Njëzetepesë shtatori shënon Ditën Botërore të Farmacistëve. Problemet në fushën e farmaceutikës në Kosovë janë të mëdha. Mungesa e barnave të regjistruara në tregun farmaceutik është njëra nga problemet, me të cilat po ballafaqohen farmacistët, por edhe qytetarët.
Farmacisti Shkumbin Jusufi thotë për Radion Evropa e Lirë, se pavarësisht punës që po bëhet për zbutjen e mungesës së barnave, Kosova po vazhdon të ketë mungesa të theksuara.
“Problematika më e madhe mbetet mungesa e barnave të paregjistruara. Ka dalë udhëzimi administrativ që lejon leje importi të jashtëzakonshme, por ende nuk ka filluar të zbutet mungesa e barnave. Me procedurën se si po ecën, do të shkojë shumë gjatë. Nuk është problemi i plotësimit të numrit, por ka shumë kompani të produkteve që nuk kanë interes për tregun kosovar pasi që është i vogël”, bën të ditur Jusufi.
Ndryshe, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se tashmë janë marrë hapa konkretë për thjeshtësimin e procedurave për regjistrim dhe import të produkteve mjekësore. Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në këtë ministri jep hollësi të tjera:
“Sektori farmaceutik si pjesë e sistemit shëndetësor paraqet njërin prej segmenteve më të rëndësishme, por që është karakterizuar edhe me probleme të shumta. Ajo që mund të thuhet për këtë vit është se ky sektor po konsolidohet. Këtu ka ndikuar edhe nxjerrja e legjislacionit të ri siç është Ligji për Pajisje Mjekësore, si dhe nxjerrja e disa akteve nënligjore të cilat kanë ndihmuar që sektori të adresojë disa sfida që kanë qenë të shprehura më shumë”.
“Me ndihmën e AKPPM-së si bartës i procesit, janë nxjerr aktet nënligjore që kanë të bëjnë me tarifat e shërbimeve të ofruara nga AKPPM-ja; udhëzimi administrativ për thjeshtësim të procedurave për regjistrim dhe import të produkteve mjekësore që nuk kanë paralele të regjistruara; si dhe udhëzimi administrativ për kontroll të cilësisë së produkteve dhe pajisjeve medicinave të plasuara në tregun kosovar”, shpjegon Hoti.
Edhe Agim Çaka, kryetar i Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, ka bërë të ditur se problem kyç vazhdon të mbetet mungesa e barnave në tregun farmaceutik.
“Farmacistët po ballafaqohen me sfida të ndryshme, kryesisht problemet janë të natyrave të furnizimit me barna që ende nuk janë të regjistruara në tregun farmaceutik. Por, shpresojmë që me takimet tona me AKPM-në, kemi bërë një zgjidhje ligjore përmes një udhëzimi administrativ, e që e ka nënshkruar ministri i Shëndetësisë , udhëzimi 02 2014, ku me një leje speciale mundësohet të futen edhe ato barna që janë të domosdoshme të futen në Kosovë, edhe pse nuk janë të regjistruara”, thotë Çaka.
Ndërkaq, zyrtarja për informim e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Pranvera Behrami, deklaron se tashmë kanë filluar të zbatohen disa udhëzime administrative, e që kanë bërë që futja e barnave në mënyrë ilegale të zvogëlohet, por edhe Kosova të furnizohet me ato barna, për të cilat kishte mungesë.
“Udhëzimi 18/2013, rregullon importin e barnave që mungojnë në tregun tonë, por që vijnë nga shtetet, me të cilat Ministria e Shëndetësisë ka marrëveshje unilaterale, në mënyrë që të ndalet tregu i zi dhe në të njëjtën kohë të mundësohet shërimi i pacientëve që varen nga këto barna”, thekson Behrami.