Ndërlidhjet

Kërcënimet ndaj gazetarëve, në rritje


Ilustrim
Ilustrim

Muajve të fundit në Kosovë është rritur numri i rasteve, ku gazetarët kërcënohen dhe pengohen në kryerjen e punës së tyre, kanë thënë përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në debatin e organizuar me temën “Mediet dhe siguria e gazetarëve në Kosovë”.

Kryetari i AGK-së, Zekirja Shabani, ka shpjeguar për rastet e kërcënimit të gazetarëve.

“Sipas një data-baze që kemi për ankesa ose shqetësime nga kolegët tanë gazetarë, deri më tani kemi rreth 20 ankesa të natyrave të ndryshme, që na janë adresuar. Këtu përfshihen kërcënime shantazhe apo forma të tjera të pengimit në punë, që për AGK-në është tejet shqetësues ky numër në rritje”, ka thënë Shabani.

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se në bazë të të dhënave të deritashme të nëntëmujorit të këtij viti, në polici si raste të kërcënimit dhe pengimit të kryerjes së punës së gazetarëve janë të evidentuar 18 raste.

Ministri në largim i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajrami Rexhepi, ka thënë se kërcënimet e kohëve të fundit ndaj gazetarëve në Kosovë, janë brengosëse.

Ai ka deklaruar se autoritetet e rendit do të jenë në mbështetje të gazetarëve që të kryejnë punën e tyre të papenguar.

“Gatishmëria e policisë dhe e Ministrisë së Punëve të Brendshme është gjithnjë që juve t’ju krijojë një ambient të sigurt që ju t’i kryeni punët tuaja – sidomos gazetaria hulumtuese dhe ata që merren me çështjet e krimit të korrupsionit, rastet gjyqësore e të tjera që janë më të ndjeshme”, ka deklaruar Rexhepi.

Gjendja e gazetarëve dhe mediave në Kosovë nuk është e mirë ka thënë edhe Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, duke shtuar se liria e shprehjes është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës.

Edhe unë, personalisht, jam i shqetësuar me gjendjen e mediave, nuk po i përmendi gazetarët individual se ata janë pjesë e mediave. Kemi kërcënime fizike dhe verbale, kemi edhe përdorim të forcës, dhunës ndaj gazetarëve. Kemi një prirje që nuk shumë e mirë që edhe institucionet publike ta shohin lirinë e shprehje si një çështje të kompetencës së tyre”, ka pohuar Avokati i Popullit, Kurteshi.

Nga ana tjetër, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka theksuar se shumica e institucioneve të Kosovës mediat i shohin si një pengesë në punën e tyre dhe jo si një faktor në zhvillimin e demokracisë.

Ai ka theksuar se Raporti i Progresit e KE-së, i publikuar të mërkurën, nuk flet për përmirësim të gjendjes së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në Kosovë.

“Ky besoj se duhet të jetë një preokupim jo vetëm për institucionet, por për tërë shoqërinë, sepse nëse ne, si shoqëri, vazhdojmë që medias t’ia ngushtojmë hapësirën vepruese, pas disa vjetësh mund të përfundojmë në një shtet, në të cilin pastaj nuk kemi më media të lira”, ka vlerësuar Korenica.

Gazetarët e pranishëm në debat kanë thënë se lidhur me kërcënimet që kanë pasur, askush tjetër, përveç policisë, nuk është marrë me kërcënuesit.

Vehbi Kajtazi, gazetar në të përditshmen “Koha Ditore”, ka thënë se si pasojë e kërcënimeve, ai ka kufizuar lirinë e lëvizjes.

Kajtazi ka kërkuar nga të gjitha institucionet, e sidomos nga ato të drejtësisë, që të merren seriozisht me kërcënimet e gazetarëve.

“Më 16 nëntor të vitit të kaluar është ngritur aktakuzë kundër një personi për kanosje direkte ndaj meje, kanosje me prerje koke. Prej 16 nëntorit unë nuk kam marrë ftesë për seancë gjyqësore. Unë kam frikë se ky rast do të përshkruhet si shumë raste të tjera. Ky është problem i madh i adresimit të këtyre çështjeve".

"Derisa kërcënuesit janë të sigurt se nuk do të shkojnë në burg, janë të sigurt se nuk do të ndëshkohen, besoj se ata nuk kanë ndonjë arsye për të mos vazhduar me të njëjtën mënyrë të trajtimit të gazetarëve. Problemi këtu qëndron pikërisht tek institucionet shtetërore, të cilat janë të thirrura për zbatim të ligjit dhe nuk e zbatojnë ligjin”, është shprehur Kajtazi.

XS
SM
MD
LG