Ndërlidhjet

Prezantohet dokumenti evropian për Gjykatën speciale


Ministri i Drejtësisë i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, në dëgjimin publik para Komisionit për Legjislacion, mandate, imunitete, rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka shpjeguar ecurinë lidhur me çështjen “Gjykata speciale, procesi i përgatitjes së legjislacionit dhe kushtetutshmërisë së saj".

Lidhur me këtë çështje, ministri Kuçi ka prezantuar një dokument të Komisionit Evropian dhe ka theksuar se Gjykata speciale mund të jetë në Holandë, por ende nuk ka marrëveshje për një gjë të tillë.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë e matur që të mos ndërmarrë asnjë veprim që do të cenonte zbardhjen e drejtësisë dhe që do të pengonte funksionimin e Dhomave të specializuara, por me kujdesin që të ruhet juridiksioni i Kosovës mbi këto dhoma.

Kjo sipas tij, nënkupton që Gjykata Speciale ta ketë selinë në Kosovës me mundësinë që të zhvillohen shumica e procedurave brenda vendit. Megjithatë, ai ka theksuar se drafti i tanishëm nuk e garanton barazinë e të gjitha palëve në proces..

“Dokumentet kanë ardhur dhe janë hartuar nga BE-ja. Ne do të japim mendimet tona. Natyrisht se në këtë drejtim do ta japë mendimin secili, edhe qytetarët edhe ekspertë të tjerë. E para, pritet që ne, pasi të pajtohemi, them kështu, të dërgohen amendamentet kushtetuese për pëlqim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, pastaj, Ligji special të negociohet. Parashihet edhe një takim me 26 dhe 27 shkurt të këtij viti, si dhe, po ashtu, të kemi një marrëveshje me Holandën, lidhur me atë që ka të bëj edhe me ekstradimin, mbajtjen e personave pa procedurë dhe të tjera”.

Ministri Kuçi, shtoi se në fund pritet miratimi i ligjit, respektivisht amendamenteve kushtetuese dhe ratifikimi në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, dokumenti që është shkruar nga BE-ja nuk është ajo që ka dëshiruar dhe siç ka theksuar ministri Kuçi, po të shkruhej dokumenti nga ai, ai do të ishte më ndryshe.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Kjo është hipokrizi. Nëse nuk jeni për themelimin e kësaj Gjykate speciale, atëherë pse po merrni pjesë dhe pse nuk po e kundërshtoni fuqishëm këtë gjykatë speciale?”.

Lidhur me këtë, ministri Kuçi theksoi se vetëm po kryhen detyrat që kanë dalë si obligim nga 96 votat “për”, në Kuvendin e Kosovës.

Anëtari i Komisionit për legjislacion nga Lidhja demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, tha se për çështjen e Gjykatës speciale tashmë ekziston marrëveshja dhe kjo gjykatë duhet të themelohet.

“Mbi të gjitha, unë mendoj se ne nuk kemi nevojë të paragjykojmë dhe të parandalojmë diçka që tashmë është nënshkruar në marrëveshje dhe kërkohet edhe nga Këshilli i Evropës dhe miqtë ndërkombëtar”.

Ndryshe, ministri Kuçi është pyetur nga anëtarët e këtij komisioni se a mund të ndikohet për ndryshimin e bërthamës së dokumentit që do shndërrohet në projektligj.

Ai ka theksuar se vërejtjet duhet adresuar në presidencë, te grupi i ekspertëve, në Bashkimin Evropian, por edhe në opinion. Por, megjithatë, sipas tij, “nuk duhet krijuar iluzione se mund të bëhen ndryshime të mëdha”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG