Dhuna në mjediset edukativo-arsimore, jashtë tyre, por edhe në shtëpitë e shumë familjeve kosovare, vazhdon të jetë prezente.
Kështu kanë deklaruar të shtunën përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, por edhe ata të institucionit të Avokatit të Popullit.
Përfaqësuesit e organizatës “Syri i Vizionit” kanë përfunduar një javë me aktivitete, që kanë pasur për qëllim vetëdijesimin e fëmijëve për raportimin e dhunës.
Nasar Lajçi, nga organizata “Syri i Vizionit”, tregon se nga hulumtimet e bëra, del se dhuna te fëmijët në shkolla, jashtë shkollave, por edhe në familje, është evidente.
“Nëse ne i vizitojmë shkollat dhe i takojmë nxënësit, na tregojnë raste të ndryshme. Për këtë themi se dhuna është e pranishme kudo ndaj fëmijëve. Mirëpo, me rritjen e vetëdijes së fëmijëve dhe me rritjen e besimit të tyre për të denoncuar dhunën, kemi rritje të denoncimit të rasteve të dhunës”, thotë Lajçi.
Ai tregon se në shumë shkolla, drejtorët, në mënyrë që të mos krijohet imazh i keq për shkollën përkatëse, heshtin ndaj dhunës që u bëhet fëmijëve gjatë procesit mësimor.
“...por, ka raste ku drejtorët e arsimit njoftojnë drejtpërdrejt policinë se në shkollat e tyre ka pasur raste dhune”, shton Lajçi.
Edhe në institucionin e Avokatiti të Popullit thuhet se dhuna ndaj fëmijeve është e shprehur në Kosovë. Majlinda Sinani - Lulaj, zëdhënëse e Avokatit të Popullit, thotë se ky institucion u kushton rëndësi të veçantë fëmijëve.
Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e dhunës te femijët, në insitucionin e tyre trajtohet nga një grup i veçantë i juristëve.
“Dhuna është e shprehur jashtëzakonisht shumë edhe në shkolla, jo vetem në raport arsimtar-fëmijë, por edhe në raportin ndërmjet fëmijeve. Kjo i ka efektet e veta negative dhe reflektohen më vonë në jetën e tyre. Natyrisht ka pasoja nëse shoqëria nuk i kushton kujdes”, thotë Lulaj.
Organet e rendit thonë se përmes aktiviteteve të ndryshme policore mundohen që të parandalojnë dhunën ndaj fëmijëve.
“Mund të them se Policia e Kosovës është përgjegjëse për rastet, të cilat janë jashtë ambienteve shkollore, mirëpo edhe në rastet në shkolla, policia, me raportimin e rastit, ndërmerr veprime”, thotë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare kanë thënë se në shoqërinë kosovare, fëmijët mbeten kategoria, të cilës më së shumti i cenohen të drejtat. Shkollat, sipas tyre, janë ato hapësira ku më së shumti ushtrohet dhunë edhe nga grupe fëmijësh.