Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës në "gjumë"


Prishtinë...
Prishtinë...

Jo-funksionalizimi i Qeverisë së Kosovës, mostrajtimi i migrimit ilegal dhe mungesa e një plani të qartë të punës për vitin 2015, janë vlerësuar si tregues i shenjave të para të zhgënjimit, thonë analistët politik në Prishtinë.

Sipas tyre, qeveria e re e Kosovës po konstituohet ngadalë, duke e injoruar faktin që për 6 muaj Kosova ishte në një krizë institucionale.

Qeveria ka mbetur e pakompletuar pa zëvendësministra, sikurse që kanë mbetur ende jo funksionale shumë agjenci shtetërore.

Publicisti Halil Matoshi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se koalicioni aktual qeverisës i ka humbur shumë kohë Kosovës dhe sipas tij, edhe pas një muaji të formimit të saj, ajo mbetet e përgjumur dhe nuk ka nisur konkretisht asnjë punë.

"Qeveria e Kosovës nuk po arrin të kompletohet ngase nuk po arrin që t'i akomodoj, përkatësisht rehatoj militantët partiak të dy partive kryesore në vend. Të dy partitë për postet e zëvendësministrave dhe të agjencive tjera qeveritare kanë me qindra apo mijëra njerëz të propozuar dhe nuk po arrijnë t'i akomodojnë që të gjithë", ka deklaruar Matoshi.

Ndërkohë, Petrit Zogaj nga Lëvizja Fol ka thënë për Radion Evropa e Lirë se formimi dhe funksionalizimi i institucioneve po vazhdon me një jo normalitet, ngaqë nuk vërehet dinamikë për kompensimin e kohës së humbur.

Një mentalitet i tillë qeverisës, ka vijuar Zogaj, nuk e kthen besimin e luhatur të qytetarëve të Kosovës në institucione.

"Nuk po shohim dinamizëm as në draftimin e programit qeveritar e as në planin vjetor se çfarë do të bëj, punoj qeveria. Po ashtu as në strategjinë legjislative se çfarë do të bëj qeveria me ligjet e reja, pastaj ato që janë në procedurë me ndryshimet e plotësimet dhe kështu me radhë e as me plotësimin e kabineteve të ministrave me caktimin e zëvendësministrave", ka theksuar Zogaj.

Ndonëse koalicioni aktual përbëhet nga dy partitë më të mëdha në Kosovë, ajo që i mungon qeverisjes aktuale, sipas Petrit Zogajt është serioziteti.

Këtë ai e argumenton me faktin që kjo qeveri nuk e ka trajtuar si urgjente, por si diçka normale çështjen e migrimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës jashtë vendit, në mungesë të perspektivës ekonomike dhe vendeve të punës.

"Qeveria nuk është marrë as me dinamikën që ishte dashur të merret me çështjen e migrimit të qytetarëve të Kosovës ilegalisht jashtë vendit. Pra, me një situatë emergjente, qeveria është sjellë sikurse të ishte situatë normale dhe kjo besoj që ka krijuar edhe më tej një lloj zhgënjimi në institucionet qendrore të Kosovës", ka thënë Zogaj.

Në anën tjetër, publicisti Halil Matoshi thotë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe qeveria e tij nuk arritën të menaxhojnë as konfliktin që lindi ndërmjet ministrit serb, Aleksandar Jablanoviq dhe familjarëve e të afërmve të personave të pagjetur të luftës nga rrethina e Gjakovës.

Po ashtu, një fenomen tjetër që po e karakterizon qeverinë e re të Kosovës, sipas Matoshit, është edhe mungesa e transparencës.

"Edhe pse zoti Mustafa ka premtuar se do të jetë kryeministër i një qeverie transparente, asnjëherë nuk ka krijuar një zyre shtypi apo një zëdhënës të qeverisë, në mënyrë që gazetarët të mund të drejtohen për informacione shtesë. Pra, kjo qeveri, ndonëse është herët të theksohet, vazhdon të jetë e ngjashme me qeverinë paraprake, skajshmërisht jotransparente", ka vlerësuar Matoshi.

Pas vonesës prej gjashtë muajve për konstituimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit të vitit të kaluar, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga pati deklaruar se puna dhe dinamika e institucioneve do të fokusohet në kthimin e besimit të luhatur të qytetarëve të këto institucione.

Mirëpo, siç vlerësojnë analistët, fillimi i punës së Kuvendit dhe Qeverisë nuk ka dhënë shenja të kthimit të këtij besimi të luhatur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG