Ndërlidhjet

"Imuniteti" ndaj korrupsionit dëmton Kosovën


Përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe ata të sistemit të drejtësisë, raportin e organizatës Transparency International, e kanë parë si real por edhe si një fakt shqetësues për nivelin e korrupsionit në Kosovë.

Renditja e Kosovës në vendin e 110 sa i takon shkallës së korrupsionit, sipas organizatës ndërkombëtare Transparency International, është edhe një lajm i keq për Kosovën, thotë Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit Hasan Preteni.

“Me të vërtetë është edhe një informacion shqetësues. Nëse i kemi poenët e njëjtë si në vitin e kaluar, atëherë ky është një vit komplet i humbur në angazhimet kundër korrupsionit".

“Një vit ose dy vite rradhazi ne jemi më të dobët se në vitin 2012, kur koeficienti ishte 3.4. Vitin e kaluar 3.3 dhe tani 3.3, me të vërtetë është për të ardhur keq, për të gjitha institucionet, për qytetarin e Kosovës në veçanti, duhet të pranojmë për ne udhëheqësit e institucioneve, të cilët kemi për mision luftën kundër korrupsionit”, tha Preteni për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se kjo dukuri nuk po luftohet e as gjykohet.

“Gjërat nuk po lëvizin në drejtimin e duhur dhe kjo është për të ardhur keq”, u shpreh Preteni.

Preteni konsideron se institucionet të cilat duhet ta luftojnë korrupsionin janë organet e drejtësisë, si prokuroritë dhe gjykatat.

“Për të luftuar korrupsionin është gjyqësori. Edhe në këtë pjesë përgjegjësia kryesore pse nuk po luftohet korrupsioni në masën e duhur është çështje e prokurorive dhe gjykatave”, tha Preteni.

Edhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzulla Hasani, thotë se raporti i organizatës ndërkombëtare Transparency International, si dhe të tjera raporte, tregojnë se është e pranishme dukuria e korrupsionit. Ai thotë se prezenca e kësaj dukurie dëmton imazhin e Kosovës.

Sipas Hasanit, korrupsioni nuk mund të ketë vetëm një adresë, si prokuroria apo gjyqësia.

Ai thotë se për të luftuar këtë dukuri, duhet të veprohet nga të gjitha institucionet, si dhe ka theksuar që gjyqësori është duke e bërë punën vet, në kuadër të çështjeve që adresohen nga ana e organeve të ndjekjes.

“Agjencioni anti-korrupsion, mund të thotë këtë dhe atë. Le të dal dikush dhe të thotë me shifra se janë këta persona, këto autoritete të larta, zyrtaret që janë të përfshirë, që janë mbyllur në sirtaret e gjykatave dhe nuk po procedohen. Ne atyre çështjeve u kemi dhënë prioritet që të procedohen me kohë dhe të zgjidhen më kohë”, tha Hasani per Radion Evropa e Lirë.

Prokurorja e shtetit Laura Pula, njëherësh koordinatore nacionale kundër korrupsionit, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha prokuroritë e Kosovës kanë planet e veprimit të tyre strategjik për luftën kundër korrupsionit.

Ajo tha se trajtimi i lëndëve që kanë të bëjnë më korrupsion, janë me prioritet.

“Ne prapë mbesim me ngarkesë të madhe të shumë lëndëve të tilla dhe me angazhimin maksimal për zgjidhjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë më korrupsion. Mirëpo, dihet se shumica e tyre nga natyra janë shumë të komplikuara edhe pse prapë janë në prioritet dhe fokus, që me përkushtim të trajtohen ashtu siç janë marrë dhe për tu kryer ne kohë efektive”, tha prokurorja Pula.

Lidhur me publikimin e indeksit të perceptimit të korrupsionit që është publikuar sot nga Transparency International dhe Instituti Demokratik i Kosovës, është mbajtur një konferencë për media ku janë dhenë detajet lidhur me raportin.

Artan Canhasi nga kjo organizatë (TI), tha se sipas Indeksit të perceptimit të korrupsionit, Kosova nuk ka shënuar ndonjë përparim që nga publikimi i këtij indeksi në vitin e kaluar.

Ai tha se mungesa e dënimeve të zyrtarëve të lartë publik për korrupsion, ka krijuar një klimë të mos ndëshkimit dhe Kosova është renditur në ketë nivel te perceptimet të korrupsion.

“Shkeljet në prokurimin publik janë një faktor i rëndësishëm në këtë drejtim. Puna e ministrive, komunave dhe autoriteteve tjera kontraktuese është vlerësuar dobët nga Auditori i Përgjithshëm, shoqëria civile dhe institucione tjera që monitorojnë këtë fushë. Shpesh tenderët jepen përmes një procesi jo-transparent, pagesat bëhen pa marrëveshje kontraktuale, ka mungesë të mbikëqyrjes së zbatimit, etj”, ka deklaruar Canhasi.

Qytetari Faik Hamiti pensionist dhe ish- profesor i matematikës, thotë se është për të ardhur keq se si Kosova renditet në nivelin e shteteve më të korruptuara.

Ai mendon se të gjitha institucionet janë fajtore për këtë gjendje të krijuar.

“Mendoj se qeveria është përgjegjëse për korrupsion. Po të kishin ditur këta politikanët të punojnë drejtë, ashtu siç kanë punuar mbrapsht, do ishte dashur që t'u jepet çmimi nobel. Nëse nuk zbatohet ligji nuk mund të këtë kurrfarë rregulli", tha Hamiti.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, konsiderojnë se zyrtarët e lartë apo bashkëpunëtorët e tyre, vazhdojnë të jenë imunë ndaj hetimeve rreth korrupsionit dhe pasurisë së tyre.

Ata thonë se institucionet kompetente dhe agjencitë ekzistuese që kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit, duhet të veprojnë duke u bazuar në ligjet ekzistuese.

XS
SM
MD
LG