Ndërlidhjet

Rritet buxheti për barna


Në vitin 2015, buxheti për barnat në Kosovë do të jetë për 14.5 milionë euro më shumë.

Kjo, pasi që Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Financave, Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, i ka ndarë këto para nga kursimet buxhetore që i ka bërë në projektbuxhetin e vitit 2015, të cilat janë miratuar në tërësi.

Izet Sadiku, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë se ndarja e mjeteve për sistemin shëndetësor, tregon interesimin, siç thotë ai, të Qeverisë së re për ta ndihmuar këtë sektor.

Ai shpjegon për Radion Evropa e Lirë se 4 milionë euro do të shkojnë në blerjen e barnave, derisa 10.5 milionë euro janë ndarë për çështje të kontratës kolektive.

"Duhet përmendur se për herë të parë është prioritet qeveritar shëndetësia, duke e shtuar buxhetin. Kjo tregon se ministri është shumë i informuar për problemet që i ka pasur shëndetësia. Kjo ndarje do të jetë një infuzion për shëndetësinë duke ndërmarrë edhe hapat tjerë ku përveç nevojës për barna ka edhe probleme tjera, që lista vitale të jetë gjithmonë e mbuluar nga shteti", thotë Sadiku.

Ndërkaq Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se rritja e buxhetit për barna, do ta përmirësojë furnizimin me barna, material shpenzues si dhe citostatikë.

"Drejtori i përgjithshëm ka kërkuar nga shefja e barnatores qendrore në kuadër të QKUK-së që menaxhon me tërë farmaceutikën që të bëhet një plan konkret ideor që të përmirësohet dukshëm furnizimi. Njëkohësisht të ngrihet furnizimi për listën vitale dhe esenciale pasi që janë të domosdoshme për trajtimin e pacientëve", shprehet Fazliu.

Zoti Fazliu thotë se tashmë planifikimi i nevojave për barna është bërë dhe dorëzuar në barnatoren qendrore.

"Plani është në përgatitje e sipër. Realisht planifikimi në kuadër të klinikave është bërë dhe është dorëzuar në barnatoren qendrore të QKUK-së. Barnatorja do ta hartojë një plan të përgjithshëm qoftë nga spitalet e përgjithshme apo edhe klinikat dhe të dihet se cilat do të jenë kërkesat", bën të ditur Fazliu.

Sidoqoftë, buxheti për barna gjatë vitit 2014 ka qenë rreth 21 milionë euro, derisa për këtë vit është rritur për rreth 25 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG