Ndërlidhjet

Kosova me rrezikshmëri të ulët nga virusi Ebola


Numri i viktimave nga sëmundja vdekjeprurëse, Ebola, është rritur nga 3,400 në 3,879, ka njoftuar të mërkurën, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Ndryshe, kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ngritur një grup pune të posaçëm ndër-institucional, i cili do të merret hapat e nevojshëm për të vëzhguar gjendjen dhe parandaluar përhapjen e virusit Ebola në Kosovë”.

Tashmë Ebola ka depërtuar edhe në vendet e Evropës, si në Spanjë, ku është shënuar një rast, dhe një tjetër rast është shënuar ditën e enjte në Maqedoni, e që dyshohet se personi në fjalë ka vdekur nga virusi Ebola.

Zyrtarë shëndetësorë në vend thonë se Kosova ka kapacitetet për monitorimin, diagnostikimin dhe trajtimin e virusit Ebola në rast të paraqitjes së sëmundjes.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova është vend me rrezikshmëri të ulët nga virusi Ebola, por jo edhe vend i izoluar ku nuk do të mund të ndodhte ndonjë rast.

Duke pasur parasysh që një rast po dyshohet në Maqedoni, Republika e Maqedonisë ka marrë masa dhe ka dërguar mostrat në laboratorin referent në Hamburg të Gjermanisë, dhe meqë lajmi ka ardhur mbrëmë në mesnatë, ne si Institut Kombëtar jemi në gjendje gatishmërie 24 orë. Ne me kohë i kemi bërë përgatitjet dhe kemi dërguar informata në të gjitha institucionet relevante prej Ministrisë së Shëndetësisë dhe shërbimit spitalor klinik universitar”.

“Ne, si Kosovë, jemi me risk të vogël, por jo edhe vend i izoluar ku nuk do të mund të ndodhin rastet e Ebolës së importuar eventualisht nga vendet endemike. Instituti Kombëtar që nga rastet e para, është në gjendje gatishmërie për të identifikuar ndonjë rast eventual të epidemisë”, thotë Ramadani.

Ai, gjithashtu, ka thënë se edhe me zyrtarë nga Aeroporti Ndërkombëtar kanë kontakte të vazhdueshme, për monitorimin e gjendjes.

“Vazhdimisht kemi kontakte edhe me Aeroportin ndërkombëtar, e kemi vizituar dhe ata kanë kapacitete, ka shërbime shëndetësore me hapësire të mjaftueshme, ka personel shëndetësor dhe posedon pajisje mjekësore ku pacientët mund aty të qëndrojnë për një kohë”.

“Por, ne do t’i dërgojmë shkresa vazhdimisht, nga përditësimi i rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që ata praktikisht të kenë edhe shtretër dhoma izoluese dhe duhet të kenë pajisje mbrojtëse të sigurisë së lartë, derisa autoambulancën e kanë tashmë, por kanë edhe boks izolator”, ka shpjeguar Ramadani.

Në anën tjetër, Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka bërë të ditur se, edhe pse në rajonin evropian në bazë të analizave të OBSH-së mund të ketë ndonjë rast sporadik, por nuk pritet që të ketë epidemi të atyre përmasave që aktualisht po ndodh në shtetet e Afrikës Perëndimore.

“Duke pasur parasysh që Kosova çdo vit përballet me ethet hemorragjike, kuadri shëndetësor është i njoftuar me procedurat e kontrollit të infeksionit në kuadër të institucioneve shëndetësore. Po ashtu, një masë është punuar edhe në diagnostikimin, mirëpo siç dihet për Ebolën, nuk ka ndonjë trajtim specifik as në Kosovë apo edhe në vende tjera”.

“Kryesisht, trajtimi është terapi mbështetëse, por ne jemi në kontakt me stafin shëndetësore dhe institucionet e Kosovës, në mënyrë që t’i japim gjitha udhëzimet që janë në nivel ndërkombëtar, me qëllim që stafi shëndetësor të jetë i mbrojtur në qoftë se paraqitet ndonjë rast”, ka theksuar Syla.

Liberia dhe Sierra Leone, dy vendet më të goditura nga Ebola, vazhdojnë të kenë vetëm 21 dhe 26 për qind të shtretërve që u nevojiten për pacientët, ndërkohë që vendet fqinje kanë thënë se po përgatiten për të kontrolluar dhe parandaluar shpërndarjen e kësaj sëmundjeje, thuhet në një deklaratë të OBSH-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG