Kosova në rajon është e para sa i takon përdorimit të internetit dhe bazuar në ketë fakt, mundësia sipas zyrtarëve të institucioneve për keqpërdorime, manipulime dhe shantazhe përmes rrjeteve sociale është shumë e madhe.
Në rubrikën e përjavshme VOX, kemi biseduar me disa të rijnë të cilët flasin për kërcënimet apo fyerjet që mund t’iu kenë ndodhur në rrjetet sociale.
“Po kam pas raste të dëgjoj nga shoqëria nga rrethi që kanë pasur shumë raste të keqpërdorimeve me foto ose edhe hapja e profileve të rrejshme dhe kanë bërë prononcime të rrejshme në emër të personave në fjalë”, tha Saliu.Bonita Salihu nga Ferizaj, e cila studion në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, thotë se ka dëgjuar shumë raste ku ka pasur kërcënime përmes internetit.
Edhe Valerina Blakaj nga Komuna e Istogut, e cila studion për pedagogji, thotë se ka dëgjuar disa raste të kërcënimeve përmes interentit, por asaj nuk i ka ndodhur që këtë fyerje apo kërcënim.
“Për veti nuk kam pasur kërcënim përmes teknologjisë ose krimeve kibernetike, por kam dëgjuar shumë raste. Raste me të shpeshta kam dëgjuar se kanë ndodhur në shkollë kur nxënësit kanë bërë xhirime videosh dhe më pas e kanë keqpërdorur duke e postuar në internet. Mendoj se duhet të ketë shumë informata që shkollat dhe nxënësit të din për krimet kibernetike. Unë për vete e kam kuptuar shumë vonë se cka është krimi kibernetik”, tha Blakaj.
Kosova ka Ligj për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetik në Kosovë, nëpërmjet të cilit sanksionon këtë formë të kësaj vepre kriminale.
Andi Batusha është student nga Gjakova, thotë se të dhënat e tij në rrjetet sociale janë keqpërdorur.
“Kam pasur dy raste kur më është thyer passwordi i Facebook-ut ose edhe më është keqpërdorur profili në Facebook. Unë, si shumë të rinj të tjerë, në aspektin individual, kam mësuar për keqpërdorimet informative apo krimet kibernetike”, tha Batusha.
Të rinj në Kosovë thonë se shumë të rinj kanë rënë preh e sulmeve të ndryshme kibernetike, duke u keqpërdorur llogaritë dhe kartela bankare.
Edhe Taulant Devolli, i cili është Kryetari i Këshillit për Veprim Rinor në Pejë, thotë se ka shumë raste që shoqëria e tij fyhet dhe ngacmohet nga persona të njohur dhe të pa njohur në internet.
“Kategoria e personave që unë mendoj se ngacmohen më së shumti në internet janë gjinia femërore në mënyra seksuale. Interneti në ditët e sotme është diçka shumë aktuale dhe i ka përfshirë të gjitha sferat e jetës si private dhe profesionale dhe mendoj se të rinj nga mos vetëdijësimi i mjaftueshë shumë e keq përdorin interneti edhe ata në moshë edhe atë që janë të mitur që në njëfarë mënyrë nuk din ku futën. Mendoj se ka keqpërdorime shumë”, tha Devolli.
Sipas një hulumtimi që e ka bërë Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore, mbi ”Njohuritë lidhur me Keqpërdorimin me Teknologji të Informimit dhe të Komunikimit”, është thënë se të rinjtë sot nuk i kushtojnë rëndësi të dhënave të tyre personale dhe si pasojë mund të ketë edhe sulme e ngacmime të ndryshme.
Në hulumtimin i cili është realizuar në 29 komuna të Kosovës, të rinjtë janë pyetur se nga kush janë ngacmuar së fundmi, 33% e të anketuarave janë përgjigjur nga persona të panjohur, ndërsa 27% nga persona të njohur.
Krimi kibernetik është një veprim kriminal që zhvillohet në rrjetin e komunikimit, duke keqpërdorur sistemin dhe të dhënat kompjuterike.
Policia e Kosovës gjatë këtij viti ka arritur që të arrestojë 7 persona, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur internetin duke kryer sulme të ndryshme kibernetike.
Zyrtarët nga Policia e Kosovës, kanë thënë se dukuria e krimeve kibernetike në Kosovë është në rritje.