Ndërlidhjet

Programi qeverisës, shpresë për zhvillim ekonomik


Objektivat kryesore të programit qeverisës për mandatin katërvjeçar të prezantuara të mërkurën nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, iu përgjigjen nevojave të qytetarëve të Kosovës dhe ekonomisë së vendit.

Zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, të paraqitura si prioritet në programin qeverisës, sipas ekspertëve është një shpresë për qytetarët se gjendja ekonomike dhe sociale e tyre do të përmirësohet gjatë periudhës katërvjeçare.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se vënia e zhvillimit ekonomik prioritet në agjendën politike është një gjë e mirë që po ndodhë në Kosovë.

“Plani i qeverisë i prezantuar një ditë më parë, është një program i cili përkon me nevojat e qytetarëve dhe fatbardhësisht prioritet numër një më në fund e kemi zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës, gjë për të cilat Kosova ka nevojë. Programi qeverisës e ka edhe planin kohor për zbatimin dhe realizimin e tij, pasi që në të kaluarën kemi pasur plane ambicioze dhe nuk kanë qenë të kornizuara në afatin kohor dhe në këtë mënyrë ka pasur mundësi për ikje nga përgjegjësia”, ka theksuar Gashi.

I pyetur se sa mund të jetë i realizueshëm ky program i qeverisë në rrafshin ekonomik, eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi thotë se mbetet të shihet, pasi që është ende herët të flitet.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka bërë të ditur poashtu se në konferencën e donatorëve që do të mbahet me 6 mars të këtij viti, do të prezantohen edhe disa projekte, të cilat siç ka thënë kryeministri Mustafa, do të bëhen të ditura pas takimeve që do të kenë në përfaqësuesit e bizneseve.

Lidhur me këtë, eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thekson se projektet që duhet të prezantohen para donatorëve, duhet të jenë projektet që zhvillojnë ndërmarrjet e vogla dhe te mesme,sektori i bujqësisë dhe i energjisë.

“Sektorë tjerë që duhet të prezantohen para donatorëve duhet të jetë inkurajimi i investimeve në sektorin e minerave dhe mineraleve, pasi që këto dy sektorë nuk janë duke dhënë kontributin e tyre për rritjen e Bruto Produktit Vendor dhe për përmirësimin e bilancit tregtarë më botën e jashtme. Fuqizimi i këtyre dy sektorëve do të ndikojë në përmirësimin e bilancit tregtare me botën e jashtme, i cili aktualisht është mjaft negativ”, thekson Gashi.

Programi qeverisës, sipas kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, do të ketë projekte të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e ambientin afarist.

Në parashikimet afatgjate, Mustafa ka premtuar që brenda gjashtë muajve do të hartohet edhe strategjia kombëtare për zhvillim për periudhën 2015 - 2020.

Përfaqësuesit e biznesit në Kosovë, në anën tjetër, vazhdimisht kanë kërkuar nga ekzekutivi që në programin qeverisës të përfshihet një pako fiskale e cila do të krijonte lehtësira për sektorin e prodhimtarisë në vend.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa fuqizim të sektorit të prodhimit në vend.

“Ajo çka do të duhej të përmbante ky program, përfundimisht është një pako të lehtësirave fiskale, e cila do të mundësonte fuqizimin e sektorit të prodhimtarisë në vend dhe mundësinë e futjës së investimeve të reja, jo vetëm të huaja, por edhe rritjen e investimeve vendore”, kishte theksuar Zeka.

Ndryshe, Qeveria e kaluar kishte pasur një dokument i quajtur "Vizioni i zhvillimit ekonomik të Kosovës për periudhën 2011-2014”.

Rritja ekonomike deri në 10 për qind, ulja e varfërisë dhe shumë synime të tjera që ishin paraparë të arrihen gjatë kësaj periudhe, nuk ishin realizuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG