Ndërlidhjet

Femrat të jenë pjesëmarrëse në ndarjen e pasurisë


Ilustrim
Ilustrim

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë inkurajojnë gratë dhe vajzat që të jenë pjesëmarrëse në ndarjen e pasurisë familjare dhe njëherësh pronat t'i regjistrojnë në emër të tyre dhe në emër të përbashkët më bashkëshortët.

Sipas tyre, gratë dhe vajzat në këtë mënyrë avancohen edhe në aspektin ekonomik.

Gjysma e popullatës së përgjithshme në Kosovë përfaqësohet nga gjinia femërore, por pavarësisht nga kjo, mbi 80 për qind e pronave të paluajtshme janë të regjistruara në emër të gjinisë mashkullore.

Për këtë çështje, nën patronatin e presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka filluar fushata nacionale më moton “Për të mirën tonë”, me synim të përmirësimit të barazisë gjinore në regjistrimin e pronës.

E drejta në pronë është e drejtë themelore që garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjeve ekzistuese në fuqi, dhe kjo e drejtë duhet të shfrytëzohet nga vetë gratë, tha presidentja Jahjaja.

“Ne vazhdojmë të përballemi me realitetin e hidhur ku gratë dhe vajzat përbëjnë shtresën më pak të avancuar ekonomikisht, më pak të përfaqësuara në tavolinat vendimmarrëse, më pak prezente në bankat shkollore, më pak mundësi dhe qasje në çdo fushe të jetës”, tha Jahjaga.

Edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Tracey Ann Jacobson, ka thënë se mungesa e regjistrimit të pronës në emër të gjinisë femërore është problem në gjithë vendin.

Mosregjistrimi i pronës në emër të grave dhe vajzave i vë në pozitë të vështirë edhe në aspektin ekonomik, tha Jacobson, pasi nuk kanë qasje në kredi për shkak të mungesës së hipotekave.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara po ashtu është e përkushtuar me gjithë këtë cështje, që të përmirësojë proceset e regjistrimit në prona dhe proceset e trashëgimisë. Në maj të këtij viti, për mes Agjencisë se Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim (USAID) kemi lansuar një program të ri për të drejtën e pronës, i cili është i fokusuar në përmirësimin e procedurave gjyqësore dhe gjithashtu vetëdijesimin e publikut”, tha Jacobson

Në rast të vullnetit të grave për të regjistruar pronat në emër të tyre apo emër të përbashkët me bashkëshortët, autoritet kompetente kanë lehtësuar procedurat për këtë çështje.

Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha, tha se në bazë të një udhëzimi administrativ të kësaj agjencie është vendosur që regjistrimi i pronës në emër të dy bashkëshortëve mos të bëhet për secilin veç e veç, por të bëhet vetëm një pagesë, që sipas tij, është një lehtësi institucionale për këtë çështje.

Ne e dimë që të drejtat e njeriut parashohin të drejtat e njeriut dhe jo të ndarë për femra dhe për meshkuj. Prandaj ne do të realizojmë më përkushtim dhe më besueshmëri të plotë sepse në vitin 2012 ne kemi pasur 14 për qind të pronave të regjistruara në bashkëpronësi ose vetëm në pronësi të femrave, kurse tani kemi 16.2 për qind që do të thotë është një rritje graduale”, ka thënë Meha.

E drejta e trashëgimisë dhe e drejta në pronë garantohet më ligj, është thënë gjatë konferencës dhe askujt nuk mund t’i mohohet mundësia për të gëzuar në mënyrë të barabartë të drejtën në pronë.

Realizimi i së drejtës së gruas në pronës si personale ashtu edhe të përbashkët, do të ndikon në mirëqenies e vetë gruas, fëmijëve dhe familjes në tërësi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG