Ndërlidhjet

Për 50 ditë, IS ka kryer 72 ekzekutime në Siri


Militantët e Shtetit Islamik në Siri, sipas aktivistëve, i kanë ekzekutuar 72 persona gjatë 50 ditëve të fundit.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut me bazë në Londër (SOHR), tha se është në gjendje të dokumentojë vrasjet e 103 personave nga fraksione të ndryshme ekstremiste që nga fillimi i këtij viti, në mesin e të cilave edhe katër gra.

Shtatëdhjetedy nga këto vrasje, sipas monitoruesve, janë kryer nga militantët e Shtetit Islamik, ndërsa pjesa tjetër nga fraksione të ndryshme terroriste, përfshirë edhe grupin Jabhat al-Nusra.

Një gjykatë e Sheriatit në qytetin Haritan në provincën Aleppo, e cila ka lidhje me një grup islamik të drejtuar nga një çeçen, është përgjegjëse për gjashtë nga vrasjet, të cilat nuk janë kryer nga Shteti Islamik.

Shteti Islamik, sipas SOHR-it, i ka kryer vrasjet në stilin e ekzekutimeve dhe atë pasi që i ka akuzuar personat se janë banditë, se janë homoseksualë, se e kanë fyer Perëndinë, se kanë përvetësuar, se kanë përdhunuar një fëmijë, për spiunim, për fyerje ndaj Profetit Muhamed, për kontrabandim të cigareve dhe alkoolit, për tradhti ndaj grupit, etj.

Në mesin e viktimave ka sirianë, si dhe luftëtarë të huaj, përfshirë edhe dy rusisht-folës, njëri nga të cilët besohet se ka prejardhje kazake.

Dy burrat rusisht-folës, me sa duket janë qëlluar për vdekje nga një fëmijë i militantëve, i cili më pas doli se është kazak.

Dy burrat janë akuzuar se janë spiunë të Shërbimit Federal rus të Sigurisë.

Militantët i kanë kryer ekzekutimet duke përdorur metoda të ndryshme, ndërsa zakonisht ato janë kryer në sheshe publike, në praninë e dhjetëra dëshmitarëve, përfshirë edhe fëmijët.

Sipas SOHR-it, në disa raste viktimat janë veshur me rroba ngjyrë portokalli.

Disa nga viktimat janë hedhur nga objektet e larta, të tjera janë torturuar, janë vrarë me gurë, por ka edhe nga ata që u janë prerë kokat.

Ekzekutimi i fundit që është dokumentuar nga SOHR-i është ai i 18 shkurtit kur një burrë u vra pasi që u akuzua për banditizëm. Ngjarja ka ndodhur në jug të Qamishlit, në provincën Hasakah të Sirisë.

Njëra nga vrasjet më të tmerrshme të dokumentuara, ka ngjarë në Hasakah më 27 janar, ku një burrit i është hequr koka pasi që është akuzuar për “fyerje ndaj Perëndisë”.

Sipas SOHR-it, viktimës i është prerë koka para një numri të madh të njerëzve, përfshirë edhe fëmijë, të cilët me telefonat e tyre e kanë incizuar ekzekutimin.

Viktimës nuk i janë mbyllur sytë, por është detyruar të qëndrojë me kokë të ulur e me shikim poshtë.

Njëra nga rastet kur një viktime i është prerë koka ka ngjarë më 8 shkurt në qytetin Manbij. Militantët e Shtetit Islamik ia kanë prerë kokën një burri për shkak se ka kryer “krim” duke e “fyer Profetin Muhamed”.

Teksa shumica e vrasjeve të kryera në Siri, sipas SOHR, janë kryer nga Shteti Islamik, 31 të tjera janë vrarë nga grupe të tjera përfshirë edhe Jabhat al-Nusra.

Ndryshe nga IS, i cili preferon torturimet e heqjet e kokave, grupet tjera i kanë vrarë njerëzit kryesisht përmes të shtënave.

Megjithëkëtë, SOHR-i ka dokumentuar se Jabhat al-Nusra është përgjegjës për torturimin deri në vdekje të një personi që po mbahej në një burg të drejtuar nga grupi.

Pas maltretimeve, ky burrë nga Idlibi ka vdekur më 1 shkurt, derisa gjashtë ditë më vonë nga torturimet ka vdekur një komandant i rebelëve.

Sipas SOHR, nuk është vetëm grupi militant Shteti Islamik që ka vrarë persona të akuzuar për homoseksualitet.

Aktivistët kanë dokumentuar vrasjen e një të riu në lagjen Al-Sha'ar të Alepppos nga ana e batalionit Abu Amara dhe nga gjykata lokale e Sheriatit. Ky i ri është vrarë duke u hedhur nga një kulm i një spitali.

Batalioni Abu Amara është një grup rebel me bazë në Aleppo, i cili ka luftuar së bashku me Jabhat al-Nusra.

Njëri nga luftëtarët e grupit ka thënë në vitin 2013, se nuk e kundërshtojnë vendosjen e ligjit islamik në Siri, por se grupi parapëlqen që një ligj i tillë të vendoset me pëlqimin e popullit.

Gjashtë nga vrasjet në stilin e ekzekutimit u kryen nga gjyqësori në qytetin Haritan të Aleppos.

Viktimat u akuzuan se janë pjesë e një qelize pro-Assad, të cilët iu kishin dhënë informacione forcave ajrore të Bashar al-Assadit.

Vrasje në stilin e ekzekutimit janë raportuar edhe nga një grup i udhëhequr nga një çeçen, grupi Jaish al-Muhajireen wal-Ansar.

Ata vranë njerëz me arsyetimin se një urdhër të tillë e ka dhënë një gjykatë e Sheriatit. (s.bajrami)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG