Ndërlidhjet

Suspendohen katër zyrtarë policor për lëshimet në rastin Gavriq


Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa Lirë, se ka suspenduar me pagesë katër punonjës kufitar të Policisë së Kosovës në Jarinjë.

Në mesin e të suspenduarve janë një rreshter dhe tre policë, ndërkaq të gjithë policët e suspenduar i takojnë komunitetit serb.

Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë thënë të dielën se po hetohen të gjithë zyrtarët të cilët mund të kenë bërë lëshime në vend kalimet kufitare në veri të Kosovës, prej nga thuhet se ka hyrë në Republikën e Kosovës, shtetasi nga Serbia, Slobodan Gavriq.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, duke mos dashur të flas shumë për rastin, tha për Radion Evropa e Lirë, se "do të merren masa ndaj çdo zyrtari përgjegjës për lëshimet eventuale që mund të jenë barë në këtë rast”.

"Për hirë të integritetit të vet procesit dhe hetimeve në përgjithësi nuk do të them asgjë më shumë, por do të mund t'ju konfirmoj që po hetohen të gjithë zyrtaret të cilët në një mënyrë ose në një tjetër, mund të kenë demonstruar lëshime në ketë rast", tha ministri Hyseni.

Kurse, sa i takon çështjes se masave të shtuara të sigurinë, ministri Hyseni theksoj se ato nuk duhet të rriten nga rasti në rast, por siç tha ai, ato duhet të jenë permanente.

"Është absolutisht detyrë e përhershme që organet e sigurisë në ketë drejtim të jenë të mobilizuar në çdo kohë 24 orë në ditë, çdo ditë. Asesi nuk duhet që vetëm nga rasti në rast të ketë një mobilizim të shtuar, përkundrazi".

"Organet e sigurisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, dhe të gjitha agjencitë e tjera që kanë në kompetencë ose në dikaster të tyre çështje të sigurisë dhe të rendit, do të jenë në mënyrë permanente vigjilente sa u përket akteve të mundshme të dhunës të çfarëdo natyre", deklaroi Hyseni.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka kërkuar ngritjen e nivelit të sigurisë së përgjithshme në Kosovë dhe u ka bërë thirrje shteteve të rajonit, të bashkëpunojnë kundër rasteve të dyshuara terroriste.

Ajo ka thënë po ashtu se institucionet e Republikës së Kosovës, janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos, që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj, të ruhet dhe të garantohet.

Pas arrestimit në mbrëmjen e së enjtes të shtetasit nga Republika e Serbisë, Slobodan Gavriq, në veturën e të cilit janë gjetur 12.2 kilogramë eksploziv, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë.

Zëdhënësi i Policisë se Kosovës, Baki Kelani, tha për Radion Evropa e Lirë, se me rastin e festave të fundvitit, por edhe rastit fundit, policia i ka shtuar masat e sigurisë.

"Referuar festave të fundvitit, si dhe referuar edhe rastit të fundit, Polica e Kosovës në bazë të vlerësimeve ka ngritur masat e sigurisë varësisht prej nevojës dhe kërkimeve që bëhen", tha Kelani.

Ndryshe, një ditë me parë, Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti për krime të rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të shtetasit nga Serbia Slobodan Gavriq, i cili dyshohet për veprën penale të përgatitjes së veprave terroriste.

Gavriq dyshohet për dy vepra penale, përgatitja e veprave terroriste dhe importi , eksporti, furnizimi ose shitja e paautorizuar e armëve.

Paraburgimi është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila është duke i zhvilluar hetimet në këtë rast.

Ende nuk ka ndonjë version zyrtar për qëllimet e posedimit të sasisë së eksplozivit nga ana e të pandehurit, ndonëse ai vetë para gjykatës ka thënë të shtunën se e kishte për qëllim që ta shiste eksplozivin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG