Ndërlidhjet

Sfidat e mundshme të zgjedhjeve të parakohshme


Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, mbeten si opsion për tejkalimin e krizës institucionale, në rast se liderët dhe partitë politike nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje ditëve në vijim.

Organizimi i tyre në ambientin e krijuar politik dhe afatin e shkurtër kohor, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe njohësve të proceseve zgjedhore, parashihet të jetë me mjaft shumë sfida.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka tha për Radion Evropa e Lirë se nëse vendoset që të ketë zgjedhje së shpejti, ato do të organizohen, por sfidat do të jenë të pashmangshme.

“Nëse zgjedhjet shpallen, atëherë me siguri që sfidat do të jenë ato që i kemi pasur edhe për zgjedhjet e kaluara. Është kohë jashtëzakonisht e shkurtër, afatet ligjore të shkurtuar, dita e shkurtër".

"Votimi jashtë Kosovës, mundësia e qytetarëve jashtë Kosovës që të votojnë si dhe manipulimet eventuale në votimin jashtë Kosovës. Pra, ato sfida që i kemi pasur gjithmonë”, tha zonja Daka.

Kryetarja e KQZ-së, theksoi se si pasojë e krizës institucionale së tanishme dhe në rast të shkuarjes në zgjedhje, mund të ketë tendencë për manipulim.

“(Manipulimi) nuk eliminohet edhe ajo mundësi, për shkak të vetë krizës politike e cila është tash. Për shkak të klimës, e cila është në përgjithësi e tillë dhe për shkak të dëshirës së madhe për t’i fituar ato zgjedhje, as ajo nuk eliminohet”, tha Daka, duke shtuar se për organizimin eventual të këtyre zgjedhjeve nevojiten rreth 5 milionë euro.

Edhe Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në rast të organizimit të zgjedhjeve, tentimet për manipulimin e votave nuk mund të përjashtohen.

“Gjithsesi do të ketë tentativa për parregullsi dhe do të dëmtojnë imazhin e krijuar nga zgjedhjet e kaluara, para gjashtë muajve. Është sfidë në organizimin e procesit, kemi diskutime mbi legjitimitetin e KQZ-së dhe ato sfida juridike".

"Por, ka edhe elemente të tjera të cilat mendoj qe janë sfidë për monitorimin e procesit, për koston financiare që i nevojitet edhe shoqërisë civile me qenë në këtë proces”, tha Kryeziu.

Kryeziu thekson se organizimi i një palë zgjedhjeve të parakohshme në ketë kohë për shkak të situatës se krijuar, mund të mos sjell rezultatin e duhur.

“Mendoj se këto janë sfidat kryesore të cilat e bëjnë një proces i cili mund të mos prodhoj legjitimitetin e duhur nga aspekti juridik, por edhe politik kur kemi parasysh ketë situatë, e cila është betonizuar ndërmjet subjekteve politike dhe e cila përditë e me tepër ka një gjuhë të ashpër dhe e cila do të reflektojë edhe në procesin zgjedhor”, tha Kryeziu.

Sidoqoftë, njohësit e proceseve zgjedhore theksojnë se liderët partiakë në rast në mbajtjes se zgjedhjeve duhet t’ua bëjnë të qartë të gjithë vartësve dhe militantëve të tyre se vota e lirë nuk bën të preket dhe abuzohet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG