Ndërlidhjet

Arrestohet një shtetas serb, dyshohet për "aktivitete terroriste"


Ilustrim
Ilustrim

Një shtetas i Serbisë është arrestuar të enjten në mbrëmje në Prishtinë, pasi në makinë kishte mbi 12 kilogramë material shpërthyes, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Prokuroria Speciale e Kosovës, në një komunikatë për shtyp, ka njoftuar se ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimet se ka planifikuar që materialin shpërthyes ta përdor për “aktivitete terroriste”.

I arrestuari, qytetar serb nga Serbia, është arrestuar në lagjen Arbëria [ish Dragodan] në Prishtinë, në bazë të një informacioni paraprak të cilin e posedonin autoritetet e rendit.

“Vetura ka qenë me targa të Beogradit dhe atë e drejtonte një person me shtetësi të Serbisë”, ka thënë Baki Kelani, zëdhënës i Policisë.

Ai ka saktësuar se në bazë të informacioneve të deritashme, i dyshuari mund të ketë pasur qëllim të realizimit të ndonjë sulmi.

Kelani ka thënë se personi i dyshuar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Prokuroria Speciale e Kosovës ndalimin e ka arsyetuar me dyshimin se ky person ka kryer veprën penale “përgatitja e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Ministri i punëve të brendshme në qeverinë e Kosovës, Skender Hyseni, ka bërë të ditur në një takim me gazetarët se sasia e materialit të gjetur në makinën e të dyshuarit, është i një vëllimi të jashtëzakonshëm dhe, sipas tij, tmerrësisht rrënuese.

Ai ka thënë se po të kryhej ky akt, pasojat do të ishin të mëdha.

“Ai tip eksplozivi nuk është diçka që mund ta blini ne treg të pemëve dhe perimeve, as në vetëshërbim, as rrugëve te stërshitësit. Asgjë më shumë nuk do të them në këtë fazë”, theksoi ministri Hyseni, duke shtuar se biografia e të arrestuarit do të zbulohet deri në fund, përfshirë edhe gjithë kompleksitetin e rastit.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përgëzuar autoritetet e rendit për “pengimin e këtij veprimi terrorist, në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

Në një komunikatë për mediat, zonja Jahjaga ka bërë të ditur se ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, dhe udhëheqësit e mekanizmave të sigurisë në vend.

Ajo ka kërkuar me këtë rast ngritjen e nivelit të sigurisë së përgjithshme në Kosovë.

Njëkohësisht, duke marrë parasysh "natyrën komplekse dhe serioze të këtij komploti të dyshuar terrorist", zonja Jahjaga u ka bërë thirrje shteteve të rajonit të bashkëpunojnë “në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e aktorëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet", thuhet në komunikatën e presidentes.

Qeveria e Kosovës ndërkaq e ka dënuar "fuqishëm veprimin e dyshuar terrorist të së enjtes".

Përmes një komunikate për shtyp, qeveria është zotuar se do të bëjë "gjithçka në çdo moment për të siguruar jetën e qytetarëve të saj, dhe garantimin e sigurisë së vendit".

Ajo ka bërë thirrje gjithashtu për një "bashkëpunim të gjithmbarshëm në këtë situatë, përfshirë vendet e rajonit"

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG