Ndërlidhjet

Pakënaqësi dhe thirrje për shkarkimin e Jabllanoviqit


Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa i shtohen kërkesat për shkarkimin e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jablanoviq.

Ky i fundit, i kishte quajtur egërsira protestuesit, që në numrin më të madh ishin nëna dhe familjarë të personave të pagjetur të luftës, që po përpiqeshin të pengonin disa qytetarë serb që të vizitojnë një manastir dhe shtëpitë e tyre në Gjakovë për Krishtlindjen Ortodokse.

Një grup i studentëve kanë protestuar sot para Ministrisë së Kthimit dhe Komuniteteve, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit, Aleksandar Jablanoviq.

Organizatorët e kësaj proteste vendosën fotografi para Ministrisë, përmes së cilave thuhej se dokumentoheshin krimet e kryera nga forcat serbe ndaj civilëve të Gjakovës gjatë kohës së konfliktit. Një përfaqësues i këtij grupi protestuesish, Arian Janova, ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që ta shkarkojë ministrin Jabllanoviq.

" Sot, Jablanoviqi besoj që nuk do të ndihet mirë kur t'i shoh këto fotografi të masakrave në rast se ai nuk e ka ditur, siç është deklaruar. Përmes këtij aktiviteti simbolik i kërkojmë kryeministrit Mustafa dorëheqjen e Jablanoviqit sepse ai ka ofenduar nënat tona gjakovare", ka thënë Janova.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, ministri Jablanoviq ka thënë se protesta e sotme para ministrisë që ai drejton ishte e qetë dhe nuk ishte kundër një forme të tillë të shprehjes së pakënaqësisë.

"Çdo kush ka të drejtë të shpreh pakënaqësinë dhe mospajtimin, sidomos nëse këtë e manifeston në atë mënyrë që nuk e pengon dikë tjetër. Protesta e sotme nuk e ka penguar në punë askënd në ministri e as mua personalisht", ka thënë Jablanoviq.

Por, ai ka refuzuar të flas në lidhje me deklaratat e tij për nënat dhe të afërmit e familjarëve të personave të pagjetur nga Gjakova.

"Këtë nuk do ta komentoj tutje", ka thënë shkurt ai.

E gjithë revolta, kishte nisur natën e 6 janarit, kur Jablanoviq po i quante egërsira disa protestues në Gjakovë.

“Kjo është festë e shenjtë dhe e madhe. Egërsirat që i parandaluan serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura, nuk do t'i shërbejnë askujt. Ne do të kërkojmë llogari nga ministri i Brendshëm për këtë që ndodhi” , pati deklaruar Jablanoviq në natën e Krishtlindjes Ortodokse.

Më pas, shkarkimin e ministrit Jablanoviq, e kërkuan nënat dhe familjarët e personave të pagjetur të luftës nga Gjakova, gjatë një proteste që organizuan pikërisht në lidhje me deklaratat që kishte bërë ministri serb.

Shkarkimi i tij u kërkua edhe nga opozita, përderisa kjo çështje u shtrua edhe brenda kabinetit të qeverisë Mustafa nga ministri i Diasporës, Valon Murati. Ai kërkoi nga kryeministri Isa Mustafa, por edhe institucionet tjera të Kosovës që të ndërmarrin masa ndaj Jablanoviqit.

"Jablanoviq shpesh herë vazhdon të fals si deputet i Kuvendit të Republikës së Serbisë dhe jo si ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Unë rekomandoj z.Kryeministër që ne si kabinet qeveritar të mbajmë një qëndrim në raport me këto deklarata", është shprehur Murati.

Ndërkohë, analistët politik i kanë cilësuar deklaratat e Jablanoviqit si terme fashiste. Publicisti Halil Matoshi konsideron se shkarkimi do të duhej të ishte masa e duhur në këtë rast.

"Rasti i ministrit Jablanoviq i cili praktikisht është gjetur në shënjestër të opinionit publik, kryesisht të gjakovarëve, për shkak të një fjalie të tij, ta them fashiste dhe të pa matur skajshmërisht do të duhej të përfundonte me shkarkim", ka thënë Matoshi.

Një mendim të ngjashëm me Matoshin kishte shprehur edhe analisti Imer Mushkolaj.

"Ministri Jablanoviq ka zgjedhur madje edhe t'i fyej qytetarët e Republikës së Kosovës duke i quajtur me terma fashistë dhe duke mos ndjerë pikën e ndërgjegjes për atë që i ka thënë e të mos flasim për kërkim falje apo për një veprim tjetër që në raste të tilla do të ishte më e pakta që do të mund të bëhej. Ai do të duhej të shkarkohej menjëherë nga kryeministri Mustafa", ka theksuar Mushkolaj.

Sidoqoftë, kryeministri Isa Mustafa nuk ka dhënë ndonjë shenjë se do shkarkoj apo do të kërkoj nga ministri Jablanoviq qoftë kërkim falje apo dorëheqje, siç pretendojnë përfaqësues të shoqërisë civile.

Aleksandar Jablanoviq, është një nga krerët e Listës Serbe për Kosovën. Ky subjekt politik është themeluar nga Beogradi dhe me mbështetjen e qeverisë serbe ka arritur të fitoj mbështetjen e serbëve lokal në Kosovë.

Kjo Listë në zgjedhjet lokale pati fituar në 9 komuna, kurse në zgjedhjet parlamentare ka siguruar 9 ulëse në Parlament. Si subjekti më i madh i serbëve të Kosovës, përfaqësohet edhe me një zëvendëskryeministër, si dhe drejton 2 ministri në Qeverinë e Kosovës.

Kështu që krahas Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe Lista Serbe tashmë përbën një element politik balancues në qeverinë aktuale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG