Ndërlidhjet

Femrat ngurrojnë të kërkojnë "hisen"


Gratë në Kosovë, në shumicën e rasteve, nuk e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë familjare, dhe në këtë mënyrë përqindja e pronave të paluajtshme të regjistruara në emër të tyre, apo në emër të përbashkët të bashkëshortëve, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile mbetet shumë i vogël

Agjencia Kadastrale e Kosovës e bën regjistrimin e të drejtave mbi pronën e paluajtshme si pronarë apo në bashkëpronarë.

Kryeshefi ekzekutiv i kësaj agjencie, Murat Meha, për Radion Evropa e Lirë thotë se megjithatë është rritur interesimi i femrave që pronën të regjistrojnë në emër të tyre apo në bashkëpronësi me bashkëshortët.

“Dua t'ju jap një informacion shumë të saktë se në vitin 2012 kemi pasur 14 për qind të pronave të regjistruara në emër të femrave, në pronësi apo bashkëpronësi, në vitin 2013 kanë qenë 15.7 kurse deri më tani kemi 16.2 për qind të pronave të regjistruara në emër të femrave", thekson Meha.

Madje, në bazë të një udhëzimi administrativ të Agjencia Kadastrale e Kosovës, thotë Meha, është vendosur që regjistrimi i pronës në emër të dy bashkëshortëve mos të bëhet për secilin veç e veç, por të bëhet vetëm një pagesë, që sipas tij, është një lehtësi institucionale për këtë çështje.

Kjo çështje është e rregulluar edhe me Ligjin Kundër Diskriminimit. Sipas këtij ligji, trashëgimtarët femra dhe meshkuj, mund të disponojë pjesën e tyre trashëgimore dhe ta tjetërsojnë, pas regjistrimit si pasuri e tyre trashëgimore.

Por, normat kulturore dhe traditat paraqiten sfida përball të drejtës në bazë të ligjeve ekzistuese, thonë përfaqësues të shoqërisë civile, sipas të cilëve, femrat në pak raste janë pronare të ndonjë prone të paluajtshme, si vajza, por edhe në martesë.

Diamant Binaku, menaxher i përgjithshëm në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore tregon disa nga arsyet pse femrat heqin dorë nga e drejta e tyre pronësore.

“Duke filluar nga sistemi patriarkal nëpër të cilin ka kaluar shoqëria e Kosovës dekada e shekuj më radhë. Pra fillon prej traditës se familjes. Ende ekziston vetëdija e ulët e femrave për të kërkuar 'hisen' e tyre të trashëgimisë prej prindërve, por edhe bashkëpronësinë, punën e përbashkët që bëjnë pas martesës me burrin”, thekson Binaku.

Se në raste të caktuara vetë femrat heqin dorë nga pasuria e përbashkët e familjes, tregon edhe Arjeta Imeri, nga qyteti i Gjilanit.

Arjeta, e cila studion Fakultetin Juridik, në Universitetin e Prishtinës, thotë se në rast të ndarjes së pasurisë familjare, nuk do të kërkojë diçka të tillë, pasi sipas saj, pasuria i takon vetëm anëtarëve të familjes të gjinisë mashkullore.

”Pjesa e pasurisë, i takon mashkullit. Unë nuk kërkoj të më ndahet pasuria familjare. Nuk më takon thjeshtë”, thotë Arjeta.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se femrat nuk duhet të dorëzohen para këtyre traditave dhe të pranojnë rolin e viktimës, por duhet të vetëdijesohen që të kërkojnë të drejtat e tyre legjitime sa i përket trashëgimisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG