Ekonomia në Kosovë gjatë viteve të fundit nuk ka arritur të shënojë ngritje as deri në katër për qind, pavarësisht premtimeve dhe dëshirave të partive që kanë udhëhequr vendin.
Rritja ekonomike është rritja e prodhimtarisë, kapaciteteve prodhuese dhe të gjithë përbërësve tjerë të një ekonomie. Rritja ekonomike vjen për shkak të rritjes së fuqisë punëtore ose kapitalit.
Përderisa në vitin 2010 rritja ekonomike ka qenë 5.39 për qind, në vitin 2011 po ashtu mbi pesë për qind, në katër vitet e fundit kjo rritje fillon të ulet.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2012 rritja reale e produktit të brendshëm bruto, arriti normën prej 3.8 për qind, kurse në vitin 2013, rritja ekonomike pati rënë në 3.5 për qind, po aq sa ka qenë edhe vitin që lam pas.
Ndërkaq, parashikimet e ekzekutivit për këtë vit për rritje ekonomike janë prej 4.0 për qind, shifër kjo që dyshohet nga ekspertë për çështje ekonomike.
Për çdo vit, bartës kryesor i rritjes ka qenë sektori publik nëpërmjet investimeve kapitale. Por, për dallim nga Kosova vendet e rajonit rritjen ekonomike nuk e mbështesin nga sektori publik, por bartës kryesor i kësaj rritje mbetet sektori privat.
Kjo rritje vazhdimisht ka qenë e pamjaftueshme për t’i adresuar problemet me të cilat ballafaqohet Kosova, si zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Nga kjo normë “rezulton“ që papunësia të ketë një shkallë të lartë mbi 30 për qind, kurse varfëria e përgjithshme afër 30 për qind, ndërkaq varfëria ekstreme 10.2 për qind.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, një përmirësim i mundshëm i zhvillimit socio-ekonomik mund të arrihet kur rritja ekonomike të jetë dy shifrore.
Por, duke marrë për bazë nivelin e rritjes në dekadën e fundit, sipas tyre do të shkojnë edhe dekada tjera deri në arritjen e 10 për qind.
Sidoqoftë, në buxhetin e Kosovës thuhet se zhvillimet pozitive ekonomike në ekonominë globale dhe Eurozonë, që pritet të shënojë trende pozitive gjatë viteve në vijim, thuhet të kenë reflektim pozitiv edhe në Kosovë.
Në Kosovë, rritja ekonomike përgjatë periudhës 2015-2017 pritet të jetë rreth 4.3%, në mesatare, e cila kryesisht pritet të mbështetet nga ngritja e konsumit si rezultat i rritjes së dërgesave nga diaspora, eksportit dhe investimeve.
Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë japin disa arsye të stagnimit të rritjes ekonomike në vend.
Naim Gashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se faktorët kryesorë që kanë ndikuar në frenimin e zhvillimit ekonomik në vitet e fundit kanë qenë rënie e investimeve të jashtme dhe ngecja në realizimin e projekteve të mëdha siç kanë qenë privatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës, vështirësitë në inkurajimin e investimeve në sektorin e minierave dhe mineraleve dhe sektorin e energjetikës.
“Sa i përket rritjes ekonomike 3 ose 4 për qind, unë mendoj se nëse Kosova mund të mbajë trendin e rritjes ekonomike 4 për qind, është një trend i kënaqshëm. Përkundër nevojave shumë të mëdha që të kemi një rritje edhe më të madhe, megjithatë duhet të marrim edhe mundësitë tona që i kemi si ekonomi kosovare. Dhe ato mundësi janë që rritja ekonomike të sillet 3 deri në katër për qind’, tha Gashi.
Gashi megjithatë thotë se Kosova ka resurse të mjaftueshme të cilat do të mund të ndikonin në rritjen ekonomike, por që sipas tij, ekzekutivi i vendit duhet të krijojë kushte që burim i rritjes ekonomike të jetë sektori privat.
“Unë mendoj se gjenerimi substancial i rritjes ekonomike duhet të vijë nga sektori privat, sepse vetëm sektori privat gjeneron një rritje afat gjate të Bruto Produktit Vendor dhe inkurajon investimet e jashtme, krijon hapësira për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ka më tepër taksa për arkën e shtetit dhe përmirësohet bilanci i pagesave për botën e jashtme”, tha Gashi.
Edhe Agron Demi, kryeshef ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara GAP, tha se politikat qeveritare viteve të fundit ka qenë të fokusuara vetëm në sektorin publik duke mos krijuar kushte për zhvillimin e sektorit privat.
Kështu që sektori privat si promotor i zhvillimit ekonomik, sipas tij, është në gjendje shumë të dobët se sa para disa vitesh.
“Qeveria e Kosovës përmes taksave dhe tatimeve të ndryshme vetëm sa ka rënduar gjendjen në sektorin privat si dhe investimet publike viteve të fundit kanë rënë".
"Duke bërë që shumë kompani që kanë përfituar prej kontratave publike të mos kenë mundësi të qarkullimit financiar apo punësim të njerëzve dhe kjo ka ndikuar që zhvillimi ekonomik të bie dukshëm. Pastaj edhe pas shpalljes se pavarësisë se Kosovës, investimet e huaja kanë rëndë dukshëm", tha Demi.
Në anën tjetër, Demi konsideron mision të vështirë mundësinë e rritjes ekonomike edhe vitet e ardhshme.
“Gjithmonë Qeveria e Kosovës ka fryrë të dhënat sa i përket parashikimeve për rritje ekonomike, por matjet gjithmonë kanë treguar se zhvillimi ekonomik nuk ka qenë më e madhe se 3.5 për qind apo ndoshta edhe më e ulët se kjo".
"Nëse bazohemi në premtimet që janë dhënë gjatë fushatës elektorale, se krijohen fonde miliardshe të investimeve dhe rreth 200 mijë vende të reja të punës, neve na duhet se paku një rritje ekonomike dy shifrore, në mënyrë që të arrihet që këta njerëz të hyjnë në tregun e punës, të sistemohen në vendet e tyre të punës”, tha Demi.
Sidoqoftë, zyrtarë të qeverisë se re kanë premtuar se do ti kushtojnë më tepër rëndësi sektorit privat.
Investimet private, sipas projekt-buxhetit, pritet të rriten me një normë mesatare vjetore rreth 8. 6 për qind, në mënyrë që pjesëmarrja e tyre në Bruto Produktin Vendor, të rritet nga 19 për qind në vitin 2014, në 21 për qind në vitin 2017.
Konsumi i përgjithshëm përgjatë periudhës 2015-2017, pritet të rritet me një normë reale mesatare prej mbi 3.5%, ndërkohë që konsumi privat për kokë banori parashihet të rritet me 3% mesatarisht, nën supozimin që popullësia rritet me një normë prej 1.6%.