Ndërlidhjet

Mbrojtja ligjore e burimit të informacionit


Projektligji për përgjimet elektronike, i cili për dy herë radhazi nuk u miratua në Kuvendin e Kosovës, tani ka pësuar disa ndryshime. Versioni aktual ka përfshirë ndryshimet që mbron burimin e informacionit në gazetari, gjë e cila ishte vënë në rrezik në të kaluarën.

Në dy nenet e propozuara nga shoqëria civile, (neni 4 dhe 7), thuhet mes tjerash se burimet e informacionit mbrohen me ligj dhe ndalohet zbulimi i burimeve nëpërmjet përgjimit.

Shkelqim Hysenaj nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, tha se asociacioni dhe shoqëria civile, në asnjë mënyrë nuk do ta pranojnë ndonjë ndryshim eventual që mund t’i bëhet ligjit nga kushdo qoftë, sikur që ka ndodhur në të kaluarën.

“Kemi një porosi të qartë për qeverinë, ashtu edhe për deputetët e komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, që mos ta ndryshojnë përmbajtjen e këtij projektligji, sepse në të kaluarën ka ndodhur dy herë që të ndryshohet përmbajtja, pavarësisht rekomandimeve që kanë dhënë shoqëria civile dhe organizatat e gazetarëve”, tha Hysenaj, në tryezën e organizuar nga grupi për Studime Juridike dhe Politike në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, me temë "Mbrojtja e burimit të informacionit të gazetarëve me ligjin e ri të përgjimeve”.

Ligji për përgjimet elektronike është ndër ligjet me prioritet për Qeverinë e Kosovës dhe bënë pjesë në pakon e ligjeve për liberalizimin e vizave në zonën Schengen të Bashkimit Evropian.

Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, tha se projektligji në fjalë, ashtu siç është tani. ka marrë përkrahjen për miratim nga mekanizmat e sigurisë së Kosovës.

“Ne, si deri tani që e kemi mbrojtur këtë ligj, do të vazhdojmë ta mbrojmë sepse ligji duhet të jetë instrument i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe jo të shihet si instrument i tkurrjes së të drejtave të tyre".

"Në asnjë mënyrë nuk guxojmë të krijojmë arsye për shqetësime shtesë, sepse kemi mjaft probleme. Problemi i fundit tash që na duhet është të ndërtojmë dhe një shqetësim rreth përgjimit”, tha Ilazi.

Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, anëtar i Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, theksoi se projektligji i cili është duke qarkulluar aktualisht me ndryshimet e bëra, nuk do të jetë problem që të miratohet në Kuvend. Në të kundërtën, sipas tij, ai do të kthehet serish në qeveri.

“Kjo fushë e diskutueshme del që më në fund do të rregullohet ashtu që mos të ketë frikë asnjë qytetar, asnjë gazetar, asnjë njeri, që një pjesë e pushtetit mund të ndërhyjë në jetën e njerëzve dhe që ta keqpërdorë atë për motive të ndryshme. Ka ende qendra jo legale që i keqpërdorin institucionet publike, e këtu direkt dua të them se keqpërdorin edhe fushën e telekomunikimeve”, tha Deda.

Kosova pritet të ketë ligjin për përgjimin e telekomunikimeve, i cili do t’u mundësojë autoriteteve përgjegjëse që të kenë të drejtë të përgjojnë çdo komunikim të qytetarëve, përfshirë thirrjet, mesazhet, dhe forma të tjera të komunikimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG