Ndërlidhjet

Arrestime të reja për protestën e 27 janarit


Prishtinë, 27 janar 2015
Prishtinë, 27 janar 2015

Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në protestën e fundit, të organizuar nga subjektet politike opozitare në Kosovë.

Autoritetet policore i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë se pas hetimeve të bëra, janë arrestuar disa persona si të dyshuar se kanë qenë të dhunshëm në protestën e 27 janarit, që eskaloi në përplasje të rrepta ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka deklaruar se Policia e Kosovës, lidhur me këtë çështje është duke vepruar në bazë të planit të saj hetimor.

"Policia ka arritur që të identifikojë edhe persona të tjera të dhunshëm dhe kuptohet, bazuar në proceduarat dhe në mandatin e saj ligjor që ka, si dhe në konsultim dhe koordinim të ngushtë edhe me Prokurorinë e Shtetit, ka arritur që të vazhdojë me arrestimin edhe të disa personave të dyshuar të mundshëm që janë sjellë para organeve të drejtësisë", ka konfirmuar Kelani për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se Policia e Kosovës ka për obligim që të bëjë hetime aty ku dyshohet se është përdorur dhuna.

Ai deklaroi se personat, të cilët kanë shkaktuar dhunë, duhet të ndiqen penalisht.

"Policia duhet t'i identifikojë personat përmes fotografive, incizimeve dhe dëshmive të tjera edhe t'i sjellin në Prokurori. Pa prova ne nuk mund të fillojmë ndjekjet penale", ka theksuar Beka.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje pikërisht për këtë çështje të dielën ka mbajtur një konferencë për media.

Përfaqësuesit e Vetëvendosjes, kanë thënë se policia ka arrestuar dhjetëra persona, 8 prej të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas Vetëvendosjes, policia gjatë këtyre bastisjeve është duke i keqtrajtuar qytetarët.

Visar Ymeri, deputet i Kuvendit të Kosovës nga ky subjekt politik, ka theksuar se dhuna e policisë gjatë dhe pas protestës së fundit, tregon për panikun që ka Qeveria.

"Përndjekja e qytetarëve para, gjatë dhe pas protestës, do të thotë ndalim i të protestuari.“Por, kjo shkon ndesh me deklaratat formale të udhëheqësve institucionalë dhe politikë të Kosovës, të cilët po thonë që qytetarët kanë të drejtë të protestojnë. Ndërkohë, me veprimet e veta e kanë nxitur policinë kundër qytetarëve që protestojnë. Ata, në fakt, po e mohojnë një të drejtë elementare të njeriut, e sanksionuar kjo në Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut, por edhe në Konventën Evropiane", ka thënë Ymeri.

Ai ka thënë se, për dalim nga qytetarët që janë keqtrajtuar dhe po keqtrajtohen, deri më tash nuk është raportuar të jetë dënuar apo të jetë vendosur nën masa disiplinore për eskalimin e dhunës ndaj qytetarëve ndonjë pjesëtar i policisë.

"Kjo tregon që, në fakt, policia ka qenë e urdhëruar nga pushteti të sillet si e tillë", është shprehur Ymeri.

Në ditën e protestës janë arrestuar rreth 160 persona pjesëmarrës në protestë dhe sipas proceduarave ligjore, disa janë liruar dhe disa të tjerë ende po mbahen në paraburgim.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se ditën e mërkurë, më 4 shkurt, do të mbahet protesta e radhës. Këtë protestë thuhet se do ta përkrahin dhe dy subjektet e tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG