Ndërlidhjet

Kosova e (pa) varur nga ICMP


ICMP

Zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur në Kosovë, thonë se mostrat nga i ashtuquajturi “Rasti i Çabratit”, janë dërguar për verifikim në Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, për të verifikuar nëse ka pasur përzierje të mbetjeve mortore tek rastet, për të cilat është dyshuar.

Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, thotë për Radion Evropa e Lirë se në tetor të vitit të kaluar, nga Departamenti i mjekësisë Ligjore janë zhvarrosur mbetjet mortore të 14 rasteve, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se mbetjet mortore kanë qenë të përziera.

Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, kanë paralajmëruar mundësinë e një marrëveshjeje të re bashkëpunimi.

Luigj Ndou, zyrtar politik për Kosovën, i Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky komision është duke e ndryshuar strategjinë, si një organizatë, e cila, siç ka thënë ai,“tani merret në nivel global me çështjen e personave të zhdukur dhe jo vetëm me konfliktet”.

Gjithashtu, sipas Ndout, interesimi i donatorëve për Ballkanin perëndimor, po ndryshon dhe se në këtë kuadër “duhet parë edhe çështja e bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe arritjes së një standardi qëndrueshmërie me institucionet e Kosovës”.

Sipas Ndout, një marrëveshje e re me institucionet e Kosovës, nuk e përjashton mundësinë që këto të fundit ta financojnë ICMP-në për analizat laboratorike për rastet që dërgohen nga Kosova.

“Ne, në këtë drejtim jemi duke bashkëpunuar me Qeverinë dhe duke parë modalitetet e bashkëpunimit në të ardhmen. Nuk mund ta përjashtoj as këtë mundësi. Kjo tani do të varet nga disponimi edhe i donatorëve tjerë, të deritanishëm të ICMP-së dhe nga disponim i tyre për Ballkanin perëndimor".

"Por, nuk e përjashtojmë mundësinë që ne të bëjmë një marrëveshje teknike me institucionet e Kosovës, jo vetëm për këtë fushë, por edhe për çështjen e personave të zhdukur”, ka theksuar Ndou.

Në anën tjetër, Kushtrim Gara, zyrtar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se Qeveria e Kosovës e ka të pamundur ta kompensoj punën e deritashme të ICMP-së në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur , si pasojë e luftës në Kosovë dhe të cilën, ICMP e ka bërë pa asnjë kompensim.

Por, siç thotë ai, në rrethanat e reja, në të cilat gjendet edhe ICMP, Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat për një marrëveshje të re me të.

“Është e vërtetë që edhe ne, së bashku me ICMP, kemi vlerësuar si të nevojshme fillimin e procedurave për një marrëveshje të re bashkëpunimi, e cila para së gjithash, do të reflektonte mbi zhvillimet e fundit të krijuara".

"Për një gjë, duhet të jemi të sigurt të gjithë, sepse - siç kemi pasur rastin e fundit, përkatësisht “rastin e Qabratit’, por edhe rastet tjera të mostrave të dërguara nga Kosova - bashkë me ICMP-në jemi shumë të përkushtuar dhe insistojmë që asnjë rast i mbetjeve mportore që është proceduar nga territori apo nga Republika e Kosovës, të mos mbetet pa rezultat si pasojë e mungesës së mjeteve financiare”.

Megjithatë, çfarë nëse Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, selia e të cilës në regjionin e Ballkanit perëndimor ndodhet në Sarajevë, vendos eventualisht që të largohet nga regjioni?

Ndou thotë se ICMP, ka paraparë që një gjë e tillë edhe mund të ndodhë..

“Ideja jonë dhe insistimi jonë gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë që, pasi që institucionet ndërkombëtare të largohen nga Kosova, të ketë institucione të qëndrueshme që do të merren me procesin, sepse është shumë e qartë që ky proces nuk mund të zgjidhet për një kohë shumë të shkurtë dhe do të duhet kohë që, edhe pasi që ICMP të largohet dhe pasi që institucionet tjera të largohen, institucionet e Kosovës do të ballafaqohen dhe do të vazhdojnë të ballafaqohen me këtë problem”.

Por, a kanë institucionet e Kosovës, tash për tash, mekanizma dhe kuadro, të cilat mund të jenë të gatshme ta marrin mbi vete punën që e kryen ICMP-ja, pas largimit të saj eventual nga regjioni?

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, vlerëson se Kosova nuk i ka ato mundësi tash për tash, por krjimi i këtyre mundësive, sipas tij është i domosdoshëm.

“Kosova duhet t’i arsimojë kuadrot, duhet të krijojë laboratorin. Në qoftë se ekziston laboratori në Agjencinë e Forenzikës, atëherë, të fuqizohen njerëzit, të trajnohen të tillët".

"Normalisht, ne e dimë edhe nga më herët se shumica e njerëzve apo ekspertëve të tillë, pas shkollimit, për shkak të pagave të vogla ata po ikin. Duhet ta pranojmë edhe këtë çështje. Thjeshtë,duhet të kemi një qasje, një strategji afatgjate, ku njerëzit duhet të ruhen”.

Ndryshe, Gara ka theksuar se strategjia e Qeverisë së Kosovës në raport me këtë çështje , do të bazohet mbi strategjinë dalëse të ICMP-së dhe se ekzistojnë disa mundësi që duhet shqyrtuar pas tërheqjes eventuale të ICMP-së.

Megjithatë, ai e quan të pafavorshëm faktin e mungesës së ekspertëve të nevojshëm, për tu angazhuar në institucione kompetente apo laboratore, për analizat e nevojshme për zbardhjen e identitetit të personave të zhdukur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG