Pas vendimit të presidentes Atifete Jahjaga që të mos i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë rreth pikës 127 të aktgjykimit për kryetarin e Kuvendit, tani blloku i partive të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosjes është duke e shqyrtuar mundësinë që vetë t’i drejtohet Kushtetueses.
Një hap i tillë, po konsiderohet ndër të fundit, para se presidentja Jahjaga t’u japw disa afate konkrete partive politike që të gjejnë zgjidhje për formimin e institucioneve, nëse duan t’i shmangin zgjedhjet e reja.
Nisur nga bllokada e krijuar rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, deputetë nga radhët e partive të minoriteteve i ishin drejtuar Jahjagës me një kërkesë që ajo të merrte sqarime nga Gjykata Kushtetuese.
Kërkesa mëtonte të sqaronte nëse ka hapësirë kushtetuese që edhe partitë tjera, përveç Partisë Demokratike të Kosovës si fituese e zgjedhjeve, kanë të drejtë të propozojnë kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit.
Përgjigja negative e presidentes, sipas deputetes boshnjake, Duda Balje, i ka zhgënjyer komunitetet pakicë.
“Ne jemi të pakënaqur me përgjigjen e presidentes, ngase ne e konsideronim atë si lehtësuese mes deputetëve dhe Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Duda Balje.
Sipas saj, tani u takon partive tjera politike, sidomos atyre të bllokut LDK – AAK - Nisma dhe Vetëvendosje që t’i drejtohen me të njëjtën kërkesë për sqarime Gjykatës Kushtetuese, ngase opsionet tjera mund të çojnë kah zgjedhjet.
Pakënaqësinë e vet me vendimin e presidentes e ka shprehur edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se partitë e bllokut do të ulen në një takim të enjten, kur edhe mund të vendosin për hapat e mëtutjeshëm, ndër të cilët është edhe ai i procedimit në Kushtetuese të kërkesës për sqarimin e pikës 127.
“Unë jam pak i shqetësuar me këtë qasje të presidentes, për shkak se komunitetet e kanë dhënë një kontribut të tyre edhe kanë kërkuar ndihmë se si të dilet nga gjendja. Tani ne, si deputetë, do të shfrytëzojmë rrugën që na mbetet dhe s’na mbetet tjetër pos që vetë t’i drejtohemi Gjykatës dhe besoj se do t’i drejtohemi”, është shprehur Haradinaj.
Blloku i partive LDK – AAK - Nisma dhe Vetëvendosje, ndonëse nuk po gjen hapësirë kushtetuese për postin e kryetarit të Kuvendit, po refuzon t’i bëjë lëshime Partisë Demokratike e Kosovës që ajo ta marrë këtë post.
Kurse PDK-ja, edhe pse fituese e zgjedhjeve nuk po arrin të marrë mbështetjen në Kuvend, por as nuk po tërhiqet në opozitë.
Për këtë bllokadë të krijuar, zyrtarë të PDK-së, të mërkurën nuk kanë preferuar të flasin, duke rikujtuar qëndrimin e tyre se institucionet duhet të themelohen mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve, aktvendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës së Kosovës.
Në anën tjetër, presidentja Atifete Jahjaga u ka bërë thirrje të dyja blloqeve politike në Kuvend që të ulen dhe gjejnë kompromis, ngase vendi po rrezikon të zhytet në krizë politike, ekonomike dhe buxhetore. Zvarritjet, sipas presidentes po e luhatin edhe partneritetin e Kosovës me shtetet tjera mike.