Ndërlidhjet

Rrjetet sociale “informojnë” rekrutët e ardhshëm të IS-it


Militantë të Shtetit Islamik në Siri
Militantë të Shtetit Islamik në Siri

Jeta në organizatën më të zëshme terroriste në botë, nuk ta të bëjë vetëm me vrasje dhe trazira.

Pjesëtarë më me përvojë të Shtetit Islamik janë duke përdorur rrjetet sociale për t’iu përgjigjur pyetjeve të atyre që duan të bëhen militantë, të cilët duan të dinë se çfarë të veshin, sa ftohtë bëhet, nëse iu duhet t’i blejnë vetë armët e tyre, nëse ka internet dhe nëse u duhet të pastrojnë pas vetes.

Web faqja Ask.fm është bërë forum i famshëm për militantët anglo-folës, perëndimorë të Shtetit Islamik, të cilët flasin se si është jeta brenda në grupin ekstremist -- dhe përcjellin informata tek ata që po mendojnë të bashkohen me këtë grup.

"A do të ketë ngrohje qendrore?"

Disa rekrutë janë të shqetësuar që moti mund të jetë ndryshe nga ai që e kanë në shtëpi.

“Sa ftohtë bëhet atje akhy (vëllai im)?”, e pyet dikush një militant të Shtetit Islamik britanik, i cili e quan veten Abu Fariss.

Abu Fariss u tërhoqi vërejtjen rekrutëve potencialë se në Siri, militantët e IS-it nuk e kanë të njëjtën rehati si në shtëpi.

“Shuuuumë ftohtë dhe nuk është si në Britani, nuk ka ngrohje qendrore”, u tha ai të interesuarve në forum.

Abu Fariss i udhëzoi rekrutët potencialë të marrin me vete rroba të trasha.

“Po protezat e mia?”

Disa ushtarë potencialë të IS-it ishin të brengosur se në Siri dhe Irak mund të mos ketë kujdes shëndetësor si në Britani.

Një nga ta pyeti për dentistët: “a ka përkujdesje të mirë shëndetësore atje? Sepse unë mbaj proteza dhëmbësh...apo duhet të pres deri sa t’i heq (rreth 9 muaj) dhe pastaj bëj hijrah (emigrim)??”.

“Kam parë muxhahedinë me proteza, eja këtu inshallah (dhashtë zoti). Ka shërbime të mira shëndetësore”, përgjigjet Abu Fariss.

Abu Fariss pranoi te dikush tjetër se thjerrëzat me dioptri mund të paraqesin problem për militantët e grupit ekstremist.

“Sa lehtë është të merren thjerrëzat dioptri? A janë të kushtueshme?”, pyeti një person që dëshiron t’i bashkohet Shtetit Islamik.

“Abu dujana [një tjetër militant britanik i IS-it, që u vra në Siri] mbante thjerrëza. Ai kishte thënë që nuk i pëlqenin për shkak se kur kishte ndonjë urgjencë, i duheshin rreth 5 minuta për t’i vënë thjerrëzat...një tjetër problem është që pluhuri mund të të futet në sy kur jeni në betejë, gjë që përbën problem të madh. Ai parapëlqente të mbante syza”, shpjegoi Abu Fariss.

“A ka internet në Siri?”

Shumë persona që janë të interesuar të shkojnë në Siri pyesin se a ka lidhje jo-kabllore me internet (Wi-Fi) në Siri dhe Irak, apo a ka internet kafe.

“A mendoni se në të ardhmen do të përmirësohet lidhja me wi-fi? A do të jetë më i pranishëm për më shumë njerëz kur shteti bëhet më stabil dhe zgjerohet?”, deshi të dinte një rekrut potencial.

Abu Fariss u përgjigj në formë pozitive.

“A mund ta kem një skllave Yezidi?”

Për disa persona që duan t’i bashkohen Shtetit Islamik, tërheqja për të luftuar në Siri duket të jetë mjaft specifike.

“A mund të marrësh gratë e rrëmbyera si skllave? Si pronë e jotja?”, pyeti dikush në forum.

“Dawlah (IS) e rregullon atë punë”, ishte përgjigja e shkurtër.

“A më duhet të gatuaj dhe pastroj?”

Disa rekrutë ishin të brengosur rreth gatimit nëse shkojnë në Siri.

“A të duhet të gatuash për veten dhe të pastrosh çdo ditë?”, pyeti njëri.

Abu Fariss ishte i shpejtë për t’i siguruar ata: Shteti Islamik ka kuzhinierë. Megjithatë, militantëve iu duhet të gatuajnë për vete (përveç rasteve, natyrisht, kur ata sjellin të ëmën ose motrën me vete).

“Varet, nëse jeni i martuar merrni ditë pushimi. Gjithashtu varet edhe nga lloji i punës që bëni, nëse jeni në front (duke luftuar) shumë shpesh, ka kuzhinierë për katiba (brigadën) tuaj. Megjithatë, pastrimin duhet ta bëni vetë, përveç nëse jeni i martuar apo keni familjen me vete (nënën, motrën etj.)”, tha ai.

“Si duhet të vishem?”

“A duhet të marr tesha për të luftuar? A do më japë Shteti Islamik dem shalwar kamees (veshje tradicionale që vishen në pjesë jugore dhe qendrore të Azisë)?”, e pyeti dikush në forum një militant britanik të IS-it të quajtur Abu Qa’qa al-Britani.

Abu Qa’qa i siguroi të gjithë që Shteti Islamik ofron tesha për militantët e vetë.

“Dhe gjithashtu mund t’i blini këtu ose mund t’i qepni”, shtoi ai.

“Sa kushton, dhe a më duhet t’i blej vetë armët?”

Një tjetër person që shpreson t’i bashkohet IS-it, dëshiron të dijë sa para i duhen për të udhëtuar për në “khilafa land” -- vendet që kontrollohen nga militantët e Shtetit Islamik.

“Në tokën e Khilāfah (Kalifatit), realisht asgjë nuk sigurohet. Krejt çfarë duhet është të paguhet për të ardhur këtu”, përgjigjet Abu Qa’qa.

Gjithashtu, në temën e parave, të interesuarit duan të dinë se sa para do t’iu kushtojnë armët.

“A paguan për armët tua?”, pyet njëri.

“Jo, ne i marrim armët nga Dawlatul-Islāmiyyah (Shteti Islamik)”, ishte përgjigjja nga Abu Qa’qa.

“Merrni prindërit me vete”

Në mesin e atyre që mund të jenë rekrutë potencialë të Shtetit Islamik që i bëjnë pyetje Abu Farissit dhe Abu Qa’qas, janë edhe disa gra, që shumicën e kohës donin të dinin si ishte jeta për gratë që jetojnë në vendet e kontrolluara nga militantët e IS-it.

Një grua tha se ishte duke pasur dyshime të shkonte pa miratimin e prindërve.

Abu Qa’qa e siguroi atë se ajo duhet të shkojë në Siri, dhe t’i marrë prindërit me vete.

“Për ardhjen tënde, miratimi i prindërve tuaj nuk është i domosdoshëm, edhe pse është më mirë nëse mund ta marrësh nga ta. Megjithatë, më e mira do të ishte sikur të mund t’i merrje me vete. Sa i përket çështjes së edukimit, ka institute islamike për gratë këtu. Ndërsa për edukimin akademik, nuk jam i sigurt se sa larg mund të shkojë”, tha ai.

Përgatiti: Gresa Kraja

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG