Gjendja në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që nga rifillimi i punës pas luftës, e deri më sot, në vazhdimësi është kritikuar nga komuniteti i artistëve, por edhe jashtë tij.
Kritikat kryesisht janë adresuar dhe vazhdojnë të adresohen për menaxhim jo të mirë të teatrit, mungesë të shfaqjeve kualitative dhe që tërheqin shikues, e deri te kritikat për ndikimet e grupeve të artistëve për interesa të tyre, si dhe ndikimet politike dhe të burokracisë në menaxhimin e këtij institucioni kulturor.
Në rubrikën e përjavshme të Radios Evropa e Lirë, “Fokus”, disa nga ata që kanë pasur role drejtuese dhe të menaxhimit në Teatrin Kombëtar të Kosovës, flasin për situatën që ka mbretëruar deri më tash në këtë teatër, si dhe situatat, me të cilat që janë përballur, duke mos kursyer as kritikat për kolegët dhe institucionet qeveritare përgjegjëse për kulturën.
Së fundmi, në Teatrin Kombëtar të Kosovës është ndërruar përbërja e Këshillit drejtues të këtij teatri. Kjo më pas ka rezultuar edhe me shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të deritashëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Valdet Avdiu.
Jeton Neziraj, kryetar i Këshillit drejtues të TKK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendja në Teatrin Kombëtar të Kosovës, është gjetur e rëndë, si në aspektin e shfaqjeve, ashtu edhe në aspektin e menaxhimit. Nisur nga kjo, sipas tij, është dashur të gjendet një zgjidhje.
“Zgjidhja ka qenë shkarkimi i dy drejtorëve, atij artistik dhe të përgjithshëm, në mënyrë që të fillojmë prej një situate, ku ne shpresojmë se ka për të pasur zhvillim në drejtimin që Bordi i ri konsideron se mund të shkojë zhvillimi”, thotë Neziraj.
Por, drejtori i deritashëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Valdet Avdiu, duke folur për Radion Evropa e Lirë, lidhur me shkarkimin e tij, ka shprehur mendimin se është veprim politik.
Kjo, sipas tij, ka pasuar pas ndërrimit të Këshillit drejtues të Teatrit të Kosovës dhe emërimit të përbërjes së re nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.
“Vendimi për shkarkimin tim ishte një vendim kryekëput politik. Faktikisht, unë akuzohem për keq-menaxhim të buxhetit, ndërkaq, në anën tjetër, faktikisht, Teatri Kombëtar i Kosovës nuk e menaxhon buxhetin e vet. Teatri Kombëtar i Kosovës është krejtësisht i varur nga burokracia e Ministrisë së Kulturës dhe në këto kondita, je gjithçka, por jo edhe menaxher”, deklaron Avdiu.
A ka dhe a ka pasur ndikime politike në Teatrin Kombëtar të Kosovës?
Ish-drejtorët e këtij teatri japin mendime të ndryshme.
Paraardhësja e Valdet Avdiut, në postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berisha, kishte filluar të drejtojë Teatrin Kombëtar të Kosovës në fillim të nëntorit të vitit 2009 dhe detyrën e ka dorëzuar pas përfundimit të mandatit të plotë, më 8 mars të vitit 2013.
Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kohës sa e ka udhëhequr teatrin, janë ndërruar tre ministra në Ministrinë e Kulturës, Valton Beqiri, Lutfi Haziri, të dy nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe Memli Krasniqi, nga Partia Demokratike e Kosovës.
Megjithatë, siç thotë ajo, nuk ka pasur presione politike të drejtpërdrejta. Sipas saj, më tepër ka pasur presione nga artistë, aktorë dhe regjisorë, të cilët kanë synuar të jenë të pranishëm në skenën e këtij teatri.
“Unë dua ta vlerësoj se tre drejtorë, pas luftës, e kanë përfunduar mandatin deri në fund. Është: Lirak Çelaj, Teki Dervishi dhe unë. Të tjerët kanë qenë në pozitën drejtor për 6 muaj ose rreth 8 muaj dhe më pas kanë dhënë dorëheqje, si dhe shpeshherë janë thirrur në atë se kanë pasur presione politike. Unë nuk besoj në presionet politike, por besoj në pafuqinë e tyre për ta menaxhuar teatrin”, shprehet Berisha.
Paraardhësi i Berishës, në krye të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Arian Krasniqi, është zgjedhur drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, në gusht të vitit 2008. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ka dhënë dorëheqje nga ky post pas një viti, për shkak të presioneve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Kam dhënë dorëheqje në vjeshtën e vitit 2009 për shkak të raporteve me Ministrinë e Kulturës, përpjekjeve për ndërhyrje politike, shtimin e burokracisë administrative nga ana e ministrisë dhe mungesës së mbështetjes nga institucionet e Kosovës për teatrin”.
“E kam parë në atë kohë që projekti im për menaxhim dhe ndryshime në Teatrin Kombëtar të Kosovës nuk po realizohet në masën që unë kam dashur dhe rrezikoheshin të devalvoheshin edhe ato pak të arritura që i kishim bërë për një vit”, thekson Krasniqi.
Ndryshe, tash së fundmi, pas shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Valdet Avdiu, Lumnije Muçaj-Sopi është emëruar nga Këshilli drejtues i këtij teatri, si ushtruese e detyrës së drejtorit.
Muçaj-Sopi, thotë për Radion Evropa e Lirë se detyrën e ka pranuar për shkak se e kanë emëruar kolegët dhe jo Ministria e Kulturës.
“Kam vendosur të them po, sepse kjo ka qenë zgjedhja e kolegëve të mi, anëtarëve të Bordit. Unë jam në teatër prej një kohe shumë të gjatë, gati 31 vjet, kështu që nuk ka qenë problem i madh të them po. Punën do ta bëjmë të gjithë bashkë. Unë jam vetëm emër që do të jem këtu për t’i përcjellë vendimet që do t’i marrim bashkë”, thotë Muçaj-Sopi.
Ndryshe, të gjithë këta drejtues të deritashëm dhe të tashëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pajtohen në një pikë - që gjendja në këtë teatër është e rëndë dhe se ajo me vite ka devalvuar.
Po ashtu, pajtohen se kjo gjendje kërkon ndryshime pozitive. Megjithatë, në vazhdimësi, nëpër vite, secila garniturë udhëheqëse në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ka fajësuar garniturën paraprake për gjendjen e rëndë në teatër.
Gjithashtu, ata kanë theksuar se ka ndikime të politikës në këtë teatër, ashtu sikurse edhe emërimet e udhëheqjes së teatrit që, sipas tyre, janë politike.
Ish-drejtori Valdet Avdiu insiston se shkarkimi i tij ka qenë politik dhe se gjëra të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë:
“Kryekëput, ndikim politik. Vjen një ministër dhe dëshiron pikërishtt’i ‘rehatojë’ paramilitarët politik ose edhe paramilitarët e artit, njerëzit që artin ose institucionet kulturore e shohin si shërbim bankar. Klanet që ekzistojnë sot në komunitetin kulturor, ata janë pikërisht gangrena e kulturës në Kosovë”.
Në anën tjetër, kryetar aktual i Këshillit drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Neziraj, ka qenë drejtor artistik i këtij teatri nga viti 2008 deri në vitin 2011.
Sipas tij, puna që kishte bërë gjatë kësaj kohe, ishte argument që ai të rizgjidhej edhe për një mandat, por sipas tij, ndikimet politike e kishin bllokuar këtë.
Por, aktualisht, rikthimi i tij në Teatrin Kombëtar të Kosovës, si kryetar i Këshillit drejtues, a është bërë me ndikim politik?
Neziraj thotë se dikush mbase edhe mund ta shohë në këtë mënyrë:
“Mund të quhet si kthim politik, por dallimi është se unë vij prej fushës së teatrit dhe kontributi im është në të. Ka njerëz që mund ta mohojnë, por nuk mund të mohohet fakti se unë jam aktiv në fushën e teatrit”.
Ndryshe, deri më tash, në vazhdimësi, zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në mandatet e kaluara, patën mohuar përzierjen e politikës në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Pavarësisht përpjekjeve dhe insistimit të Radios Evropa e Lirë për të marrë opinionin dhe qëndrimin e zyrtarëve të tanishëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, lidhur me shqetësimet e artistëve të teatrit, ata nuk janë përgjigjur.
Ndërkaq, Neziraj thekson se udhëheqja e re e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në të ardhmen, duhet të këmbëngulë dhe të jetë kokëfortë në atë që situata në këtë institucion të përmirësohet.
Sipas tij, rreziku i ndikimit të politikës në teatër është i vazhdueshëm, për shkak se, siç thotë ai “ rrënjët e këtij mentaliteti dhe bashkëdyzimit të politikës me teatrin, janë të thella”.