Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar sot kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, dhe krerët e mekanizmave të sigurisë: drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj.
Takimi ka pasur për qëllim të vlerësojë gjendjen e sigurisë në Kosovë, pas arrestimit të një të dyshuari me sasi të mëdha eksplozivi në kryeqytet.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kërkova nga mekanizmat e sigurisë që të ngrenë sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe apeloj te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit që po e hetojnë këtë incident”, thuhet më deklaratën e presidentes Jahjaga.
Ajo po ashtu u ka bërë thirrje shteteve të rajonit që të bashkëpunojnë “në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e aktorëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë”.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet”, ka thënë Jahjaga.