Ndërlidhjet

Projekt i ri për Teatrin e Operës dhe Baletit


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka konfirmuar lajmin se së shpejti do të ketë një projekt të ri për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Përderisa ideja për ndërtimin e një objekti të tillë kishte nisur në vitin 2006 dhe projekti kishte filluar për t'u realizuar në vitin 2009, me vënien e gurë themelit, puna për ndërtimin e tij pati ngelur në themel.

Vehbi Miftari, këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se ekzistojnë tri arsye për braktisjen e projektit të vjetër dhe synimin e projektit të ri.

Sipas tij, komisioni vlerësues i projektit, në të kaluarën, ka nxjerrë telashe të mëdha me akustikën e objektit, gjë që është thelbësore për veprimtarinë për të cilën parashihet objekti, si dhe probleme tjera teknike.

Poashtu, sipas tij, projektit të parë i ka kaluar afati ligjor, si dhe ai ka qenë me kosto rreth 30 milion euro, gjë që ishte dhe mbetet e papërballueshme për buxhetin e kësaj ministrie.

“Ne e kemi analizuar dhe kemi ardhur në përfundim se duhet projekt i lirë. Ndërkohë që edhe për lokacionin, kemi pasur disa takime me udhëheqjen e komunës (së Prishtinës) dhe kemi shqyrtuar mundësinë që vend ndërtimi i tij të mos jetë atje ku është sot e përcaktuar, pra, të Fakulteti Teknik, por të jetë diku në zonën ‘Qendër’, sepse kështu konstatojmë se lidhet më mirë edhe urbanikisht dhe ka korrespondencë edhe me institucionet tjera kulturore”.

Sipas Miftarit, një prej ideve është që objekti i Teatrit të Operas dhe Baletit të jetë në afërsi të Teatrit Kombëtar.

Ai theksoi se Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ndryshe nga projekti i parë, lidhur me projektin e dytë do të konsultohet me përfaqësuesit e institucionet kulturore që do t’i zhvillojnë aktivitetet në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit të Kosovës, institucion ky i cili aktualisht funksionon në objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se synimi për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit është lajm i mire. Ai shpreson se objekti i ri t’i përmbushë kërkesat e të dy institucioneve.

“Ne kemi nevojë të konsultohemi dhe kemi nevojë që t’i kemi hapësirat që i shfrytëzojnë, veç e veç, baleti dhe opera, dy skena dhe normalisht që t’i ketë secili institucion hapësirat e veta ku zhvillohen aktivitetet, ku lihen kostumet, ku lihet skenografia, zyrat e veta. Ka shume punë. Duhet të jetë një teatër goxha i madh dhe jo teatër në miniaturë”.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, thotë se sugjerimet e këtij institucioni kanë të bëjnë kryesisht me akustikën e nevojshme në objektin e ri.

“Ajo mund të duket ndërtesë shumë e bukur dhe mund të jetë e ndërtuar shumë moderne, por nëse aspekti akustik nuk funksionon, atëherë është krejtësisht e kotë. Ne po flasim për një sallë ku do të mbahen koncerte, operistike, simfonike dhe aspekti akustik është dominant, është kryesor”.

Por, sipas Miftarit, Ministria e Kulturës synon që projekti të jetë i përballueshëm për financim nga buxheti i Kosovës dhe është e sigurt që buxheti për të do të jetë dukshëm më i vogël, për shkak se vet objekti do të jetë shumë më pak i kushtueshëm.

“Nuk do të ketë aneksë shtesë ose sheshe për rreth, që do të ndërtoheshin dhe që do të nënkuptonin goxha shpenzime. Ne parashohim që t’i përfshijmë edhe institucionet, veprimtaria e të cilëve është e lidhur drejtpërdrejtë me këtë objekt dhe bashkë me ta do të shohim se cilat do të jenë përmasat e nevojshme, reale ose optimale për të garantuar aktivitet të pavarur të tyre, e më pas ne do të mund të flasim për buxhetin”.

Ndryshe, lidhur me teatrin e Operës dhe Baletit pritet që në muajin mars të nis projekti ideor, ndërkohë që në muajin prill edhe puna praktike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG