Ndërlidhjet

Rrëfim për jetën nën regjimin e Shtetit Islamik


"I kaloj ditët vetëm, mbi kulme, duke shikuar. Refuzoj ta lë qytetin tim prapa".

Këto janë fjalët e një aktivisti anonim në Mosul, i cili shpjegon ndjenjat e dëshpërimit të thellë dhe tmerrit në qytetin irakian të kontrolluar nga Shteti Islamik (IS).

Ky aktivist, që besohet të jetë një ish-historian, ka hapur një faqe në Facebook, të quajtur Mosul Eye (Syri i Mosulit) për të dokumentuar jetën nën regjimin e IS-it.

Edhe pse e pamundur të verifikohet identiteti i autorit, monitoruesit në Irak kanë thënë (këtu dhe këtu) që informatat janë të besueshme.

Në postimin e tij të fundit, aktivisti anonim përshkruan ndjenjën e shkëputjes të cilën ai e përjeton, derisa është i detyruar të luajë rolin dhe të shtiret, në mënyrë që të mbijetojë nën regjimin brutal të vënë nga militantët e Shtetit Islamik.

Mosuli është nën kontrollin e IS-it që nga 10 qershori dhe sipas disa raporteve që dalin nga qyteti, jeta për qytetarët e këtij vendi është bërë shumë e vështirë.

"Unë për momentin jam duke jetuar një jetë që ka ekzistuar vetëm në ankthet e mia. Çdo lëvizje që e bëj, fjalë që e them, veprim që marr, është e ri-menduar disa herë", shkroi aktivisti më 6 nëntor.

Frika e këtij aktivisti arsyetohet. Ai përballet me vdekje të sigurt nëse identiteti i tij mësohet nga IS-i.

Që nga marrja e Mosulit, militantët e Shtetit Islamik kanë nisur një fushatë terrori kundër gazetarëve dhe aktivistëve mediatik, për të cilët grupi ekstremist frikësohet se mund të nxjerrin informata nga qyteti.

Shumë herë është raportuar për kidnapimet dhe ekzekutimet që iu bënë gazetarëve në Mosul...

Sipas agjencisë së lajmeve gjermane DPA, më 4 nëntor, militantët e IS-it i ekzekutuan me heqje koke katër gazetarë në këtë qytet.

Besohet se viktimat janë nga grupi i 12 gazetarëve që Shteti Islamik i kidnapoi dy javë më parë.

Më 28 tetor, një korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Irak raportoi se militantët e Shtetit Islamik arrestuan shtatë gazetarë nga lagje të ndryshme të Mosulit. Fati i këtyre 7 personave, ende nuk dihet.

"Ata nuk kanë qenë duke punuar, por zakonisht gazetarët shihen si përgjegjës kur dalin lajmet nga Mosuli, të bazuara vetëm nga dyshimet e jo nga faktet", tha korrespondenti i REL-it.

Aktivisti i Mosul Eye shkruan se për të mbijetuar, atij i duhet të bëjë, siç thotë ai "atë që e urrej dhe përçmoj".

“Siguria – fshehtësia – masa të cilat më duhet t’i përvetësoj, më kanë shtyrë të lexoj libra për kriteret dhe karakteristikat e oficerëve të inteligjencës dhe agjentëve sekretë. Po ashtu kam lexuar edhe shkrime për mekanizmat e minjve për të kaluar pengesat, si të fshihem dhe të zhdukem; të gjitha në mënyrë që të kem njohuri si të sillem me çfarëdo personi apo situate me të cilën ballafaqohem".

"Kam studiuar luftën psikologjike, mashtrimin verbal, dhe kam aktruar të marrin/çmendurin/idiotin në mënyrë që të kem kontroll mbi tjerët para meje. Kam përvetësuar disa karaktere dhe akte. Kam shikuar shumë filma dhe kam provuar të përvetësoj tregimet e tyre,” shkruan ai.

Në këtë atmosferë të tmerrshme të të jetuarit, aktivisti thotë se ende vazhdon të ia dalë të "ëndërrojë një komb civil".

"Dhe pa pritur e pa kujtuar, të gjitha ëndrrat e mia, shpresat, aspiratat...treten", pranon ai.

Kohët e fundit, një video dyminutësh i bërë në Mosul nga një gazetar i fshehtë, tregon një pamje të rrallë të jetës në qytet.

Materiali tregon se si militantët e IS-it përzihen me banorët, edhe pse rrugët paraqiten relativisht të shkreta.

Përgatiti: Gresa Kraja

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG