Ndërlidhjet

FIBA nxjerr basketbollin e Kosovës nga izolimi


Ilustrim
Ilustrim

Federata e Basketbollit e Kosovës është anëtarja më e re e Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit – FIBA.

Përfaqësuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës kanë njoftuar se Komiteti Ekzekutiv i FIBA-s, një ditë më parë ka vendosur që Kosovën ta pranojë anëtare të saj me të drejta të barabarta.

Federata e Basketbollit të Kosovës për të qenë pjesë e kësaj federate kishte aplikuar në muajin shkurt dhe pas shqyrtimit të aplikacionit nga FIBA, ka ardhur edhe përgjigjja pozitive.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, thotë për Radion Evropa e Lirë, se anëtarësimi në këtë federatë ndërkombëtare është historik për Kosovën dhe shumë i rëndësishëm për zhvillimin e basketbollit të Kosovës.

“Mendoj se kjo na mundëson të dalim nga izolimi - së pari ata, të cilët duhet të kalojnë dijen te gjeneratat e reja, te basketbollistet, siç janë trajnerët, por edhe gjyqtarët - të kenë qasje të plotë në të gjithë mekanizmat e trajnimit dhe të shkollimit, të cilët i ofron FIBA. Por, natyrisht edhe përfaqësueset tona dhe klubet tona do të mund të maten në nivelin ndërkombëtar dhe realisht të shohim çfarë është forca reale e basketbollit kosovar”, thotë Belegu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, anëtarësimi në FIBA është akt që shënon kurorëzimin e përpjekjeve që zgjatën me dekada, por edhe fillimin e një epoke të re, asaj të fuqizimit të basketbollit në Kosovë.

Pranimi në FIBA, nuk është vetëm privilegj, është edhe obligim. Ne, në Federatën e Basketbollit një kohë të gjatë të gjitha aktet tona normative janë në përputhshmëri me FIBA-n. Ky ka qenë edhe kusht për pranim. Në anën tjetër, garat te ne zhvillohen në bazë të rregullave të FIBA-s. Nëse kemi pasur ndonjë lëshim aty-këtu tash obligohemi që të gjitha gjërat t’i respektojmë dhe natyrisht që përgjegjësia shkon te klubet”, sqaron Belegu.

Lajmin për anëtarësimin e FBK-së në FIBA e kanë mirëpritur të gjithë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, kryeministri dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të Kosovës, i kanë uruar sportistët me rastin e kësaj ngjarje.

Ministri i Kulturës dhe Sportit, Kujtim Shala, kanë thënë se pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, pranimi i FBK-së në FIBA shënon pranimin më të rëndësishëm që ka ndodhur në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës.

Por, profesionistët e basketbollit thonë se tash Kosovën e presin detyra të mëdha.

Mithat Belegu, gjyqtar ndërkombëtar i basketbollit, thotë se sikur basketbollistët, klubet dhe vetë mekanizmat e tjerë sportiv, i pret një punë e madhe.

“Ne tash jemi të anëtarësuar në FIBA. Mirëpo, duke i njohur rrethanat, ende nuk jemi në gjendje që në mënyre të barabartë të bëjmë gara me shtete anëtare të FIBA-s. Në planin e brendshëm duhet punuar tepër shumë. Së pari shteti duhet të qëndrojë pas sportit".

"Pa ndihmën e shtetit, sportet nuk mund t’i arrijnë qëllimet dhe synimet, të cilat i kanë. Duhet të punojmë shumë në infrastrukturë. Duhet të punojmë shumë edhe në aftësimin e kuadrove, lojtarëve. Me kuadrin e trajnerëve nuk mund të jemi (në nivel) të kënaqshëm”, shprehet Mithat Belegu.

Profesionistët e basketbollit dhe vetë drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, deklarojnë se krahas shumë prioriteteve që duhet të kenë institucionet e vendit për sportin, ligji për sponsorizimin e sporteve është më se i domosdoshëm që të miratohet sa më parë.

Pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, sportistëve të Kosovës iu është bërë e mundur pjesëmarrja në të gjitha aktivitetet që organizohen nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Komiteti Olimpik Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG