Ndërlidhjet

PDK dhe VLAN nuk ndryshojnë qëndrime


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Dy blloqet më të mëdha politike në Kuvendin e Kosovës as sot nuk kanë dalë me ndonjë opsion të ri për tejkalimin e krizës institucionale.

Partia Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj Hashim Thaçi u ka bërë thirrje partitë tjera të përfaqësuara në Kuvend që t'i përgjigjen presidentes Atifete Jahjaga dhe së bashku të ulën dhe gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.

Ai ka shprehur besimin e tij se ngërçi politik nuk mund të tejkalohet pa Partinë Demokratike të Kosovës.

"Mesazhet dhe ofertat tona kanë qenë të vazhdueshme për t'u ulur, diskutuar e komunikuar si e vetmja mundësi, sepse nuk ka tejkalim të ngërçit pa pjesëmarrjen e PDK-së si parti fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit", ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër edhe koalicioni i partive të bllokut Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje nuk kanë prezantuar ndonjë opsion që do të siguronte tejkalimin e krizës.

Liderët e këtyre partive politike janë takuar sërish të hënën për dy orë, por në fund, nuk është bërë i ditur nëse është arritur ndonjë marrëveshje e re, përveç se është konfirmuar se koalicioni do të vazhdojë tutje.

Çështja kryesore që pritej të sqarohej nga ky takim ishte se a mund të ndodhë ridefinimi i marrëveshjes, sidomos ndërmjet LDK-së dhe AAK-së për postin e kryeministrit.

Nevoja për ridefinimin e marrëveshjes ishte potencuar kohët e fundit edhe nga zyrtarët e LDK-së të cilët nuk po shohin mundësi që lideri i tyre Isa Mustafa të merr postin e kryetarit të Kuvendit, pasi që Gjykata Kushtetuese e kishte interpretuar se këtë post mund ta merr vetëm partia fituese.

Konkluzionet para mediave, i ka prezantuar lideri i partisë Nisma, Fatmir Limaj i cili nuk u lëshua në detajet e takimit por siguroi se koalicioni mbetet unik dhe i vendosur që si shumicë parlamentare t'i formojë institucionet e reja.

"Koalicioni është fuqishëm bashkë, veprimet tona janë të përbashkëta. Ata që mendojë dhe dyshojnë në ndonjë përçarje e kanë gabim. Ne jemi fuqishëm bashkë dhe fuqishëm të përcaktuar që vendit ti japim një qeverisje të shumicës. Dua t’i sigurojë të gjithë qytetarët e këtij vendi se Kosova shumë shpejt do t’i ketë institucionet e veta dhe në Kosovë do të qeverisë shumica parlamentare", ka thënë Limaj.

Në LDK, nga fundjava e kaluar janë paralajmëruar hapa që qojnë kah kërkesa e kësaj partie për postin e kryeministrit.

Ndërkaq në anën tjetër, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk janë dhënë ende kurrfarë shenjash apo mesazhesh politike se Ramush Haradinaj do të ishte i gatshëm të lëshonte kandidaturën e tij për kryeministër.

Sidoqoftë, kjo javë po paralajmërohet si vendimtare për liderët dhe partitë politike që të arrijnë një marrëveshje për tejkalimin e krizës.

Në rast të dështimit, atëherë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka paralajmëruar partitë politike se mund të përballen edhe me sfidën e re të zgjedhjeve ët parakohshme parlamentare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG