Ndërlidhjet

LAN pa VV-në, këmbëngul te presidentja për sqarime


Liderët e partive të koalicionit LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje
Liderët e partive të koalicionit LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje

Liderët e partive të koalicionit LDK, AAK dhe Nisma këmbëngulin që Presidentja Atifete Jahjaga të sqarojë situatën politike në vend, pas bllokadës që po zgjat me muaj.

Pas një takimi që kanë mbajtur të enjten, kryetarët e katër partive të koalicionit, identik me qëndrime dolën Isa Mustafa (LDK), Ramush Haradinaj (AAK) dhe Fatmir Limaj (Nisma), Përderisa lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk kishte nënshkruar kërkesën.

Liderët e koalicionit nuk dolën me qëndrime se si do të veprojnë tutje rreth formimit të institucioneve, por kryesisht kanë kërkuar që presidentja të veproj. Ky grupim i partive parlamentare insiston që si shumicë e krijuar në Kuvend përmes

Presidentes të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese që ta sqarojë aktgjykimin e saj se a kanë të drejtë edhe partitë tjera të propozojnë kryetarin e Kuvendit, pasi që Partia Demokratike e Kosovës, si fituese e zgjedhjeve, nuk po arrin të siguroj shumicën në Kuvend.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka cilësuar absurd vendimin e Presidentes, e cila nuk e kishte përfillur një kërkesë të deputetëve nga komunitetet pakicë për sqarime shtesë rreth pikës 127 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth postit të kryetarit të Kuvendit. Kështu që tani, partitë e koalicionit pas zgjedhor kishin vendosur që t’i drejtojnë Jahjagës edhe njëherë kërkesën.

“Ne kemi marr vendim me që t'i drejtohemi në radhë të parë Presidentes. Ne e dimë se Presidentja ka pas një kërkesë prej minoriteteve dhe e dimë përgjigjen. Por ne ju kemi drejtuar asaj më një kërkesë me shpjegimin paraprak se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe, duke e respektuar funksionin që ajo kryen dhe të kërkojë sqarime për dalje nga gjendja ekzistuese”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas liderit të AAK-së, pas ditës së sotme, blloku i partive të koalicionit po hyn në fazën vepruese, por ai nuk ka sqaruar se për çfarë veprimesh bëhet fjalë.

“Nëse presidentja e sjellë shpjegimin e njëjtë si ndaj komuniteteve, atëherë ne e kemi planin tonë të veprimit të mëtejmë”, ka thënë Haradinaj.

Kërkesa që në emër të bllokut u prezantua nga Haradinaj, nuk është nënshkruar edhe nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ky i fundit ka propozuar që blloku t’i ketë parasysh dy opsione, duke përfshi edhe heqjen dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit.

“Shumica parlamentare ose duhet të vazhdoj me ngulm se ose nuk duhet përfillur e nuk duhet pranuar vendimet e tilla të Gjykatës Kushtetuese e cila nuk ka më as kredibilitet e as legjitimitet, ose duhet ta trajtoj këtë nga këndvështrimi se posti i kryeparlamentarit i parëndësishëm dhe nuk do të duhej të na marrë aq shumë mund dhe të insistojmë në të”, ka theksuar Kurti.

Takimi i sotëm i bllokut pas zgjedhor u mbajt në kohën kur po komentohen shumë disa deklarata të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët kishte deklaruar se edhe te partitë e këtij blloku ka hajna, por ata, sipas tij, janë të ligës së dytë, krahasuar me ata të PDK-së, që Kurti i ka ranguar në nivel të superligës.

Haradinaj ka thënë se këto deklarata nuk ndihmojnë procesin, por tash për tash sipas tij, është me rëndësi që liderët të fokusohen në çështje më të rëndësishme siç është formimi i institucioneve.

Përderisa partitë e bllokut insistojnë që presidentja të sqaroj anën politike e kushtetuese të krizës rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, shefja e shtetit i ka alarmuar partitë politike se me veprimet e tyre po e shtyjnë vendin drejt krizës politike, financiare e buxhetore.

Madje, presidentja u kishte dhënë së fundit partive politike edhe opsionin e zgjedhjeve të reja nëse ato nuk janë në gjendje që të gjejnë zgjidhje për krizën aktuale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG