Ndërlidhjet

Prijësit fetarë, mesazhe për tolerance dhe bashkëjetesë


Kosovë
Kosovë

Bashkësitë fetare në Kosovë po angazhohen dhe do të angazhohen edhe në të ardhmen, për tolerancë, barazi dhe paqe ndërmjet njerëzve të besimeve të ndryshme në vend, është thënë në konferencën e dytë vjetore të dialogut ndërfetar, e cila u mbajt të enjten, nën organizimin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë.

Ambasadori Jean –Claude Schlumberger, shef i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, në hapje të kësaj konference ka theksuar se është mjaft e rëndësishme prania e përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve fetare në Kosovë në një takim të përbashkët, siç është konferenca për dialogun ndërfetar, e cila është organizuar për herë të dytë.

“Është e rëndësishme që liderët e komuniteteve fetare të forcojnë kulturën e besimit të ndërsjellë dhe të kërkojnë mënyra për të bashkëpunuar edhe më shumë”.

“Edhe pse nuk është përgjegjësi direkte e qeverisë së Kosovës që të formalizojë apo vendos dialogun ndërfetar, ajo duhet të krijojë kushte për zhvillimin e një dialogu të këtillë”, ka theksuar ambasadori Schlumberger.

Në anën tjetër, prijësit e komuniteteve fetare islamike, serbe ortodokse, katolike, protestante ungjillore dhe hebraike në Kosovë, kanë theksuar nevojën për përmirësim të kornizës ligjore, e cila do tu mundësonte komuniteteve fetare të regjistrohen si persona juridik, të kërkojnë rikthim të pronës dhe të rregullojnë financat e tyre.

Gjithashtu, ata kanë folur për një ambient, në të cilin mbretëron toleranca ndërfetare, por edhe sfidat për ruajtjen e një ambienti të tillë.

Myftiu Naim Tërrnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka theksuar se fuqizimi i Këshillit ndërfetarë është i nevojshëm për koordinimin e çështjeve të përbashkëta.

Myftiu Tërnava ka theksuar se bashkësitë fetare në Kosovë nuk kanë probleme ndërmjet tyre dhe ato bashkëpunojnë dhe përpiqen të japin kontributin e tyre në kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimit.

Por, sipas tij, ka edhe raste, sikurse ai ditë më parë, i shkrimeve fyese në muret e Manastirit të Deçanit, të cilat ai i ka konsideruar si vepër e ulët dhe dënueshme nga të gjithë.

“E kemi dënuar dhe do ta dënojmë çdo orvatje, e cila tenton që të na e minoj bashkëjetesën dhe tolerancën e kultivuar shekuj me radhë. Këto, për ne, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë vepra të papranueshme".

"Dëshiroj që të shfrytëzoj këtë mundësi që më është dhënë dhe t’ju ftoj të gjithëve që brezat e ri t’i edukojmë në frymën e mirëkuptimit të bashkëjetesës, në frymën pozitive dhe të tolerancës ndërfetare, në mënyrë që të gjithë të jetojmë në paqe dhe lumturi. Këtë amanet ua kemi borxh brezave të tashëm dhe të ardhshëm”, tha Tërnava.

Peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, i cili udhëheqë Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, ka thënë se në shoqërinë kosovare dialogu është alternativa e vetme dhe e sheh si mjaft pozitiv faktin që në një dialog të tillë bëjnë pjesë prijësit e komuniteteve fetare.

Sipas tij, tashmë ndërmjet tyre ekziston një shkallë e lartë e besimit dhe marrëdhënies ndër njerëzore gjë që është parakusht për qëllimet që synohen në Kosovë..

“Ky besim që ekziston ndërmjet nesh, na ndihmon që të tejkalojmë shumë vështirësi. Së pari, krejt ajo që ka ndodhur në të kaluarën e afërt, të gjitha ato plagë t’i shërojmë dhe në të tashmen të bëjmë atë që na ndërton neve si popull dhe këtë shoqëri dhe të bëjmë vepra që janë të dinjitetshme për thirrjen tonë, për emrat tanë dhe për atë që ne përfaqësojmë”, theksoi peshkopi Teodosije.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, drejtues i Administratës Apostolike të Kosovës, ka theksuar se detyra e prijësve të bashkësive fetare është që t’i mësojnë besimtarët që të jenë bashkëpunëtor në ndërtimin e paqes.

Kemi dhënë një dëshmi të mirë dhe do të vazhdojmë këtë dëshmi, për të qenë solidar nëse do të kërcënohet e drejta dhe liria e njërës bashkësi. Do të vazhdojmë sigurisht, në çdo kuptim dhe çdo herë, të jemi bartës për të dërguar tek të gjithë njerëzit mesazhin e pajtimit, sepse, paqe pa pajtim nuk ka”, tha Dodë Gjergji.

Mesazhe për tolerancën dhe bashkëjetesën e komuniteteve fetare në Kosovë ka dërguar edhe udhëheqësi i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, pastori Driton Krasniqi.

Madje, sipas tij, kjo tolerancë duhet t’iu shërbej si shembull edhe liderëve politik.

“Ky dialog dhe bashkëpunim ndërmjet prijësve fetar, i dëshmuar edhe sot, duhet të bëhet precedent i mirë edhe për drejtuesit politik”, u shpreh Krasniqi.

Ngjashëm ka theksuar edhe Votim Demiri, udhëheqës i Bashkësisë Hebraike të Kosovës.

“Emëruesi i përbashkët i të gjithëve është paqe. Paqe për ata që janë afër dhe paqe për ata që janë larg”, thekson Demiri.

Ndryshe, Konferenca e dialogut ndërfetar, përmbyll një cikël prej 20 forumeve ndërfetare të mbajtura në nivel lokal, dy kampeve ndërfetare për të rinj, si dhe takimit të parë ndërfetar me gra.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG