Rinisja e dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duhet të sjellë rezultate konkrete dhe nuk duhet të ketë vonesa në zbatimin e marrëveshjeve të arritura , thonë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, parashikon se takimet e ardhshme mes palëve do të jenë kryesisht të ndërlidhura me implementimin e marrëveshjeve të Brukselit.
“Në takimin e 9 shkurtit, nëse mbahet sipas agjendës, nuk pritet shumë. Është si një lloj fillimi, sepse dy nga udhëheqësit janë të ri, Federica Mogherini [përfaqësuesja e lartë e BE-së] dhe Isa Mustafa".
"Pritet një shtytje më e madhe në çështjen e gjykatës dhe hapjen e temave që kanë të bëjnë me strukturat paralele të sigurisë. Dhe natyrisht që Beogradi do të insistojë që sa më parë të fillojë puna për Asociacionin e Komunave serbe. Nuk e besoj se do të ketë ndonjë lëvizje të madhe”, tha Rashiti.
Rashiti thotë se për dialogun, është e rëndësishme që të dyja qeveritë, si ajo në Beograd, po ashtu edhe ajo në Prishtinë, të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjeve të arritur në mënyrë që të ecet përpara.
“Fokusi duhet të jetë implementimi i marrëveshjes së Brukselit dhe ndërtimi i një atmosfere për marrëveshje të reja. Nëse dialogu vazhdon me dinamikën e mëhershme do të ketë stërzgjatje e cila do të krijoj një vakum në veri”, u shpreh Rashiti.
Disa nga marrëveshjet e arritura në mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, vazhdojnë të mos zbatohen.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka paralajmëruar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga vetë ajo, do të nisë në muajin shkurt.
Edhe Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike e Politike në Prishtinë, konsideron se dialogu Prishtinë - Beograd duhet të përqëndrohet në çështje bilaterale mes dyja shteteve dhe jo në tema të cilat janë punë të brendshme të Kosovës.
“Natyrisht që Serbia do të insistojë të fus në bisedime çështje që lidhen më interesin e saj ndaj Kosovës, sikur që është çështja e Trepçës. Po ashtu mendoj që Kosova duhet që ta ketë një përkrahje të BE-së që të mos bëhen gjera që kanë të bëjnë me çështje tërësisht të brendshme të Republikës së Kosovës të cilat një herë janë përmbyllur kur është nënshkruar marrëveshja e 19 prillit”, tha Korenica.
Vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, është potencuar si një nga prioritetet politike, jo vetëm për Kosovën, por edhe Serbinë për vitin 2015.
Analisti Rashiti thotë se zhvillimet në skenën politike në Kosovë dhe në raste të , siç thotë ai, mosfunksionimit të duhur të institucioneve kompetente mund të ndodh që dialogu politik me Serbinë të mos jetë prioritet.
“Një dyshim që kam, ka të bëjë me skenën politike, me dinamikën e zhvillimeve politike në vend, rreth qeverisë dhe problemeve që mund të dalin dhe ato [probleme] mund të mos e bëjnë prioritet dialogun”, tha Rashiti.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve Kosovës dhe Serbisë, nga Bashkimi Evropian është vënë edhe si një nga parakushtet e rrugëtimit të tyre në proceset integruese evropiane.
Ministrja për Dialogun e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri po qëndron në Bruksel për takim me përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Siç është bërë e ditur nga Qeveria e Kosovës kjo vizitë e ministres Tahiri ka të bëjë me vlerësimin dy palësh të gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, si dhe përgatitjet për takimin e radhës në nivelin të Kryeministrave të të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë dhe përfaqësueses së lart të BE-së Federica Mogherini.