanë qenë të mjaftueshme për të jetësuar disa prej kërkesave të komunitetit të biznesit, të asociacioneve të ndryshme, përfshirë ndonjë vendim për lehtësira fiskale, apo për pushime tatimore”, thekson Zeka.

Gjatë këtyre 100 ditëve, thekson Zeka, është pritur që "së paku të organizohet një konferencë me investitorë ndërkombëtarë, në mënyrë që t'ju tregohet atyre se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një sërë reformash ekonomike".

Për më shumë, Zeka kujton, Ligjin për mallrat e liruara nga detyrimet tatimore të miratuar nga Qeveria e kaluar në fillim të vitit 2014, ligj ky i cili, sipas Zekës, lehtësisht do të mund të hynte në fuqi gjatë këtyre 100 ditëve.

“Ajo çka ka mundur të bëjë Qeveria e Kosovës, së paku të zgjerojë listën e produkteve të mallrave të liruara nga detyrimet doganore, të zgjerojë listën e lëndëve të para që përdoren nga kompanitë prodhuese në Kosovë në mënyrë që të rrisë fuqinë e tyre konkurruese, por që asnjëra prej tyre nuk ka ndodhur”, shton Zeka.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë muajit shkurt ka prezantuar objektivat kryesore të programit qeverisës për mandatin katërvjeçar. Pjesa më e madhe e këtij programi i kushtohet zhvillimit ekonomik të vendit.

Është paraparë po ashtu, se do të themelohet edhe një fond për zhvillim dhe punësim për të ulur shkallën e lartë të papunësisë në vend.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, si zhvillim kryesor në 100 ditët e para të Qeverisë, e thekson këtë program qeverisës.

“Unë mendoj se deri më tani zhvillimi ekonomik asnjëherë nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie dhe i asnjë administrate ndërkombëtare në Kosovën e pasluftës. Është mirë që ekonomia është bërë prioritet nacional i vendit. Kisha sugjeruar që të ketë dinamikë më të shtuar në fushën e zhvillimit ekonomik, në realizmin e projekteve strategjike për ndryshimet legjislative të cilat do të lehtësojnë të bërit biznes”, thekson Gashi.

Si të arritur të këtyre 100 ditëve, Gashi e konsideron edhe propozim ndryshimin e tri projektligjeve, siç është ai për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Ligji mbi të ardhurat personale dhe Ligji mbi të ardhurat në koorporata.

“Ajo çka do të prisja më shumë është inkurajimi i investitorëve të huaj, sidomos kur bëhet fjalë për Termocentralin ‘Kosova e re’, ku kemi pasur një ngecje edhe pse është paralajmëruar se në muajin janar do të nënshkruhej kontrata me investitorin e ri, por ajo nuk është bërë”, shton Gashi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës që në ditët e para të punës ishte përballur me tensione të mëdha. Protestat dhe grevat ishin instrumente që u përdorën qoftë nga opozita, sindikatat apo edhe shoqatat e ndryshme.

Në protestat e 24 dhe 27 janarit që u mbajtën në Prishtinë, situata eskaloi në përleshje ndërmjet protestuesve dhe policisë, që si pasojë solli dhjetëra të lënduar si nga protestuesit ashtu edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG