Ndërlidhjet

Shtatë vjet shtet me sfida serioze


Edhe shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova dhe institucionet e saj, para vetes kanë shumë sfida si në rrafshin ndërkombëtar, poashtu edhe në atë të brendshëm.

Njohësit e zhvillimeve politike, konsiderojnë se ndër sfidat më të mëdha janë; Integrimi në Bashkimin Evropian, përmirësimi i imazhit, sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, njohjet e reja, luftimi i krimit dhe korrupsionit.

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike e Politike në Prishtinë, mendon se Kosova po rrezikon që të mbetet një vend që qytetarët e saj nuk kanë të drejtën për të jetuar me standarde bazike për një jetë normale.

“Vendi ynë projektohet si një vend i krimit, një vend ku qytetarët duan që të ikin nga ai dhe një vend në të cilin qeveria dhe institucionet nuk janë një produkt demokratik. Kurimi i këtij imazhi kërkon një përkushtim shumë më të madh qeveritar dhe kërkon angazhim konkret edhe diplomatik, por dhe politik”, tha Korenica.

Korenica konsideron se për këto vitt sa Kosova është e pavarur, institucionet nuk kanë dëshmuar se shteti është stabil dhe rrjedhimisht siç thotë ai, institucionet nuk kanë qenë në gjendje që të adresojnë objektivat që kërkohen nga Bashkimi Evropian.

“Mendoj se qeveria jonë dhe institucionet e ndjekjes së krimit do të duhej që seriozisht të dëshmojnë që më Kosova nuk guxon të mbetet vendi i fundit në rajon për nga përformanca dhe numrave sa i takon luftimit të dukurive negative".

"Këtu rol shumë të rëndësishëm ka edhe fakti që institucionet tona, ende nuk janë në gjendje që t’i nënshtrohen përgjegjësisë së publikut për përformancën e dobët, apo shumë të dobët që kanë deri me sot. Segmenti i dytë në kuptimin e brendshëm është dimensioni i zhvillimit ekonomik”, ka theksuar Korenica për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, analisti tjetër politik Ismail Hasani, thotë se Kosova në radhë të parë ka ngecur në zhvillimin ekonomik dhe kjo sipas tij është një nga sfidat më të mëdha që shteti nuk po mund t'i tejkaloj.

“Ngecjet në punësimin e njerëzve, problemet që janë të lidhura me shpërnguljet masive të cilat fatkeqësisht po i ndodhin Kosovës, ngecjet në njohjet ndërkombëtare të cilat tash më janë zhvendosur sa po shihet. Do të thotë gjithë ky spektër i problemeve dhe i sfidave me të cilat po përballet Kosova, bëjnë që përvjetori i shtatë të shënohet në mënyrë tepër të zbehur”, tha Hasani.

Analisti Ismail Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se sfidë për Kosovën mbeten raportet me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun politik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Sundimi i ligjit është sfida kryesore. Pastaj problemet që janë të lidhura me bisedimet, implementimi i marrëveshjeve me Serbinë. Njëkohësisht edhe problemet e tjera të cilat sfidojnë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, janë gjithë ai spektër i cili cenon reputacionin e Kosovës në rrethanat në të cilat po flasim”, Hasani.

Sido që të jetë, në analizat e instituteve ndërkombëtare, Kosova renditet në mesin e vendeve pjesërisht të lira, kurse në kuadër të hartës evropiane, ajo mbetet ende vendi më pak i zhvilluar ekonomikisht.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG