"Vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë kryesisht i ndërlidhur me zbatimin e marrëveshjes së parë të Brukselit, por krahas kësaj prioritet i Kosovës duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje të nënshkruar për normalizimit të marrëdhënieve, në mes dy vendeve", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, analisti i çështjeve politike, Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, pas ngërçit politik prej 6 muajsh, Kosova tashmë ka qeverinë e saj. A prisni stabilitet të qeverisë, marrë parasysh situatën e cila ka sjellë deri te krijimi i koalicionit qeveritar ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës?
Naim Rashiti: Që nga arritja e marrëveshjes parimore, besoj që të dy partitë kanë bërë shumë që ta eliminojnë ose ta injorojnë të kaluarën dhe marrëdhëniet e të kaluarës, duke bërë përpjekje më të mëdha për të krijuar një përshtypje pozitive te publiku dhe te qytetarët, për sa u përket marrëdhënieve të tyre. Natyrisht se ata, kur të futen në fazën e qeverisjes, do të kenë telashe, si çdo dy partner koalicioni, e në veçanti PDK dhe LDK.
Unë shoh sfida në këtë aspekt, me të cilat do të ballafaqohen. Esenca është nëse ato sfida do t’iu shfaqen publikisht dhe do të jenë pengesë për qeverisje apo do të jetë një lloj krijimi, një lloj fuzioni politik dhe konsensus për të qeverisur mirë. Kjo mbetet të shihet. Është vështirë të thuhet, por besoj që ka përpjekje të mjaftueshme për të krijuar këtë fuzion.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, Kosova do ta rinisë dialogun me Serbinë, me një strukturë të re të qeverisë. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se profili dhe përmbajtja e dialogut duhet të garantojnë qëndrueshmëri dhe zbatim të marrëveshjeve. Çfarë prisni ju?
Naim Rashiti: E para është që dialogu i ardhshëm do të jetë kryesisht i ndërlidhur me implementimin e marrëveshjes së parë të Brukselit, e cila, realisht, është dashur të implementohet gjatë vitit 2014. Kjo ndodhi për shkak të shumë vonesave, zgjedhjeve në Serbi, zgjedhjeve në Kosovë dhe zgjedhjeve në BE. Kemi ekipe të reja, si në Bruksel, ashtu edhe në Prishtinë dhe Beograd.
Besoj që liderët e Kosovës, Mustafa e Thaçi, duhet të jenë të angazhuar së bashku në procesin e dialogut. Po ashtu edhe në Serbi, Vuçiq e Daçiq, do të jenë pjesë përbërëse e dialogut. Do të shohim një rinisje të dialogut me çështjet e mbetura, kyçe, të marrëveshjes së parë, që ndërlidhet me Asociacionin dhe kompletimin e integrimit të serbëve të Kosovës në kuadër të jetës institucionale të Kosovës.
Uroj që ky proces të përmbyllet brenda vitit 2015 dhe institucionet duhet të bëjnë gjithçka që duhet dhe që është e mundur që ky proces të përmbyllet, ashtu që në fillim të vitit 2016, të mos kemi institucione të financuara paralelisht nga Republika e Serbisë. Krahas implementimit të marrëveshjeve, si prioritet duhet të jetë avancimi i normalizimit të marrëdhënieve bilaterale Serbi - Kosovë.
Kjo duhet të jetë prioritet i Kosovës, ashtu që në një periudhë prej 2 ose 3 vjetësh, të ketë një marrëveshje të nënshkruar të normalizimit, në mes dy vendeve, e cila do të jetë e mjaftueshme për t’i eliminuar disa nga pengesat në rrugën e saj evropiane dhe realisht, për t’i realizuar disa njohje nga disa shtete evropiane. Vetëm një marrëveshje e nënshkruar bilaterale do ta shtynte Serbinë drejt ndryshimit të kushtetutës së saj dhe do të hapte rrugën për anëtarësimin e Kosovës në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë.
Radio Evropa e Lirë: Themelimi i Gjykatës speciale për krime lufte, llogaritet si një nga sfidat e ardhshme për institucionet e Kosovë, të cilat pajtohen se themelimi i saj është një detyrim që duhet realizuar. Cilat do të jenë peripecitë e para për përmbushjen e këtij detyrimi?
Naim Rashiti: Unë mendoj se pjesa më e madhe e tyre është kryer me miratimin e saj, në paket, në mandatin e EULEX-it, në muajin maj të vitit të kaluar. Tani presim vetëm edhe formalizimin e një memorandumi bilateral për vendosjen e gjykatës në Hagë, si dhe amandamentimin e kushtetutës apo një vendimi tjetër që krijon strukturën zingjirore të gjykatës brenda juridiksionit të Kosovës.
Kjo mbetet të zgjidhet legalisht. Natyrisht, EULEX-i do të mbetet ajo shtylla administrative e gjykatës dhe mbetet të presim procedimet e prokurorisë dhe vendimet e gjykatës për individ të caktuar dhe pretendimet, ndaj të cilave institucionet e Kosovës do të duhet të sillen me përgjegjësi.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, pjesë e koalicionit qeverisës tashmë është edhe Lista Serbe, e cila pati paraqitur disa kushte për pjesëmarrje në qeveri. A mund të përplasen kërkesat e Listës Serbe me mundësitë reale për realizimin e tyre?
Naim Rashiti: Një pjesë e kërkesave të serbëve, të Listës Serbe apo të gjithë asaj që është nënshkruar, janë kërkesa të cilat do të mund t’i kishte një ose ndonjë tjetër e entitet politik, e cila dëshiron të hyj në negociata për ndërtim koalicioni. Këto marrëveshjet e nënshkruara deri më tash apo kërkesat e tyre, nuk bien ndesh me shtetësinë e vendit. Kërkesat do të bëhen të papranueshme në momentin kur veprimet apo marrëveshjet e tilla do të binin ndesh me shtetësinë e Kosovës.
Lista Serbe, përkundër zhurmës dhe retorikës që do ta përdorë, besoj se në të shumtën e rasteve do të sillet konform ligjeve të vendit. Do të provoj që t’i shfrytëzoj rastet kur vota e tyre kërkohet. Por, besoj që pikërisht për këtë po e them që Qeveria e Kosovës duhet të kërkoj një përshpejtim të marrëdhënieve bilaterale me Serbinë, ashtu që Serbia ta kuptoj gjithnjë e më shumë se nuk mund të ketë aktorë në territorin e Kosovës., të cilët sillen kundër shtetësisë së Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Dhe në fund, zoti Rashiti, si e shihni rolin e përfaqësuesve të serbëve në Kuvend, kur në rend të ditës do të vij çështja e themelimit të Forcës së Armatosur të Kosovës?
Naim Rashiti: Kjo është një prej çështjeve, të cilën ndërlidha më herët. Tani vijmë në fazën kur mund të shohim se si po sillet Lista Serbe dhe deputetët e saj në raport me shtetësinë e Kosovës. Ky do të jetë një test i vërtetë, përkundër faktit se Ushtria e Kosovës është një çështje e ndjeshme për komunitetin serb.
Ata, besoj, që do të kenë kurajë se kjo është një çështje e shtetësisë së Kosovës, e cila nuk i dëmton dhe i prekë interesat e Kosovës. në fund të fundit, në proceset demokratike të shtet-ndërtimit të Kosovës, një minoritet, i çfarëdo madhësie qoftë, nuk mund të ketë veto mbi atributet e shtetit të Kosovës.
Esenca është që kishte me qenë mirë që ky proces të bëhet me konsultime politike, ashtu që të ketë një rezultat dhe një pranim nga komuniteti serb jo vetëm si ligj dhe shndërrim i FSK-së në Ushtri e Kosovës, por edhe si një kurajë për qytetarët serbë që të bëhen pjesëtarë të asaj ushtrie.
Natyrisht, kjo edhe me mirëkuptimin ndërkombëtarë, të NATO-s dhe shteteve anëtare të saj, si dhe fqinjëve. Por nuk e besoj se Serbia apo edhe Lista Serbe, në këtë rast do të mund të bëhen pengesë për krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Në fakt, nëse shikohet në afat të gjatë, minoritetet gjithmonë në një shoqëri shumicë, do të kenë më shumë nevojë për votat e shumicës, se sa shumica për votat e minoriteteve.
Në rastin e Kosovës, minoritetet e kanë të drejtën e vetos në shumë aspekte, duke përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese. Por, besoj që kjo çështje, gradualisht do të bie nga niveli i lartë i ndikueshmërisë, për faktin se proceset e shtet-ndërtimit, ndoshta, gradualisht edhe po përfundojnë dhe çdo ndryshim, avancim dhe konsolidim i shtetit, shihet edhe si avancim dhe ndryshim për të mirë i të drejtave të komuniteteve dhe jetës për komunitete.