Ndërlidhjet

Ndërtimet jolegale në veri, shqetësuese


Veri...
Veri...

Këshilltarët komunal që përfaqësojnë bashkësinë etnike shqiptare në komunën e Mitrovicës së veriut, kanë alarmuar institucionet kryesore të kësaj komune për, siç kanë thënë ata, ndërtimet jolegale, të cilat po ndodhin në këtë komunë.

Emir Azemi, zëvendës kryesues për komunitete në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë fundjavës së kaluar, në Lagjen e Boshnjakëve, e cila është e banuar me popullatë të përzier, serbët kanë nisur ndërtimin e një rrokaqielli, pa lejen e komunës.

Sipas tij, ndërtimet të ngjashme janë vërejtur kohët e fundit në Mitrovicën e veriut dhe ai i ka cilësuar, si ndërtime politike.

“Ditën e shtunë dhe të diel, me një intensitet të shtuar, serbët kanë filluar ndërtimin e një ndërtese në Lagjen e Boshnjakëve, buzë Ibrit, në një pjesë strategjike, për ta thelluar ndarjen dhe ndryshuar strukturën demografike të popullsisë. Ne patëm një këshillim ose konsultim ndërmjet veti dhe nxorëm një përfundim që këto ndërtime, janë ndërtime jolegale, po që me siguri këto po bëhen për kolonët e ri serbë”, shprehet Azemi.

Azemi ka shtuar se ndërtimin e këtyre ndërtesave i konsideron jolegale, për shkak se, sipas tij, ato po ndërtohen me të holla, të cilat nuk janë nga buxheti i Republikës së Kosovës, ndërtimi po bëhet në kundërshtim me planin urbanistik dhe në mesin e shtëpive që janë me një apo dy kate, si dhe nuk kanë leje nga organet komunale.

Azemi gjithashtu ka shfaqur dyshimin se në këto ndërtime jolegale janë implikuar pjesëtarë të strukturave jolegale, e që tashmë janë pjesë edhe e institucioneve legale në Mitrovicën e veriut.

Adrijana Hoxhiq, drejtuese e Zyrës Administrative të Mitrovicës së veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, pohon se në Lagjen e Boshnjakëve ka nisur ndërtimi i jolegal, të cilin e kanë paraqitur këshilltarët komunal.

Por, sipas saj, ky nuk është ndërtimi i vetëm jolegal që po zhvillohet në komunën e Mitrovicën e veriut dhe jo vetëm serbët po bëjnë ndërtime jolegale.

Sipas Hoxhiq, e gjithë kjo situatë është produkt i mungesës së mekanizmave për t’i parandaluar ato.

“Nga zyra ime kam qasje që të shoh se ai nuk është ndërtimi i vetëm jolegal. Unë do të dëshiroja që ndaj të gjitha ndërtimeve jolegale të reagoj Kuvendi komunal, sepse komunat do të funksionojnë në përputhje me vendimet që sjell kuvendi. Natyrisht, kjo duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës”, theksoi Hoxhiq.

Megjithatë, Hoxhiq, nuk ka mundur të japë ndonjë informacion, nëse në këto ndërtime janë implikuar pjesëtarë të strukturave paralele.

“Unë nuk mund ta pohoj një informacion të tillë, sepse atë informacion nuk e kam. Por, unë mund t’ju siguroj se do të përpiqemi që të shkojmë dhe t’ua tërheqim vërejtjen njerëzve që po ndërtojnë, se duhet ta ndërpresin ndërtimin jolegal”, tha Hoxhiq.

Ksenija Bozhoviq, kryetare e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së veriut, thotë se Kuvendi komunal dhe organet ekzekutive, pavarësisht se tash e 1 vjet janë formuar, nuk punojnë me kapacitete të plota dhe kjo ndikon në situatën në terren.

Megjithatë, sipas saj, deri më tash, Kuvendi komunal nuk ka marrë asnjë informatë nga ekzekutivi i komunës lidhur me ndërtimet në territorin e saj.

“Nuk kemi kurrfarë informacioni. Kuvendi është organi, ku pushteti ekzekutiv duhet të vijë dhe që aty të sillet vendimi për ndërtime dhe financimin e tyre. Ne deri më sot, nuk kemi sjellë asnjë vendim dhe pushteti ekzekutiv deri më sot nuk na ka propozuar asgjë në Kuvend dhe as nuk ka njoftuar këshilltarët për çfarëdo ndërtimi. Në përputhje me ligjin, këtë është dashur ta bëjë”, tha Bozhoviq.

Në anën tjetër, Radio Evropa e Lirë, me gjithë përpjekjet për të siguruar një përgjigje nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Garon Rakiq, lidhur me këtë çështje, nuk ka arritur që ta kontaktojë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG