Ndërlidhjet

Rezolutë për hetim ndërkombëtar të vrasjes së Nemtsovit


Parlamenti Evropian
Parlamenti Evropian

Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar hetime të pavarura ndërkombëtare për vrasjen e politikanit opozitar rus, Boris Nemtsov.

Në rezolutën me tone të ashpra kritike, të miratuar të enjten vonë, ligjvënësit evropianë kanë vlerësuar se vrasja e Nemtsovit ishte “vrasja më indikative politike në historinë aktuale të Rusisë” dhe kanë tërhequr vërejtjen se propaganda e Kremlinit po e shndërron Rusinë në “shtet të represionit, shprehjes së urrejtjes dhe frikës”.

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, e ka hedhur poshtë këtë rezolutë, duke sugjeruar se hetimi rus është i mjaftueshëm, raportoi AP.

“Këtu është Rusi dhe ne do të vazhdojmë hetimin, që po udhëhiqet nga organet dhe shërbimet speciale dhe ato për zbatimin e ligjit, që janë të parapara me legjislacionin rus”, tha Peskov.

Kjo rezolutë u miratua, derisa anëtari i Këshillit për të drejtat e njeriut i Kremlinit, Andrei Babushkin, është marrë në pyetje nga hetuesit rusë, pasi e kishte vizituar personin, Zaur Dadayev, dhe dy të tjerë, të akuzuar për vrasjen e Boris Nemtsovit, në burgun Lefortovo në Moskë.

Babushkin, pas vizitës së tij më 11 mars, tha se kishte shenja se Dadayev ishte torturuar për ta pranuar fajësinë dhe se ai i kishte parë “disa plagë” në trupin e Dadayevit.

Babushkin, po ashtu, tha se oficerët e Komitetit Hetus të Rusisë i kanë thënë se ai ndoshta më nuk do të mund t’i vizitoj të dyshuarit në këtë rast, pasi ai është dëshmitar.

Yeva Merkachyova, reportere e gazetës ruse, Moskovsky Komsomolets (MK), e cila i ka vizituar të dyshuarit, së bashku me Babushkinin, po ashtu është marrë në pyetje si dëshmitare.

Gazeta dhe Merkachyova e kanë nënshkruar një përkushtim për të mos zbuluar informacione për këtë rast, por gazetares nuk i është thënë se asaj nuk do t’i ndalohet vizita e të dyshuarve.

Më 11 mars, gazeta MK e ka publikuar një raport të bazuar në vizitën e gazetares Merkachyova, në të cilin citohet Dadayev, që ka thënë se ai e kishte pranuar fajësinë, pasi i ishte thënë se një person, që ishte arrestuar së bashku me të, do të lirohej nëse ai e pranon fajësinë.

Dadayev kishte sugjeruar se ishte frikësuar se nëse nuk e pranon fajësinë, atëherë ai person do të mund të vritej.

Në raport është cituar edhe një person tjetër i dyshuar që ka thënë se ishte “torturuar”.

Dadayev, ish-polic në rajonin e trazuar në Çeçeni, është njëri nga pesë të akuzuarit e arrestuar, për vrasjen e Boris Nemtsovit, kritik i zëshëm i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Vrasja është bërë më 27 shkurt, afër selisë së presidencës së Rusisë.

Në një dëgjim në një gjykatë në Moskë më 8 mars, një gjyqtare tha se Dadayev e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e Nemtsovit para hetuesve, por ai nuk e kishte pranuar fajësinë në gjykatë.

Komiteti Hetues i Rusisë më 11 mars ka njoftuar se Babushkin dhe Merkachyova e kanë shkelur ligjin duke zbuluar detaje për takimet e tyre me të dyshuarit dhe mund të ballafaqohen me ndjekje ligjore.

Boris Nemtsov, 55 vjeçar, është qëlluar me katër plumba në shpinë, derisa shetiste me dashnoren e tij nga Ukraina, përgjatë një ure, afër Sheshit të Kuq në Moskë, pak para mesnatës.

I ndjeri Nemtsov është politikani më i njohur në Rusi, që është vrarë prej viteve të 90-ta. Ai i ka udhëhequr protestat, ka publikuar raporte me të cilët janë paraqitur dyshime për korrupsion në mesin e aleatëve të presidentit Putin, dhe zëshëm e ka kundërshtuar mbështetjen e Moskës për separatistët në Ukrainë.

Në këtë konflikt ndërmjet separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare të Ukrainës, prej muajit prill të vitit të kaluar, janë vrarë më se 6 mijë njerëz.

Vrasja e Nemtsovit paraqet rrezik për rusët, që e sfidojnë qeverinë dhe ajo ka shkaktuar thirrje nga perëndimi për hetime gjithëpërfshirëse. Kolegët e Nemtsovit të ndjerë kanë shqetësime se një gjë e tillë nuk do të ndodhë pasi ato mund të çojnë deri afër Kremlinit.

Zhanna Nemtsova, vajza më e madhe e Boris Nemtsovit, më 12 mars i tha BBC-së se Putini është për tu fajësuar “politikisht” për vrasjen e babait të saj.

Duke folur nga Italia, Nemtsova, 30 vjeçare, tha se babai i saj ishte “kritik i Putinit, ai luftoi me Putinin, e me askend tjetër”.

“Pas vdekjes së tij, opozitës i është prerë koka dhe çdokush është i frikësuar”, tha Zhanna Nemtsova.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG