Ndërlidhjet

Zbritje çmimesh a marketing mashtrues?


Ilustrim
Ilustrim

Zbritje çmimesh nga 10 deri në 70 për qind kanë qenë reklamat gati në shumicën e dyqaneve, varësisht se çfarë produktesh shesin. Kjo dukuri tashmë është bërë e zakonshme, në prag festash.

Edhe në para festës së Kurban Bajramit, tregtarët, nëpërmjet fletushkave të ndryshme, reklamave si në media elektronike, po ashtu edhe të shkruara, kanë paraqitur ofertat për çmime të ulura të produkteve.

Madje, edhe disa banka komerciale në vend, për festën e Kurban Bajramit, kanë ofruar kredi me norma më të volitshme të interesit.

Por, qytetarë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, thonë se situata në realitet është krejt ndryshe. Sipas tyre, përderisa në dyqane shkruan për zbritje, në kohën e pagesës, në arkë kuptohet se nuk ka lirime, por shtrenjtim.

Selatin Kaçaniku, kryetar i Organizatës Joqeveritare, “Konsumatori” për Radion Evropa e Lirë, thotë se marketingu është mashtrues, pasi, sipas tij, ndryshe nga reklamat janë çmimet në arka.

“Ka mashtrime të natyrës së tillë, sepse konsumatori joshet nga një çmim i lirë, kurse në arkë paguan një çmim tjetër. Dhe, në shpejtësi, qytetarët nuk janë të atillë, nuk duan të bëjnë ngatërresa, dhe për këtë arsye konsumatori në shumicën e rasteve nuk reagon, ose nuk e paraqet dhe vazhdon të jetë viktimë e interesave të afaristëve në biznes”, thotë Kaçaniku.

Ai shpjegon se po të ndodhin zbritjet e çmimeve deri në përqindjen reklamuese, atëherë ndodh evazion fiskal dhe për këtë, siç thotë ai, autoritetet kompetente duhet ta kontrollojnë tregun.

“Nëse kemi një zbritje 70 për qind, ajo dëshmon se zbritja është nën çmimin substancial, nën çmimin e prodhimit. Dhe, është shumë për të dyshuar dhe është jashtë zakonisht e nevojshme për ta hetuar”, vlerëson Kaçaniku.

Edhe disa qytetarë në Kosovë thonë se nuk ka zbritje të çmimeve në dyqane dhe kompani të mëdha tregtare, por përkundrazi, janë ngritur çmimet thuajse te të gjitha produktet në treg.

Rexhepi, ish-punonjës në kompaninë “INA” nga Zagrebi, tashmë pensionist, thotë se bizneset vazhdimisht i shfrytëzojnë festat për të shtrenjtuar dhe ngritur vlerën e çmimeve të produkteve të ndryshme.

“Të gjitha produktet janë shtrenjtuar, i kam vërejtur. Të gjithë artikujt, në prag të festave, e shfrytëzojnë rastin t’i shtrenjtojnë, përveç lakrave që kishin çmimin e mëparshëm. Reklamat janë mashtrime, vetëm për ta mashtruar popullin. Kur shkon në dyqan, dikush blen diçka, në këtë mënyrë përfitojnë bizneset”, shprehet Rexhepi.

Ndërkaq, Myrvete Maliqi, mjeke me profesion, thotë se në dyqanet e tekstilit mund të vërehen zbritje të çmimeve, por jo në përqindjen e reklamuar, kurse në artikujt ushqimor, sipas saj, nuk ka ndonjë zbritje.

“Në disa dyqane të tekstilit ku unë jam konsumatore e rregullt, ka zbritje, por jo deri në 70 për qind, ashtu siç thuhet. Ndërkaq, te produktet ushqimore nuk ka zbritje”, pohon Myrvetja.

Ndryshe, në tregun e brendshëm, ka laramani çmimesh të produkteve të ndryshme, varësisht nga dyqani, lokacioni apo edhe qyteti, pasi deri më tani nuk ka ndonjë mekanizëm shtetëror që mund të ndikojë në përcaktimin e çmimeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG