Gjësendet e ndryshme të rreth njëmijë peronave të zhvarrosur nga varrezat masive në Serbi, janë duke u shkatërruar.
Ato janë të vendosura në një tendë të papërshtatshme, në oborrin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Gjërat personale që u takonin njerëzve që u zhvarrosën, janë të vendosura aty që nga kontingjenti i parë i kthimit të mbetjeve mortore nga Serbia dhe varrezat e tjera.
Familjarët e personave të vrarë, kohë më parë janë pajtuar që ato të vendosen në një muze, por institucionet e vendit deri më tash nuk kanë realizuar kërkesën e familjarëve.
Kryetarja e organizatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, Nesrete Kumnova, tha për Radion Evropa e Lirë se mosveprimi i institucioneve lidhur me këtë çështje ka dyfishuar dhimbjen te familjarët që kanë humbur të dashurit e tyre.
“Është një dhimbje e dyfishtë për këto familje sepse kjo është dëshmia ma e mirë që duhet të ekzitojë dhe që gjeneratat e ardhshme mos të harrojnë se çka kanë bërë kriminelet në Kosovë. Pse nuk merren institucionet e Kosovës ata më së miri e dinë. Por, unë mendoj se kjo është neglizhencë e institucioneve që nuk merren me ketë çështje”, tha Kumnova.
Në vitin 2004, familjarët e të vrarëve kanë dhënë propozimin e tyre që të ndërtohet një muze i ngjashëm siç janë muzetë për viktimat e Holokaustit.
Sipas familjarëve, ato artifakte, do të dëshmonin për luftën dhe krimet që janë bërë nga ushtria dhe Policia e Serbisë në Kosovë.
Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore Arsim Gërxhaliu tha për Radion Evropa e Lirë se gjësendet e personave të vrarë në luftë, që janë të vendosura në pako letre po shkatërrohen.
“Po e shoh që janë duke u shkatërruar dita- ditës. Janë në temperatura joadekuate të ruajtjes dhe ato thjesht shkatërrohen edhe prej vetë atmosferës, kushteve klimatike- verë- dimër benë që ato të shkatërrohen”, tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu tha po ashtu se para tri vjetëve ka pasur një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Departamentit të Mjekësisë Ligjore dhe Muzeut të Kosovës, që këto gjëra të vendosen në një vend në muze por marrëveshja nuk u realizua.
Gërxhaliu theksoi se disa herë ka shprehur shqetësimet të organet kompetente, por nuk është ndërmarrë asgjë.
Kurse, Prenk Gjetaj kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, tha se derisa të ndërtohet një memorial, janë në bisedime me zyrtarët e Muzeut të Kosovës që këto gjësende t'i vendosin aty.
“Jemi në bisedime me drejtorinë e Muzeut në mënyrë që të bëjmë një zgjidhje, të heqim nga hapësirat e Departamentit të Mjekësisë Ligjore t'i dërgojmë atje (në muze), t'i vendosim në kuti pak më mira deri në momentin kur të bëhet memoriali të qëndrojnë aty”, tha Gjetaj.
Më shumë se 14 vjet pas luftës, rreth 1,700 persona ende konsiderohen të zhdukur.
Një varrezë masive është zbuluar në Rudnicë të Rashkës në dhjetor të vitit të kaluar.
Ekipet mjeko-ligjore kanë gjetur mbetjet mortore të rreth 50 personave, dhe ata dyshojnë që në atë zonë janë rreth 250 trupa të varrosur të shqiptarëve.